Pogradec- Identifikohet autori i dyshuar i kultivimit të 128 bimëve narkotike, në vendin e quajtur “Uji i Ftohtë” në Pogradec dhe që kishte mbetur pa autor.
Policia vendore njoftoi sot (10 Shtator) se autori i dyshuar i rastit është i arrestuari më datë 8 Gusht gjatë operacionit të koduar “Territori i pastër”, 31-vjeçari i identifikuar si Daniel Skënderi.
I riu nga fshati Çermë-Sektor i Lushnjës u ndalua për kultivimin e 610 bimëve narkotike të mbjella në fshatin Tallë të Pogradecit, por nga hetimi rezulton se ai është autori edhe i parcelës së dytë të kultivuar, me 128 bimë kanabisi.
“Si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, nga Komisariati i Policisë Pogradec, në bashkëpunim më Prokurorinë e Korçës, është përcaktuar autorësia e kultivimit të 128 bimëve narkotike që u gjetën në vendi i quajtur “Uji i Ftohtë”, njësia administrative Velçan, Pogradec”, njoftoi policia vendore.
Bimët narkotike pas konstatimit në zonë, u asgjësuan me anë të djegies.
“Ky shtetas është arrestuar më datë 8 Gusht 2024, i dyshuar si autor i kultivimit të 610 bimëve narkotike cannabis sativa, që u gjetën në vendin e quajtur “Uji i Ftohtë”, në fshatin Tallë”, sqaruan burimet zyrtare.
Hetimet e këtij rasti po i ndjek prokuroria vendore, për të zbuluar nëse i dyshuari është përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike në vende të tjera dhe nëse ka bashkëpunëtorë.