Erion Veliaj

Policia e Shtetit marrëveshje me Policia Bashkiake, Veliaj: Tirana e 1 milionë banorëve dhe mbi 10 milionë turistëve, shumë herë më e sigurt

12 Prill, 14:36| Përditesimi: 12 Prill, 19:22

  • Share

TIRANE- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, morën pjesë sot (12 prill 2024)  në ceremoninë për firmosjen e një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake, me qëllim ushtrimin e funksioneve të tyre në shërbim të rendit në komunitet, mbrojtjen e shëndetit të njerëzve e sigurisë publike, si dhe disiplinimin, kontrollin dhe zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor në Tiranë.

Kreu i Bashkisë shprehu mirënjohjen e tij për efektivët e Policisë së Shtetit dhe ata të Policisë Bashkiake, të cilët janë çdo ditë në terren për sigurinë e qytetarëve të Tiranës.

“Misioni ynë është i përbashkët! Kjo skuadër është skuadra “Tirana”, mes institucioneve që shërbejnë me uniformë, të cilat bëjnë një punë jetike për mbarëvajtjen e qytetit dhe nivelin e sigurisë në Tiran. Jemi një vend ku shteti është shtet, qyteti është qytet, turistët janë turistë, dhe sot Shqipëria është totalisht europiane, falë një rendi dhe sigurie publike model në të gjithë rajonin tonë”, tha Veliaj. 

Ai vuri theksin te rëndësia e sigurisë për nxënësit dhe studentët nëpër shkollat e kryeqytetit, duke vënë në dukje faktin se sot Tirana është si nata me ditën, në krahasim me përpara.

“Në përpjekjet tona për të ndërtuar infrastrukturën shkollore, jo vetëm për llaç e tulla, por kryesisht për të krijuar një habitat, një komunitet të sigurt, unë besoj se Policia e Shtetit dhe Policia Bashkiake kanë rolin kryesor. Nuk janë kangjellat ato që na ruajnë, por janë njerëzit me uniformë, prindërit të cilët e ndjejnë se institucionet shtetërore duhet të japin sigurinë maksimale, për të pasur një komunitet ku fëmijët të rriten të pashqetësuar. Unë jam rritur në një Tiranë kur alarmi për bombë ishte ditor në shkollat tona. Shikoj sot se si Policia e Shtetit, Policia Rrugore dhe Policia Bashkiake janë në çdo kryqëzim të shkollës, në çdo perimetër, që ndihmojnë fëmijët përdore për të kaluar rrugën, dhe është aty kur mbaron ora e mësimit për t’u siguruar që ne e trajtojmë këtë punë si një familje e madhe dhe jo fëmija e filanit apo fistekut, por si fëmijët tanë të përbashkët. Kjo më bën të ndihem vërtet krenar! Kjo marrëveshje nuk është një marrëveshje rutinë, por një marrëveshje që pulson, jeton dhe prodhon rezultat në qytetet tona”, u shpreh Veliaj. 

Nga ana e tij, ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se marrëveshja e firmosur sot mes Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Bashkisë së Tiranës, ka në themelin e vet ushtrimin e funksioneve në shërbim të rendit në komunitet, të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve, të sigurisë publike në disiplinimin, kontrollimin dhe zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor në kryeqytet.

“Jemi këtu për të njoftuar një qasje të re të Policisë së Shtetit, për të ndërtuar një aleancë edhe më të fortë me njësitë e qeverisjes vendore. Jo pa shkak Tirana është e para, jo pse është kryeqyteti, por se kemi gjetur te Tirana, te gjithë stafi i Bashkisë së Tiranës, në mënyrë të veçantë te Policia Bashkiake, një partner të rëndësishëm për të kryer detyrat tona të rëndësishme, të cilat i kemi një pjesë të madhe të përbashkëta dhe sot çelim një fazë të re të institucionalizimit të këtij bashkëpunimi. Koordinimi më i mirë mes të gjitha agjencive ligjzbatuese po rrit efikasitetin tonë në parandalimin e krimeve në mbrojtjes e jetës së qytetarëve, duke na garantuar, sikurse tha kryetari i bashkisë, një nivel tjetër sigurie publike, duke e bërë kryeqytetin e Tiranës si një prej qyteteve me nivelin më të mirë të sigurisë publike. E kemi parashikuar në këtë marrëveshje që do të firmoset pas pak kalimin te Policia e Shtetit të të gjitha informacioneve, imazheve dhe videove, në kohë reale të sistemit të kamerave të vendosura në të gjitha kryqëzimet e kryeqytetit”, përfundoi Balla.

