Policia e Shtetit bën bilancin e muajit Shtator: 82 operacione antikrim dhe 527 të arrestuar, mbi 10 mijë bimë kanabisi të asgjësuara! U arrestuan dhe 148 shoferë (VIDEO)

1 Tetor, 10:59| Përditesimi: 1 Tetor, 11:47

  • Share

Policia e Shtetit ka bërë sot (1 Tetor) bilancin e muajit Shtator për goditjen e krimit të organizuar dhe aktiviteteve të tjera të paligjshme.

Në total janë finalizuar 82 operacione në të 12 drejtoritë e qarqeve, ose rreth 3 operacione mesatarisht çdo ditë, me 527 autorë të dyshuar krimesh të arrestuar.

Mes tyre 16 kanë qenë të kërkuar ndërkombëtarë, për llogari të vendit tonë, ose shteteve të tjera partnere.

Një tjetër fushë operacionesh ka qenë edhe ajo antikanabis, me 10053 fidanë kanabis sativa, janë sekuestruar 24 armë zjarri, sasi tritoli, 6 ndezës granatash, pjesë armësh, rreth 33 kg hashash në gjendje të tharë, 1,8 kg kokainë, si dhe mijëra doza të këtyre lëndëve dhe të lëndëve LSD, Metamfetaminë dhe ekstazi.

Janë goditur edhe 4 grupe kriminale të organizuara, gjatë operacioneve të koduara “Tempulli 4” në Tiranë, me 15 të arrestuar, në Vlorë me 9 të prangosur në plazhin e Delisufit, të akuzuar për drogë, aksioni “No chance” me 8 të ndaluar për falsifikime dhe kalim të paligjshëm të kufirit dhe “Electronics”, me 4 të dyshuar kinezë që u kapën duke kontrabanduar në Rinas pajisje elektronike, të cilat i përdornin për lojëra fati dhe për prostitucion.

Janë zbardhur edhe 2 vrasje të kryera në Shënavlash, Durrës, dhe në Shkodër, të ndodhura gjatë muajit gusht, si dhe është zbardhur një plagosje e dyfishtë me armë zjarri, e kryer në fshatin Vrakë, Malësi e Madhe.

Po kështu edhe aksione kundër aktivitetit të vjedhjeve të koduara “Exchange”, “Sundimi i ligjit”, “Falco”, “Kopja” dhe “Storm 25”, në Tiranë, Lushnjë, Durrës dhe Vlorë. Ndërkaq, janë parandaluar 1 vjedhje me armë zjarri në fshatin Nikç, Shkodër, dhe vjedhja në një banesë në Durrës;

Po kështu rreth 30 raste kundër mashtrimit dhe basteve të paligjshme, si dhe 6 raste kundër kontrabandës.

Edhe dhuna në familje ka qenë një fenomen shqetësues, me 114 raste të denoncuara dhe proceduara. Teksa janë sekuestruar edhe 35 mjete lundruese pa dokumentacion dhe me shkelje, duke gjobitur pronarët.

“Si rezultat i punës dhe angazhimit për përmbushjen e këtyre prioriteteve, janë goditur 43 raste të kalimit të paligjshëm të kufijve, 12 raste të përdorimit të dokumenteve false për të kaluar kufijtë, 7 raste të trafikimit të mjeteve motorike, 6 raste të trafikimit të lëndëve narkotike dhe 2 raste të mosdeklarimit të parave në kufi”, thotë policia mes të tjerash.

Edhe Policia Rrugore ka vënë në pranga 148 drejtues mjetesh, nga të cilët 101 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe 47 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi. Janë pezulluar 445 leje drejtimi, nga të cilat 127 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 67 për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe 251 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë administrative.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?