Emrat e rinj të 12 drejtuesve të policive në qarqe! Ministri porosi vartësve: Zbuloni sa më shpejt autorët e Masakrës së Shkodrës! Bashkëpunoni me SHISH e prokurorinë

14 Nëntor, 13:12| Përditesimi: 14 Nëntor, 16:25

  • Share

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha prezantoi sot (14 Nëntor) emrat e 12 drejtuesve të Policive në Qarqe. Në një ceremoni të organizuar në ambientet e ministrisë së Brendshme Ministri nënvizoi se drejtuesit që marrin sot detyrën janë përzgjedhur për kompetencën dhe aftësinë e tyre, por edhe për integritetin e tyre për të cilët është bërë një qëmtim i veçantë, në bashkëpunim me organet përkatëse ligjzbatuese.

“Pas fazës së konkurrimit, aplikuar për herë të parë, kalojmë sot stafetën e drejtimit të 12 Drejtorive Vendore të Policisë së Shtetit, tek një brez i ri oficerësh me përvojë dhe integritet.

“Duke u ofruar mbështetjen e plotë strukturave policore, çojmë para arritjet e deritanishme dhe prodhojmë më shumë siguri për qytetarët tanë.

“Ju kërkoj drejtuesve të rinj të policisë të kenë një qasje më proaktive ndaj ankesave të qytetarëve, por edhe shqetësimeve dhe problematikave që media ngre duke i trajtuar me seriozisht dhe paanshmëri”, u shpreh Hoxha.

Ministri u dha edhe porosi publike. E para drejtëpërdrejt i shkon drejtuesit të ri të  qarkut Shkodër Fatmir Lleshaj, i cili duhet të zbardhë dhe zbulojë autorët e masakrës së 30 tetorit 2024 ku në Shkodër mbetën të vrarë 4 persona, mes tyre 2 të pafajshëm

“Ngjarja e Shkodrës duhet të zbardhet plotësisht dhe para drejtësisë duhet të dërgohen autorët. Madje edhe çdo ngjarje e vogël që nuk bën lajm e bujë duhet të marrë vëmendjen e duhur nga policia”, tha ndër të tjera ministri Hoxha.

 Edhe dje (13 Nëntor), në Komisionin e Sigurisë, drejtori i Përgjithshëm, Ilir Proda, teksa raportonte për buxhetin e vitit 2025, theksoi se ngjarja e Shkodrës do zbardhej shumë shpejt.

Porosi të qarta kishte dhe për drejtuesit e policisë sidomos në jug të vendit.

Duhet të marrin fund praktikat e shqetësimit të qytetarëve në fshat, që ngacmohen nga punonjës të papërgjegjshëm të policisë për riparimin e një palë shkallëve ose një avllie, ndërkohë që Policia e Shtetit ka mision tjetër dhe fokusin e saj duhet ta përqendrojë në rastet e abuzimeve të pajustifikueshme në zonat turistike, shtretërit e lumenjve apo rrugët e vendit, ku çdo ndërhyrje e paligjshme e çdo natyre përbën një vepër penale. 

Porosi kishte dhe për të vijuar pastrimin e radhëve të policisë nga uniformat që e ndotin duke bashkëpunuar me krimin dhe të forcojnë bashkëpunimin me SHISH e prokurorinë.

"Le të jemi më të qartë dhe të vetëdijshëm se lufta kundër kriminalitetin, kërkon jo vetëm përballje frontale me çdo fenomen dhe element kriminal, por edhe një vullnet të palëkundur për vetëpastrim në radhët e Policisë së Shtetit nga çdo element i prekur prej virusit të krimit apo të korrupsionit. 

Bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në çdo qark, me Prokurorinë e Posaçme në qendër, si edhe me Shërbimin Informativ të Shtetit është pozitiv, por duhet ngritur në nivele shumë më të larta. Shqipëria është një vend i vogël dhe bashkëveprimi i këtyre strukturave kyçe të sigurisë është kyç për një sukses të sigurtë dhe të qëndrueshëm në Shqipëri pa telashe të lidhura me krimin e me rendin publik në tërësi."

