Armët e konfiskuara nga policia e Kosovës

Konfiskohet arsenal armësh në veri të Kosovës, një pjesë u gjet në pusetë kanalizimesh! Dyshime se janë të pjesëtarëve të sulmit në Banjskë (FOTO)

15 Qershor, 08:16| Përditesimi: 15 Qershor, 15:57

  • Share

Policia e Kosovës ka konfiskuar një arsenal armësh gjatë një operacioni në veri të vendit, të cilat sipas saj, lidhen me dy pjesëtarë të grupit që kreu sulmin e 24 shtatorit të vitit të kaluar në fshatin Banjskë, ku u vra një oficer i policisë dhe tre sulmues të armatosur.

Policia ka dhënë detaje për vendin e saktë te “Tre Rokaqiejt” ku u konfiskua një pjesë e armëve, e cila ka bërë të ditur se mbrapa një ndërtese në një pusetë kanalizimesh ka gjetur dhe sekuestruar tri armë automatike AK-47, dy karikatorë me nga 30 fishekë të cal.7.62 mm, dy karikatorë të zbrazur, 11 fishekë të armës së gjatë, një këllëfë të pistoletës dhe një çantë ushtarake.

Ndërsa, te “Çeta e Minatorëve” në një shtëpi të pabanuar Policia ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të madhe të armatimit të modeleve të ndryshme si dhe eksplozivit.

Operacioni për konfiskimin e armëve është kryer dje (14 qershor) në bashkëpunim me Agjencinë e Zbulimit.

“E konsiderojmë që këto dy lokacione kanë emra, do të thotë janë të lidhur me lokacionin e parë me Marjan Radojeviç ndërsa lokacioni i dytë lidhet me Zharko Cvetkoviç, që të dytë janë në kërkim për rastin e Banjskës. Ne konsiderojmë që ky armatim dhe këto pajisje gjinden aty për një kohë më të gjatë”, tha gjatë një konference shtypi zëvendësdrejtori i policisë në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla reagoi lidhur me konfiskimin e arsenalit të armëve. Me një postim në rrjetet sociale ai shkruan se konfiskimi i armëve, eksplozivë e municion u bë falë vigjilencës së shtuar të institucioneve dhe vendosmërisë për asgjësimin e secilit element kriminal dhe tendencës destabilizuese që vjen nga Beogradi.

“Bashkërendimi mes institucioneve të sigurisë dhe rritja gjithnjë e më shumë e bashkëpunimit me qytetarët në veri të vendit është garancë e mosndalimit në betejën tonë për shtet të së drejtës ku rendi dhe ligji mbizotërojnë mbi krimin e terrorizmin”, shkruan ai.

Më 24 shtator të vitit 2023 një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë, në një ngjarje që ngriti shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon, ndërsa Radojeviq e Cvetkoviq janë në listën e të kërkuarve për sulmin ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Kosova akuzon Serbinë për organizimin e sulmit dhe zyrtarët në Prishtinë kanë paralajmëruar mbi rreziqet nga përsëritja e sulmeve të dhunshme nga siç thuhet “strukturat kriminale të Serbisë”, ngjashëm me sulmin e 24 shtatorit.

Beogradi zyrtar ka mohuar çfarëdo lidhje me grupin e armatosur duke paralajmëruar ndjekjen penale të ish zyrtarit lokal serb Milan Radoiçiç i cili mori përsipër përgjegjësinë për sulmin.

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?