Dick Marty

Policia e Zvicrës takohet me atë serbe dhe shkëmbejnë informata për rastin e kërcënimit të Dick Marty-t

18 Tetor 2022, 16:59| Përditesimi: 18 Tetor 2022, 17:01

  • Share

Nga Prokuroria e Përgjithshme e Zvicrës në një përgjigje për Gazetën Express kanë konfirmuar se tashmë ka pasur shkëmbime dhe takime në mes të Policisë Federale Zvicerane dhe autoriteteve policore të Serbisë për rastin e kërcënimit ndaj ish-senatorit zviceran Dick Marty.

Ky bashkëpunim dhe komunikim Zvicër-Serbi lidhur me rastin e Martyt kanë thënë se do të vazhdojë.

“Autoritetet kompetente zvicerane janë në kontakt me autoritete serbe ne nivele të ndryshme. Në veçanti, Policia Federale ka nisur një shkëmbim informatash me policinë e Serbisë në nivelin policor. Shkëmbimet dhe takimet tashmë kanë ndodhur në mes të policisë federale dhe autoriteteve policore të Serbisë. Ky shkëmbim është profesional dhe konstruktiv dhe do të vazhdojë”, kanë thënë për Express nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Zvicrës.

Kjo masë, thonë zviceranët është  pjesë e një sërë veprimesh që janë ndërmarrë dhe se shkëmbimi në mes të policive të dy shteteve ka ndodhur në konsultim të ngushtë me Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Zvicrës.

Tutje nga Prokuroria e Përgjithshme e Zvicrës kanë thënë se niveli i kërcënimit dhe masat mbrojtëse për Dick Martyn vlerësohen në vazhdimësi megjithatë kanë theksuar se s’mund të thellohen më tej në detaje.

“Për të garantuar sigurinë, Policia Federale ka marrë masa të gjera mbrojtëse bazuar në vlerësimet e rregullta të situatës, duke përfshirë sigurinë në afërsi të drejtpërdrejtë të z. Marty (kjo përfshin të ashtuquajturën mbrojtje të ngushtë kur shfaqet në hapësira publike ose masa mbrojtëse teknike në vendbanimin e tij, për shembull). Këto masa mbrojtëse janë zbatuar në bashkëpunim me policinë kantonale. Situata e kërcënimit dhe masat mbrojtëse vlerësohen në vazhdimësi. Megjithatë, do të kuptoni se ne nuk po japim asnjë informacion të mëtejshëm për sigurinë e të mbrojturit tonë.”, kanë thënë nga Prokuroria e Përgjithshme e Zvicrës për Express.

Autoritetet zvicerane kanë konfirmuar se nga dhjetori 2020 është duke u trajtuar çështja e kërcënimit kundër Dick Martyt. Duke qenë se në këtë çështje është përfshirë edhe Serbia dhe ka edhe komponentë politikë, atëherë Prokurori i Përgjithshëm i Zvicrës ka ndërmarrë një numër masa gjithëpërfshirëse.

Në një intervistë me televizionin publik të Zvicrës, Dick Marty, pretendimet e të cilit çuan në ngritjen e Gjykatës së Posaçme të Kosovës me seli në Hagë, kishte thënë se është vënë nën mbrojtje të armatosur në shtëpinë e tij, nga fundi i vitit 2020 për shkak të kërcënimit ndaj jetës së tij nga siç thoshte shërbimet serbe të zbulimit.

“Kërcënimi me sa duket vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve serbe të zbulimit, të cilët u kanë kërkuar vrasësve profesionistë të nëntokës, të më likuidojnë dhe thjeshtë të fajësojnë njerëzit nga Kosova për këtë”, deklaroi ai gjatë intervistës.

Marty  gjatë kësaj interviste kishte treguar gjithashtu se shtëpia e tij është e pajisur me kamera sigurie dhe një dhomë të sigurt në rast nevoje, ndërsa policia është e vendosur në afërsi të vendit ku jeton. Ai kishte treguar se kur del në publik duhet të vesh jelek antiplumb.

Derisa në prill të këtij viti Agjencia Serbe e Zbulimit, BIA, kishte hedhur poshtë raportimet e mediave zvicerane se ish-raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, është kërcënuar nga “elementë radikalë të shërbimeve serbe të zbulimit”./GazetaExpress/

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?