Ora 17:28
Dhuna në protestën e Rithemelimit, Veliaj: Debatet t’i zgjidhim si qytetarë, jo duke sulmuar policët! Balla: Rasti i fundit që tolerohet

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj komentoi edhe pamjet e dhunës ndaj uniformave blu në protestën e djeshme, ku falë ndërhyrjes së një prej efektivëve, bomba molotov që shpërtheu, nuk shkaktoi dëme në jetë njerëzish. Veliaj tha se ka vetëm një thirrje: debatet të zgjidhen si qytetarë dhe jo duke i rrezikuar jetën të tjerëve.

“Dje para Bashkisë së Tiranës patëm një incident të vogël, ndaj dua ta falenderoj kolegun e policisë, Asllan Shyti, i cili me reflekset e një polici të trajnuar, largoi rrezikun që i kanosej atij dhe disa policëve të tjerë. Ftesa për të gjithë ata që kanë debate politike për të bërë është: mund t’i bëjmë fare mirë këto debate pa rrezikuar jetën e askujt; as të punonjësve të bashkisë, që punojnë aty prej kohës së Sali Kelmendit dhe Albert Brojkës, as të Policisë së Shtetit, që pavarësisht kush është në qeveri apo bashki, do të jetë gjithmonë me uniformë për të shërbyer. Le t’i zgjidhim debatet tona si qytetarë. Nuk e djeg njeri policinë e vendit të tij nëse ka një debat për të bërë me dikë nga përfaqësuesit e politikës. Ftesa është: t’i lëmë studiot e televizionit, Parlamentin dhe Këshillin Bashkiak për debate. Siguria e jetës nuk mund të merret me sportivitet. Është një sportivitet që na karakterizon dhe te vënia e rripit të makinës, edhe te ecja me shpejtësi apo edhe trajtimi i mjeteve piroteknike si sport kombëtare, ku polici bëhet mish për top për debatet e politikës. Jo vetëm që ju jam mirënjohës dhe mezi pres që këtë bashkëpunim ta thellojmë dhe këtë raport special që kemi krijuar, për ta kthyer Tiranën kryeqytetin më të sigurt”, tha Veliaj. 

Një koment për incidentin e djeshëm në protestë e pati edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili tha se kjo është hera e fundit që tolerohet një veprim i tillë, i cili cenon jetë njerëzish, duke paralajmëruar se Kodi Penal e ka të përcaktuar qartë se çfarë dënimi meriton ai që godet punonjësit e policisë. 

" Ajo që ka ndodhur dje në oborrin pranë bashkisë Tiranë, ku është tentuar goditja e punonjësve të policisë, dua të jem shumë i drejtpërdrejtë me gjithkënd që ende mendon që në Shqipëri mundet të goditet një punonjës policie, do ta konsideroja si rastin e fundit që policia nuk bën një kallëzim të duhur penal, por çdo tentativë, për të goditur një punonjës policie, është një tentativë për të goditur shtetin. Dhe reagimi ynë edhe i të gjitha strukturave të tjera shtetërore, përfshirë prokurorinë, duhet të jetë ekzemplar. Kush godet punonjësin e policisë, ka goditur shtetin. Kodi penal i ka të përcaktuara qartë se çfarë dënimi meriton ai që godet punonjësin e policisë. Shumë faleminderit të gjithëve dhe na vaftë mbarë!", tha Balla.

"Ajo që ka ndodhur dje në oborrin pranë bashkisë Tiranë, ku është tentuar goditja e punonjësve të policisë, dua të jem shumë i drejtpërdrejtë me gjithkënd që ende mendon që në Shqipëri mundet të goditet një punonjës policie, do ta konsideroja si rastin e fundit që policia nuk bën një kallëzim të duhur penal, por çdo tentativë, për të goditur një punonjës policie, është një tentativë për të goditur shtetin. Dhe reagimi ynë edhe i të gjitha strukturave të tjera shtetërore, përfshirë prokurorinë, duhet të jetë ekzemplar. Kush godet punonjësin e policisë, ka goditur shtetin. Kodi penal i ka të përcaktuara qartë se çfarë dënimi meriton ai që godet punonjësin e policisë. Shumë faleminderit të gjithëve dhe na vaftë mbarë"!

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?