Ndërtesa e Postës së Serbisë në Graçanicë, 15 janar 2025

Kosova & Rajoni

Kosova mbyll institucionet paralele serbe në 10 komuna! Petkoviç braktis takimin në Bruksel

15 Janar, 09:33| Përditesimi: 15 Janar, 15:10

  • Share

MITROVICE- Qeveria e Kosovës, thotë se i mbylli përfundimisht strukturat paralele serbe në territorin e saj.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se, mëngjesin e sotëm, janë mbyllur komuna paralele të Serbisë, si dhe posta e zyra tatimore të saj në dhjetë komuna të ndryshme të vendit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi, në anën tjetër, se nuk e ka autorizuar Policinë e Kosovës për të kryer kontrolle dhe bastisje në lokacionet ku u mbyllën ato, pasi, siç tha, nuk kishte ndonjë kërkesë zyrtare.

Aksionet policore u ndërmorën në komunën e Lipjanit, Obiliçit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skënderajt.

"Me aksion të përbashkët, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës", thuhet në postimin e Sveçlës në rrjetet sociale.

Në videon e publikuar nga ai, u pa edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, duke thënë se "nga sot, 28 komunat paralele, kriminale të Serbisë në Kosovë dhe pesë qarqet e tyre mbyllen përfundimisht".

 

Në 10 komuna të Kosovës, policia zhvilloi aksione për mbylljen e strukturave paralele serbe, ndërsa lajmin e njoftoi ministri i brendshëm Xhelal Sveçla i cili shkruajti në facebook se aksionet u zhvilluan në Lipjan, Obiliç, Prishtinë, Fushë Kosovës, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec dhe Skënderaj.

"Me aksion të përbashkët, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës", thuhet në postimin e Sveçlës në rrjetet sociale.

Në videon të publikuar pas veprimeve të policisë Zveçla së bashku me ministrin i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, thanë se nga sot, 28 komunat paralele, kriminale të Serbisë në Kosovë dhe pesë qarqet e tyre mbyllen përfundimisht.

Aksioni i policisë vjen tre ditë pas nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare në Kosovë.
Autoritetet në Kosovë thonë se puna e këtyre institucioneve serbe, që ishin në funksion që nga paslufta më 1999, është "e paligjshme", dhe nisën mbylljen e tyre qysh në fillim të vitit të kaluar.

Lisa Serbe - partia më e madhe e serbëve në vend - paralajmëroi se do të mbajë një mbledhje dhe adresim për mediat gjatë ditës.

Në Serbi, kryeministri Millosh Vuçeviç tha se "zhvillimi i situatës" në Kosovë po ndiqet me kujdes.

"Do t'i ndërmarrim të gjitha masat për ta mbrojtur popullsinë serbe nga sulmet e reja të Albin Kurtit [kryeministër i Kosovës], i cili, mesa duket, fushatën e tij parazgjedhore e ka shndërruar në vazhdim të keqtrajtimit të popullit tonë", tha Vuçeviç.

Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriç, e cilësoi aksionin e fundit të autoriteteve të Kosovës si një "përshkallëzim të rrezikshëm".

"Këto lëvizje agresive nuk janë vetëm sulm ndaj institucioneve, por edhe përpjekje e hapur për t'i minuar të drejtat kolektive dhe identitetin e serbëve në Kosovë", shkroi Gjuriç në rrjetet sociale.

Ai tha se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të heshtë, por "t'i mbrojë të drejtat e serbëve në Kosovë".

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç - i cili ndodhej në Bruksel, ku do të duhej të mbahej takimi i parë i Komisionit të përbashkët Kosovë-Serbi për të pagjeturit -tha se "e ka braktisur atë takim", për shkak të ndodhive në Kosovë.

"Kurti nuk do dialog, por dhunë", u tha ai gazetarëve në Bruksel.

I pyetur nëse u mbajt takimi për të pagjeturit, Petkoviç tha: "Natyrisht që jo. Çështja e të pagjeturve është e rëndësishme... por Kurti e ka mbytur dialogun, e ka mbytur takimin e sotëm".

Ai tha se nga mbyllja e institucioneve serbe të mërkurën, mbi 1.100 njerëz kanë mbetur pa punë, por tha se i siguron ata që Serbia do të vazhdojë t'i paguajë.

Ora 15:46
Kosova mbyll institucionet paralele serbe në 10 komuna, Ambasada e SHBA-së: Në kundërshtim me këshillat tona, mund të minohet e ardhmja euro-atlantike 

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka thënë se veprimet e sotme të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele të Serbisë në disa komuna të Kosovës, ndikojnë direkt dhe negativisht tek qytetarët serbë etnikë të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera dhe mund të minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euro-atlantik.

“Veprimet e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të drejtuara nga Serbia ndikojnë direkt dhe  negativisht në qytetarët e Kosovës – serbët etnikë dhe komunitetet e tjera dhe mund të minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Zëdhënësi i Ambasadës Amerikane po ashtu ka thënë se këto veprime janë bërë kundër këshillave amerikane dhe si të tilla e dobësojnë besimin dhe kufizojnë mundësitë e SHBA-së për të ndihmuar Kosovën për një të ardhme më të mirë.

“Këto veprime, kundër këshillave tona më të mira, dobësojnë besimin në marrëdhënie dhe kufizojnë aftësinë tonë për të ndihmuar Kosovën të sigurojë të ardhmen më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë njerëzit e saj. Ne po vazhdojmë të monitorojmë situatën. Ju lutemi ndiqni platformat tona online për reagime shtesë nga Ambasada e SHBA”, përfundon përgjigja./Gazeta Express

Ora 10:08
Kosovë/ Sveçla: Janë mbyllur institucione paralele serbe në 10 komuna

 

Ministri i punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe ai i Administrimit të Pushtetit Lokal Elbert Krasniqi, me anë të një video në rrjetet sociale kanë treguar se janë mbyllur institucione paralele në 10 komuna.

 “Me aksion të përbashkët mes MPB e PK si dhe MINT e MAPL, përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës.  Sot janë mbyllur Komunat paralele të Serbisë në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj si dhe posta e zyre tatimore ilegale. Siç edhe jemi zotuar, nuk lejojmë asnjë paralelizëm e aq më tepër kriminal të Serbisë që të cenoje Kushtetutën e ligjshmërinë në vendin tonë”, janë shprehur ata .

Xh.K/S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?