Gazment Bardhi dhe Silva Hasaj

Kronikë
Politikë

Dyshime për blerje votash, shoqërohet xhaxhai i kandidates së PD, Siva Hasaj! Bardhi: Intimidim! Policia: U lirua pasi iu mor dëshmia, u kap me bllok shënimesh për zgjedhjet

28 Prill, 13:20| Përditesimi: 28 Prill, 15:29

  • Share

Drejtuesi politik i PD-së në Fier, Gazment Bardhi ka akuzuar Policinë se i ka bërë presion dhe ka intimiduar familjarët e kandidates për deputete Silva Hasaj. Reagimi erdhi një ditë pasi efektivët ndaluan për kontroll xhaxhain e kandidates, me dyshimet për blerje votash. Atij iu gjet një bllok shënimesh, që sipas policisë ka lidhje me procesin zgjedhor. Agim Hasaj, xhaxhai i kandidates është lënë i lirë, ndërsa materialet janë referuar në prokurori.

“Më datë 27.04.2025, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se shtetasi A. H., 59 vjeç, banues në Peshtan,  kryente veprimtari të paligjshme në lidhje me procesin zgjedhor, shërbimet e Policisë, në orën 19:20, e kanë kontrolluar dhe më pas e kanë shoqëruar këtë shtetas në Komisariatin e Policisë Fier.          

Gjatë kontrollit fizik ndaj këtij shtetasi dhe kontrollit në automjetin me të cilin ai udhëtonte, u gjet një bllok me shënime në lidhje me procesin zgjedhor.      Shtetasit A. H. iu mor deklarimi dhe u la i lirë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme hetimore”, njofton policia.

Po ashtu, policia hedh poshtë edhe deklaratat e Gazment Bardhit, i cili pretendoi se policia ka ushtruar presion ndaj familjarëve të kandidates për deputete të Partisë Demokratike.

“Sqarojmë opinionin publik se në lidhje me statusin e publikuar nga drejtuesi politik i Partisë Demokratike, për qarkun Fier, z. G. B., në të cilin ai ka pretenduar se Policia e Shtetit ka ushtruar presion ndaj familjarëve të kandidates për deputete të Partisë Demokratike, znj. S. H., (shtetasi A. H. që u shoqërua, i afërm i saj), theksojmë se pretendimi është i pavërtetë pasi Policia për këtë rast ka kryer të gjitha veprimet procedurale konform ligjit dhe materialet janë referuar në Prokurori.

Policia e Shtetit garanton qytetarët dhe të gjitha subjektet politike se është tërësisht e baraslarguar nga subjektet politike dhe e fokusuar vetëm në zbatimin e ligjit, garantimin e rendit e sigurisë përgjatë fushatës elektorale dhe paprekshmërinë e votës”, njofton policia.

Për Gazment Bardhin këto veprime përfaqësojnë një përshkallëzim të rrezikshëm të përpjekjeve për të frikësuar qytetarët.

"Dënoj me forcë çdo akt presioni dhe intimidimi që Policia e Shtetit, nën ndikimin e drejtpërdrejtë politik, ka ushtruar ndaj familjarëve të kandidates për deputete të PD, znj. Silva Hasaj. Këto veprime përfaqësojnë një përshkallëzim të rrezikshëm të përpjekjeve për të frikësuar qytetarët dhe për të deformuar vullnetin e lirë të tyre përmes shantazhit dhe dhunës institucionale.

Kjo është një shfaqje e qartë e kapjes së shtetit, ku organet e rendit, në vend që të jenë në shërbim të ligjit dhe qytetarëve, përdoren si instrumente të pushtetit për të goditur kundërshtarët politikë. Tentativa për të shkrirë bashkë Policinë e Shtetit, politikën dhe krimin e  organizuar, është një rrezik serioz për demokracinë dhe stabilitetin e vendit.

Ky akt i përsëritur i përfshirjes së Policisë së Shtetit në këtë fushatë zgjedhore në qarkun Fier, garantoj se nuk do të mbeten pa pasoja. Edi Rama dhe Belinda Balluku,  që i urdhërojnë dhe ata që i zbatojnë do të përballen me drejtësinë. Askush nuk është mbi ligjin dhe asnjë përpjekje për të frikësuar opozitën nuk do të ketë sukses.

I bëjmë thirrje OSBE/ODIHR dhe çdo institucioni ndërkombëtar të monitorojë nga afër sjelljen e Policisë së Shtetit në  zgjedhje dhe çdo përpjekje për të minuar standardet demokratike në një proces zgjedhor", shkroi Gazment Bardhi.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Lushka: 28/04/2025 18:32

    Hahahha u kap me bllok shenimesh. Po do jet duke ber sondazh sa del mbesa sikur te ishin sot zgjedhjet. Aman idiotsira alla shqiptarçe. Asgje ska per te ndryshuar ketu edhe per ja 30 vjet. Ai do na japi pashaporten Europiane. U pika atij edhe pashaportes eu. Te shkojnr me ate me pasaporte me ato te tjeret te gjithe ne kete elite politike vampire. Shkofshin te gjithe andej nga kan dal edhe sa me shpejt edhe u djegshinnqe se ben qe se ben njeher kete komb.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni kontratën 6 mln dollarë të PD për lobim në SHBA?