Një sasi prej 1.200 fishekësh u konfiskuan në një fshat në Zveçan të Kosovës.
Municionet luftarake u gjetën në afërsi të një shtëpie të braktisur në fshatin Rudine të Zveçanit, informoi pasditen e sotme policia.
Zveçani, bashkë me Mitrovicën e Veriut, Leposaviqin dhe Zubin Potokun, janë komuna të banuara me shumicë serbe në veri të vendit.
Municionet u konfiskuan nga Njësia e saj për Ndërhyrje të Shpejtë, gjatë patrullimeve në zonë. Ende nuk bëhet e ditur se kujt i përkasin këto municione teksa po hetohet për të mësuar detaje që mund të zbardhin ngjarjen.
Kujtojmë se pak ditë më parë, përkatësisht më 11 gusht, Policia e Kosovës ka arrestuar 5 persona në Zveçan, të cilët kanë gjuajtur me armë zjarri në drejtim të efektivëve.
Javën e kaluar Policia e ka gjetur në Mitrovicën e Veriut edhe një laborator droge, ku u gjetën edhe pajisje që përdoreshin për mashtrimin e qytetarëve me anë të kriptovalutave.
Tensionet në veri të Kosovës kanë qenë të ashpra, sidomos në maj dhe qershor të këtij viti. Serbët lokalë e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat veriore.
Zveçani, bashkë me Mitrovicën e Veriut, Leposaviçin dhe Zubin Potokun, janë komuna të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.