Pogradec- Shkeli perimetrin e sigurisë ujore duke lundruar me varkë metalike, ndëshkohet me masë administrative 100 mijë lekë drejtuesi dhe bllokohet mjeti lundrues.
Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare Pogradec kanë kryer një aksion patrullimi në ujërat e liqenit gjatë orëve të fundit, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike.
Shkelja është konstatuar në vendin e quajtur “Guri i Kuq”, ku një varkë metalike po lundronte në afërsi të pushuesve.
“Shërbimet e Policisë Kufitare kanë bllokuar mjetin lundrues dhe kanë ndëshkuar drejtuesin e tij, shtetasin E. B., me masën administrative 100 000 lekë, për shkelje të nenit 24/1/c “Zhvillimi i aktiviteteve jashtë zonave të kufizuara”, të ligjit nr. 43/2020”, bëri me dije policia vendore.
Policia Kufitare apeloi gjithashtu për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që “të respektojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë ujore për pushuesit, të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete”, si dhe qytetarët që të denoncojnë çdo rast kundravajtjeje.
Komente
