Kronikë

Polici hero, shpëton 4 të aksidentuarit në Qafën e Koshovicës. I nxjerr nga makina që rrezikonte shpërthimin (VIDEO)

9 Gusht, 09:47| Përditesimi: 9 Gusht, 12:33

  • Share

Fieri - Një akt trimërie dhe humanizmi u shënua pasditen e djeshme në vendin e quajtur “Qafa e  Koshovicës” në Fier, ku një aksident i rëndë mund të kishte përfunduar në tragjedi pa ndërhyrjen e shpejtë të një polici të qarkullimit.

26-vjeçari Klajdi Mustaj, prej 18 muajsh pjesë e Policisë së Fierit dhe vetëm 2 muaj në shërbimin e qarkullimit rrugor, ishte rastësisht pranë vendit të ngjarjes.

Një automjet kishte humbur kontrollin, ishte përmbysur dhe kishte mbetur i bllokuar në anë të rrugës, me katër persona të plagosur brenda. Situata u bë edhe më e rrezikshme kur nga mjeti filloi të dilte tym i dendur, duke rrezikuar shpërthim. Aksidenti ndodhi mbrëmjen e të premtes rreth orës 20:00.

Pa menduar dy herë, Klajdi u hodh në veprim. Ai nxitoi drejt automjetit, i ndihmoi të plagosurit të dilnin, dhe kur pa se koha ishte e pakët, mori në krahë një prej tyre dhe e largoi në një zonë të sigurt. Gjatë ndërhyrjes, edhe vetë pësoi lëndime në këmbë, por nuk u ndal deri sa të gjithë shpëtuan nga rreziku.

Ky gjest i guximshëm tregon fytyrën e vërtetë të një polici që nuk e sheh uniformën thjesht si punë, por si mision për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Veprime të tilla janë shembull frymëzimi për shoqërinë dhe një arsye e fortë që institucioni ku ai shërben ta vlerësojë publikisht.

Ora 10:44
Shpëtoi të aksidentuarit në Fier, Ilir Proda vlerëson policin Klajdi Mustaj me Certifikatën për Shërbime të Dalluara

1754729396_efektiviklajdimustaj.png

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka vlerësuar veprimin e policit Klajdi Mustaj, që shpëtoi 4 persona në një aksident rrugor në Qafën e Koshovicës në Fier mbrëmjen e së premtes.

Për guximin e treguar, Ilir Proda i akordoi policit Klajdi Mustaj Certifikatën për Shërbime të Dalluara!

Inspektor Klajdi Mustaj është pjesë e Policisë së Shtetit prej shkurtit 2024, kur përfundoi Kolegjin Profesional për Patrullë të Përgjithshme. Ai ka përfunduar studimet për Shkencat Juridike (Bachelor) dhe aktualisht vazhdon studimet për Master.

Mesazhi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda:

“Veprimi i Inspektor Klajdi Mustaj tregon më së miri misionin e Policisë së Shtetit: të jemi aty ku qytetarët kanë më shumë nevojë për ne. Guximi, profesionalizmi dhe reagimi i shpejtë i punonjësit tonë në shpëtimin e tre bashkëqytetarëve është shembull frymëzues për të gjithë trupën policore. I shpreh mirënjohjen time dhe të gjithë Policisë së Shtetit për këtë akt human e profesional. Faleminderit për guximin dhe zemrën e madhe që tregove në shërbim të qytetarëve.

Angazhimi, përkushtimi, profesionalizmi, sakrifica, ndershmëria dhe humanizmi duhet të jenë motoja jonë në përmbushjen e detyrës, fytyra dhe imazhi i ri i Policisë së Shtetit”.

 

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A po i liron hapësirat publike aksioni i qeverisë?