Emrat e rinj të drejtorëve të policisë në qarqe
Drejtuesi i qarkut Tiranë - Drejtues Elton Alushi
Drejtuesi i qarkut Durrës - Drejtues Vilson Bala
Drejtuesi i qarkut Fier, - Drejtues i Parë Skënder Hitaj
Drejtuesi i qarkut Elbasan - Drejtues  Fatmir Hoxha
Drejtuesi i qarkut Shkodër -  Drejtues i Parë Fatmir Lleshaj
Drejtuesi i qarkut Korçë - Drejtues Erion Ahmeti
Drejtuesi i qarkut Vlorë - Drejtues Elidon Çela
Drejtuesi i qarkut Lezhë - Drejtues Altin Mena
Drejtuesi i qarkut Gjirokastër - Drejtues Altin Merizaj
Drejtuesi i qarkut Berat - Drejtues Luigj Vathi
Drejtuesi i qarkut Kukës - Drejtues Gentian Berberi
Drejtuesi i qarkut Dibër - Drejtues Artion Duka

Fjala e plotë e ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha:

"Sot përmbyllet një tjetër fazë e procesit konkurrues, meritokratik, transparent, bazuar në reformën më të re të ligjit të mazhorancës parlamentare, për emërimin e drejtuesve të Policisë në qarqe. 

Kemi 12 drejtues të rinj të Policisë, të dalë nga konkursi ku morën pjesë 43 konkurrentë dhe të cilët përfaqësojnë një gjeneratë të re oficerësh, që pas një eksperience të krijuar që nga shkalla e parë e karrierës, marrin sot barrën e drejtimit të uniformave në 12 drejtoritë e policisë në qarqe. 

Dua të falënderoj të gjithë drejtuesit e derisotëm, të cilët meritojnë respektin tonë për kontributet e çmuara në karrierën e tyre të gjatë në Policinë e Shtetit dhe kam besim se me bagazhin e eksperiencës së tyre do të jenë një mbështetje shumë e madhe e mëtejshme në çdo detyrë tjetër të shërbimit të Policisë së Shtetit. 

Vizioni ynë Shqipëria 2030 dhe ambicia jonë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade - ku përmbushja e të gjitha kritereve dhe anëtarësimit na sfidon të gjithëve për të bërë çdo ditë më shumë - na imponon thellimin e të gjithë progresit të bërë në transformimin e Policisë së Shtetit. 

Drejtuesit që sot marrin detyrën, janë përzgjedhur për kompetencën dhe aftësinë e tyre, por edhe për integritetin e figurës, për të cilin është bërë një qëmtim i veçantë në bashkëpunim me organet përkatëse ligjzbatuese. 

Siguria e lartë nuk është vetëm një ambicie, por një e drejtë e çdo qytetari dhe komuniteti në Republikën e Shqipërisë, pa harruar miliona vizitorët e huaj, që tanimë janë pjesë e jetës së përditshme të shqiptarëve anembanë vendit.

Drejtuesit e rinj të Policisë së Shtetit do të sigurojnë praninë e strukturave të rendit në çdo cep të Shqipërisë, forcimin dhe lidhjen me qytetarët e me komunitetet dhe reagimin e shpejtë ndaj ngjarjeve kriminale, të mëdha a të vogla. Për shembull një nga ngjarjet si ajo e javëve të shkuara në Shkodër, duhet zbardhur plotësisht dhe autorët duhet të shkojnë prapa hekurave sa më shpejt.

Rënia e numrit të vrasjeve vit pas viti, duhet të vazhdojë drejt normalitetit mesatar të policive europiane, por ne duhet të synojmë edhe më shumë se sa kaq, sepse asgjë nuk na pengon të shkëlqejmë në këtë drejtim në rrugën tonë. Por edhe çdo ngjarje e vogël, që nuk bën lajm e bujë, por që cenon sigurinë e pronës dhe qetësinë e qytetarëve apo familjeve, duhet të marrë vëmendjen e duhur nga Policia e Shtetit. 

