Policia dyshohet të ketë arrestuar një të pafajshëm! Historia e emigrantit shqiptar që NUK ngjan aspak me të kërkuarin nga Italia

11 Tetor 2019, 17:18| Përditesimi: 11 Tetor 2019, 17:28

  • Share

FIER - Një 44-vjeçar nga Fieri i quajtur Dhimitraq Rama, prej dy javësh vijon të mbahet i izoluar në burgun e Fierit, pasi policia dhe prokuroria e këtij qyteti e kanë arrestuar me qëllim ekstradimin e tij në Itali. Rasti në fjalë, ka shumë gjasa që të kthehet në skandalin e radhës të drejtësisë shqiptare, pasi i arrestuari Dhimitraq Rama, pretendon dhe këmbëngul me forcë se nuk është personi që vërtetë kërkojnë për ekstradim autoritet të drejtësisë italiane. I arrestuari Rama dhe avokatët e tij kanë pretenduar në gjykatën e Fierit, se nuk është 44-vjeçari personi i duhur, por një person tjetër që quhet Mikel Rama, ndaj të cilit gjykata e Milanos, në 24 tetor 2018 ka lëshuar një urdhër-arresti për akuzën e përfshirjes së tij në “organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. Por materiali identifikues që kanë sjellë italianët në prokurorinë e Fierit, ka ndryshim të madh me gjeneralitet dhe të dhënat që ka i arrestuari Dhimitraq Rama.

Këto ndryshime duken qartë në krahasimin e fotografive ku dallohet se janë dy njerëz të ndryshëm dhe jo të njëjtë. Fotoja e Dhimitraq Ramës të arrestuar dhe Mikel Rama që kërkojnë italianët rezulton se është krejtësisht e ndryshme. Njëherësh këtyre dy personave nuk i korrespodon muaji i lindjes ku Mikel Rama që kërkojnë italianët ka lindur në 14 shtator 1975 ndërsa Dhimitraq Rama që ka arrestuar policia e Fierit dhe që aktualisht ndodhet në burg ka lindur në 14 gusht 1975.

Në dosjen e mbërritur nga Italia janë të skanuara dhe gjurmët e gishtave të Mikel Ramës, për të cilin kanë sjellë material italianët. Në seancën për caktimin e masës së sigurisë ndaj Dhimitraq Ramës, avokatët mbrojtës të Dhimitraqit dhe gjykata e Fierit, i ka kërkuar prokurorit të çështjes Andi Pogaçe, që të realizojë ekspertimin daktiloskopik të gjurmëve të gishtave dhe krahasimin e tyre me ato të Dhimitraq Ramës. Nëse këto gjurmë janë të njëjta atëherë shuhet çdo dyshim i mundshëm dhe Dhimitraq Rama, të japi llogari për veprimtarinë kriminale që ka kryer. Nëse këto gjurmë nuk janë të njëjta, atëherë Dhimitraq Rama, duhet të lirohet një orë e më parë nga qelitë e burgut të Fierit, pasi çdo minutë që ai qëndron në qeli, është në kundërshtim të hapur me ligjin dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Lidhur me këtë çështje në Fier prej disa ditësh ka marrë informacion Ministria e Drejtësisë dhe Zyra e Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, të cilat po ndjekin rastin.

Gjatë një bashkëbisedimi që “Shqiptarja.com” pati me mbesën e të arrestuarit Dhimitraq Rama, kjo e fundit deklaroi se: ”…jemi të bindur se xhaxhai im nuk është përfshirë në asnjë veprimtari kriminale në Itali. Ai punon dhe jeton prej disa vitesh në Itali dhe nuk është arrestuar sa herë ka pas hyrje-dalje në këtë shtet. Gjithçka është ngatërruar dhe xhaxhai po mbahet në burg pa të drejtë…”.

 Në fakt Dhimitraq Rama është një emigrant shqiptar në Itali që prej vitit 2006 e në vijim. Rezulton se Dhimitraq Rama ka hyrë dhe dalë nga territori italian në mënyrë të rregullt dhe permanente që nga viti 2006 e deri në vitin 2019 dhe nuk është ndaluar asnjëherë nga autoritet italiane, pavarësisht gjeneraliteteve të tij të përkueshme me Mikel Rama, që italianët kanë nxjerrë urdhër-arresti prej vitit 2008 dhe tashmë e kërkojnë për ekstradim. Sipas të dhënave që ka dërguar në Shqipëri prokuroria italiane e Milanos, rezulton se Mikel Rama i ditëlindjes 14 shtator 1975 dyshohet të ketë qenë pjesëtar i një organizate kriminale me qëllim trafikimin e drogës nga Holanda dhe vendet e tjera të Ballkanit, drejt Italisë.

Bashkë me këtë informacion Italia ka sjellë dhe një raport individual me të dhënat e Mikel Rama, si foto, gjurmë gishti, ditëlindjen etj. Mbi këtë bazë, policia e Fierit dhe më konkretisht oficeri Niko Kurti ka arrestuar me iniciativë të vetë personit, Dhimitraq Ramën,duke e informuar se ndaj tij në 2008 ishte lëshuar një urdhër-arresti në mungesë nga prokuroria e Milanos. Arrestimi i tij është kryer në datën 25 shtator 2019 dhe vetë personi i ndaluar se nuk është marrë asnjëherë me veprimtari kriminale në formën e trafikimit të narkotikëve, se fotoja në fjalë sipas tij bën fjalë për një shtetas tjetër dhe se ekziston mundësia që gjeneralitetet e tij të jenë përdorur nga persona të tjerë dhe të panjohur. Kjo pasi sipas Dhimitraq Rama, ai disa vite më parë ka humbur pasaportën e vjetër së bashku me dokumentet e gjendjes civile.

Të njëjtin version ka dhënë edhe në gjykatën e Fierit, por kjo e fundit në datën 27 shtator 2019 ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” 40 ditor për Dhimitraq Ramën megjithëse vetë gjykata ka konstatuar se fotoja kishte një ndryshim shumë të madh. Nisur nga kjo situatë avokatët mbrojtës kanë kërkuar ekspertimin sinjalistik të fotove të personit në kërkim ndërkombëtar Mikel Rama me foton e të arrestuarit në Fier Dhimitraq Rama. Njëherësh ekspertim është kërkuar edhe për krahasimin e gjurmëve të gishtave të këtyre dy emrave të mësipërm. Por deri më tani çështja është në dorë të prokurorit të Fierit Andi Pogaçe, i cili duhet me patjetër të realizojë ekspertimet e kërkuara, për tu bindur me prova të plota dhe shkencore që personi Dhimitraq Rama që kanë arrestuar për ekstradim është vërtet Mikel Rama ose jo?

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?