Policia e Shtetit publikon bilancin për majin: Më shumë se 10 mln euro dhe qindra kg heroinë dhe kokainë të sekuestruara! 635 të arrestuar

2 Qershor, 15:00| Përditesimi: 2 Qershor, 15:48

  • Share

Policia e Shtetit ka publikuar bilancin për muajin maj, ku uniformat blu raportojnë se janë sekuestruar 10.5 milionë euro pasuri të dyshuara me burim krimin, si edhe janë parandaluar 6 ngjarje kriminale në qytete të ndryshme.

Po ashtu, janë sekuestruar 181 kg cannabis sativa, 11.3 kg kokainë, mijëra doza të këtyre lëndëve, 470 doza heroinë dhe 5000 fara cannabisi.

Janë finalizuar 84 operacione për kultivimin e lëndëve narkotike, ku 11 prej tyre, në bashkëpunim edhe me partnerët ndërkombëtarë.

Përgjatë periudhës prej 31 ditësh janë vendosur në pranga 635 persona për vepra të ndryshme penale, ku 67 prej tyre ishin në kërkim kombëtar.

 “Falë operacioneve të bazuara në inteligjencën policore, janë sekuestruar 23 armë zjarri, 4 kallëpë lënde eksplozive, 2 kundragazë dhe sasi e madhe municioni luftarak. 3 grupe kriminale që shitnin lëndë narkotike dhe trafikonin armë nga Kosova ose drejt Anglisë, janë goditur nga Policia e Tiranës dhe e Durrësit, gjatë operacioneve “Tempulli 3”, “Transportuesi 2” dhe “Pakot”; Si rezultat i ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Policisë, janë parandaluar në Durrës, Fier, Mat dhe Lezhë, 6 ngjarje kriminale me përdorimin e armëve të zjarrit dhe armëve të ftohta. Janë zbardhur 133 vjedhje (disa prej tyre, me dhunë), 1 vrasje e dyfishtë e kryer në fshatin Bodrishtë dhe 1 plagosje me armë zjarri e kryer në Durrës; Në Rinas, Morinë, Tiranë, Durrës, Korçë janë goditur 10 raste të kontrabandës me mallra të ndryshme; Nga kontrollet në terren dhe në bazë të denoncimeve të qytetarëve, janë konstatuar dhe goditur 143 raste të krimeve kundër mjedisit”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, Policia rrugore ka vënë në  pranga 183 drejtues mjetesh dhe janë pezulluar 293 leje drejtimi.

"Policia Rrugore gjatë muajit maj intensifikoi kontrollet dhe monitorimet në të gjitha akset e vendit, duke përdorur makinat inteligjente dhe bazën logjistike që ka në dispozicion, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe lëvizjen e lehtësuar të përdoruesve të rrugës, në prag të sezonit turistik. Si rezultat i punës parandaluese dhe monitorimeve të pandërprera: Janë vënë në pranga 183 drejtues mjetesh, nga të cilët 130 për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe 53 për drejtim të mjetit pa leje drejtimi. Janë pezulluar 293 leje drejtimi, nga të cilat 144 për tejkalim të normave të shpejtësisë, 88 për drejtim mjeti nën ndikimin e pijeve alkoolike dhe 61 për shkelje të tjera të Kodit Rrugor, për të cilat parashikohet kjo masë administrative", thuhet në njoftim.

Janë evidentuar dhe trajtuar ligjërisht 121 raste të dhunës në familje, të cilat më pas janë adresuar për t’u trajtuar nga institucionet e tjera kompetente. Në kuadër të parandalimit dhe goditjes së organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, gjatë muajit maj, janë evidentuar dhe goditur 19 raste të kësaj veprimtarie të kundërligjshme.

Sipas policisë, është intensifikuar bashkëpunimi i strukturave policore me FRONTEX. Në këtë kuadër janë finalizuar 4 operacione kundër transportimit të kundërligjshëm të emigrantëve dhe janë bllokuar në kufi 168 emigrantë nga vendet e treta, të cilët kanë tentuar të hyjnë ilegalisht në territorin shqiptar, me qëllim përfundimtar një nga vendet e BE-së.

 

 

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?