Në këtë sens duhet të marrin fund praktikat e shqetësimit të qytetarëve në fshat, që ngacmohen nga punonjës të papërgjegjshëm të policisë për riparimin e një palë shkallëve ose një avllie, ndërkohë që Policia e Shtetit ka mision tjetër dhe fokusin e saj duhet ta përqendrojë në rastet e abuzimeve të pajustifikueshme në zonat turistike, shtretërit e lumenjve apo rrugët e vendit, ku çdo ndërhyrje e paligjshme e çdo natyre përbën një vepër penale. 

Nga ana tjetër modernizimi i shërbimeve policore kërkon një hov të mëtejshëm. 

Policia e Shtetit 2030 duhet të jetë një polici e pajisur me sistemet e nevojshme teknologjike, të inteligjencës digjitale dhe është e papranueshme që të mos shpenzohen fondet e veçanta, të vëna në dispozicion nga qeveria për këtë ambicie madhore, thjesht e vetëm nga inkompetenca dhe zvarritjet e shkaktuara prej burimesh njerëzore të papërshtatshme për këtë mision dhe për të kryer këto detyra. 

Drejtoria e Përgjithshme dhe drejtuesit e rinj duhet t’u kushtojnë një vëmendje të veçantë projekteve inovative, të cilat na ndihmojnë tejmase për të kontrolluar territorin, mbikëqyrur trafikun, parandaluar dhe goditur kriminalitetin. 

Le të jemi më të qartë dhe të vetëdijshëm se lufta kundër kriminalitetin, kërkon jo vetëm përballje frontale me çdo fenomen dhe element kriminal, por edhe një vullnet të palëkundur për vetëpastrim në radhët e Policisë së Shtetit nga çdo element i prekur prej virusit të krimit apo të korrupsionit. 

Bashkëpunimi i Policisë së Shtetit me prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm në çdo qark, me Prokurorinë e Posaçme në qendër, si edhe me Shërbimin Informativ të Shtetit është pozitiv, por duhet ngritur në nivele shumë më të larta. Shqipëria është një vend i vogël dhe bashkëveprimi i këtyre strukturave kyçe të sigurisë është kyç për një sukses të sigurtë dhe të qëndrueshëm në Shqipëri pa telashe të lidhura me krimin e me rendin publik në tërësi. 

Këto përzgjedhje që hyjnë sot në fuqi,  anë më shumë se një emërim dhe rutinë e disa oficerëve të rinj në drejtimin. I gjithë ky ekip i ri është njëkohësisht besim tek një gjeneratë e re dhe ambicie drejt një niveli të ri të shërbimit të Policisë së Shtetit. 

Ky proces konkurrues, meritokratik e transparent, do të vazhdojë më tej, për të zgjedhur drejtuesit e rinj në 48 komisariate të policisë në territorin e Republikës së Shqipërisë. 

Aktualisht kemi një numër prej 290 konkurruesish që do të marrin pjesë në një garë për 48 pozicionet e ardhshme.

Iu kërkoj sot drejtuesve të rinj të policisë të kenë një qasje më proaktive ndaj ankesave të qytetarëve por edhe shqetësimeve e problematikave që media ngre, duke i trajtuar ato me seriozitet, transparencë dhe paanshmëri.

S.G//ReportTv.al
Komento

Komente

  • nari: 14/11/2024 20:48

    ish drejtuesi i SHISH u vra me plumb ne koke …. i kthyer ne ndertues ….

    Përgjigju
  • Meti: 14/11/2024 13:50

    Tani e rregullove policine me gjeneraten e re nga 63 vjec, sidomos ke Fatmirin e Elbasanit, pse e shkateruat policine

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Ndryshohen drejtorët e policisë në qarqe, do ketë më shumë rend e siguri?