Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë ngre siparin në qytetin e Pogradecit.
Për shtatë ditë radhazi në kinemanë verore të këtij qyteti do të prezantohen 40 filma artistikë edhe dokumentarë nga të gjithë vendet e Ballkanit, duke zbatuar rregullat e distancimit social për shkak të Covid 19.
Të ftuarit gjatë këtij viti, do të mungojnë në festival për shkak të rrethanave që janë krijuar nga Covid 19, megjithatë Eno Milkani, rrëfen se festivali po zhvillohet që të mos humb tradita e dhjetë edicioneve të kaluara.
“Për shkak të COVID 19, por edhe të ditëve të karantinës që duhet të bëjnë ata që vijnë në Shqipëri kur kthehen në vendin e tyre, sivjet nuk do të kemi të ftuar. Por, përpos faktit që do të mungojë kulinariA do të kemi 40 filma shumë të mirë, që i kemi përzgjedhur për të shfaqur çdo natë në kinemanë verore të Pogradecit”, shprehet Eno Milkani, drejtues i festivalit.
Entela Gusho, nënkryetare e bashkisë së Pogradecit, e konsideron këtë festival një traditë të bukur të qytetit, që duhet mbajtur gjallë
“Pavarësisht pandemisë Covid 19, nuk mund që të mos e bënim këtë aktivitet, aq më pak që përkon me dhjetëvjetorin e tij. Për të ruajtur këtë traditë të bukur, gjatë një jave në qytetin tonë do të prezantohen filma nga të gjitha vendet e Ballkanit”, shprehet Entela Gusho.
Festivali i Filmit Ballkanik dhe i Kulinarisë do të vijojë gjatë gjithë javës në qytetin e Pogradecit.