Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Shahut, qyteti i Pogradecit u bë mikpritës i një aktiviteti të veçantë sportiv, ku mjeshtri i njohur i shahut, Shpëtim Nazarko, zhvilloi një ndeshje simultane me 15 pjesëmarrës të grupmoshave të ndryshme. Ky është edicioni i dytë i këtij aktiviteti, që rikthen një traditë të hershme të shahut në qytetin liqenor.
Niko Basho, një prej kampionëve të parë të këtij sporti në vend, theksoi se Pogradeci ka një lidhje të veçantë me sportin e shahut, duke prodhuar ndër vite talente të nivelit kombëtar.
Mjeshtri Nazarko vlerësoi cilësinë e shahistëve pogradecarë, ndërsa nuk la pa përmendur faktin se interesimi për këtë sport është në rënie për shkak të krizës sociale që ka përfshirë vendin.
Një ndër surprizat e këtij eventi ishte 15-vjeçari Kleo Ismaili, i cili arriti të renditej ndër tre fituesit e vetëm përballë mjeshtrit Nazarko. Ai tregon se është njohur me sportin e shahut nga gjyshi i tij, ndërsa vitin e kaluar ka zënë vendin e katërt në kampionatin rajonal të mbajtur në Pogradec.
Sporti i shahut vijon të zgjojë interes mes brezave të rinj, të cilët po dëshmojnë jo vetëm pasion, por edhe potencial të lartë për të përfaqësuar denjësisht qytetin dhe vendin në garat e nivelit më të lartë.
Komente
