Policët ‘turp’ nga psikologu i shtetit, konsulta tek privati! Elidon Shehu në Report Tv: 2 psikologë për 2200 policë

23 Korrik 2022, 13:36| Përditesimi: 23 Korrik 2022, 13:42

  • Share

Punonjësit e policisë janë më të rriskuarit për shëndetin mendor për shkak të profilit të punës, por megjithatë mentaliteti i mban ata larg konsultave me psikologun e vendosur nga shteti. Elidon Shehu psikolog në Policinë e Tiranës, tregon për Report Tv për numrin mjaft të ulët të psikologëve në raport me numrin e efektivëve blu.

Në maj të këtij viti, polici  Ludjan Zaimi qëlloi për vdekje me armën e shërbimit kolegun e tij, Çaush Saliasi, brenda ambienteve të Komisariatit nr. 3 në Tiranë. 25-vjeçari prej kohësh ndihej i bullizuar, por përveç kësaj merrte edhe ilaçe për depresion. Ngjarja shokoi opinionin publik dhe tronditi strukturat më të larta të Policisë së Shtetit. Ky krim nxori në sipërfaqe problematikën e shëndetit mendor tek efektivët blu.

Por, a shkojnë policët për të kërkuar ndihmë të specializuar për problemet e ankthit apo depresionit? Psikologu i Policisë së Tiranës, Elidon Shehu, tregon për kulturën e ulët të policëve në këtë drejtim. Pjesa më e madhe e tyre vërehen nga kolegët apo shefat dhe rekomandohen tek psikologu.

“Kemi vërejtur punonjës policie që kanë probleme të stresit apo të depresionit qoftë akutë, për shkak të situatave ose ngjarjeve traumatike që ato janë përballur. Ka edhe punonjës policie që vijnë vetë të takojnë psikologun, por kjo është edhe çështje kulturore. Ne duhet të themi dh eta pranojmë që si shoqëri e kemi pak tabu që të kemi një takim me një specialist të shëndetit mendor. Të gjitha këto takime me psikologun nuk kërkohen në zyrë, por kërkohen në kafe. Nuk janë profesionale, por është një ogur i mirë që nis një takim me një psikolog”, tha Elidon Shehu.

Numri i psikologëve në raport me efektivët e policisë është shumë i zhdrejtë.  Vetëm në Tiranë janë dy psikologë, dhe Shehu thotë kjo është e pamjaftueshme.

“Në qarkun e Tiranës janë rreth 2200 punonjës policie dhe janë vetëm dy psikologë. Pra, shikojmë një mosbarazi numri. Nuk po themi që të barazojmë psikologët me punonjësit, por duhet shtuar numri. Na duhen burime njerëzore sa më shumë psikologë, të rritet cilësia e psikologëve dhe të rritet dhe shërbimi ndaj punonjësve”, tha Elidon Shehu.

Policët në shumë raste zgjedhin të shkojnë pranë psikologëve privat. Adelina Pjetra thotë se pasur raste shumë të vështira, kur problemet me shëndetin mendor kanë avancuar ndjeshëm.

“Vijnë privatisht, por vijnë kur ka arritur kulmi, pra kur situata ka dalë jashtë kontrollit totalisht tek ata. Kryesisht personat që kanë ardhur kanë vuajtur nga depresioni janë mjekuar me vite dhe kur asgjë nuk është sistemuar pastaj kanë kërkuar ndihmë profesionale tek psikologu. Ata kanë paguar nga buxheti i tyre familjarë dhe jo si punonjës shteti”, tha Adelina Pjetra.

Numri i atyre që kërkojnë ndihmë është i ulët, në dallim me aq sa mund të kenë nevojë.

“Vijnë me sikletin që të mos kuptohen nga shefat ose nga punonjës të tjerë të policisë, çka bënë edhe një hendek të madh për shumicën e tyre që të kërkojnë ndihmë. Janë të paktë në numër që kërkojnë ndihmë”, tha Adelina Pjetra.

Pasojën e problemeve të shëndetit mendor të policëve më së shumti e vuajnë familjarët.

“Familjarët e punonjësve të policisë që vijnë të kërkojnë ndihmë për dhunën që ushtrohet në familje dhe për frikën që kanë po ta denoncojnë kur njëri nga partnerët është funksionar i policisë”, tha Adelina Pjetra.

Vetëm Drejtoria e Policisë së Tiranës ka të punësuar dy psikologë, drejtoritë e tjera në qarqe vetëm nga një, kurse nëpër komisariate nuk ka. Psikologë kanë edhe repartet e tjera me risk më të lartë, RENEA, FNSH, Drejtoria e Kufirit apo Mbrojtja e Dëshmitarit.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?