Takimi i kryepolicit Proda me ambasadorin Bergner gjatë donacionit gjerman

Kronikë

Policia Federale e Gjermanisë dhuron 345 mijë euro pajisje për Kufirin, Institutin Shkencor dhe Departamentin e Krimit! Proda: Do ndihmojnë për luftën ndaj krimit të organizuar

14 Shkurt, 12:59| Përditesimi: 14 Shkurt, 13:08

  • Share

Policia Federale Gjermane dhe Zyra Federale Kriminale Gjermane (BKA), ka mbështetur me një donacion në pajisje dhe automjete me vlerë rreth 345 mijë euro, për Departamentin për Kufirin dhe Migracionin, Departamenti për Sigurinë Publike, Instituti i Policisë Shkencore dhe Departamenti për Policinë Kriminale.

Donacioni përfshin automjete, jelekë mbrojtës, laptopë, programe, pajisje për leximin e dokumenteve, komplete pajisjesh mbrojtëse, radio komunikimi dhe uniforma taktike.

Ceremonia e dhurimit u organizua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda dhe drejtues të lartë të Policisë, pritën ambasadorin e Gjermanisë Karlfried Bergner, i cili dorëzoi pajisjet dhe automjetet.

Proda shprehu mirënjohje për partnerët gjermanë dhe garantoi se pajisjet dhe automjetet e destinuara për sektorët kyç të Policisë së Shetit, “do të rritin dukshëm rezultatet e punës së tyre, përsa i përket rritjes së performancës dhe standardeve të policimit, si dhe progresimit të luftës kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve”. 

“Policia e Shtetit mbetet plotësisht e angazhuar për intensifikimin e bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese gjermane, me qëllim përmbushjen e objektivave të përbashkët”, tha ai. 

Kurse  ambasadori Bergner theksoi rolin e rëndësishëm të Policisë së Shtetit Shqiptar në ndërtimin e shtetit të së drejtës, i cili është qëllimi i anëtarësimit në BE. 

“Urat e konsoliduara të partneritetit ndërmjet policisë shqiptare dhe policisë gjermane janë ndërtuar me kontribut reciprok dhe duke pasur prioritet luftën e përbashkët kundër krimit”, tha Bergner.

Ambasadori garantoi se bashkëpunimi me Policinë e Shtetit do të vijojë të jetë konkret dhe direkt nëpërmjet donacioneve, trajnimeve, skuadrave të përbashkëta hetimore, shkëmbimit të metodave dhe praktikave, si dhe nëpërmjet operacioneve me impakt ndërshtetëror.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • tani: 14/02/2025 13:13

    jepini lek ktyne jepini,,kta dine si ti shpenzojne..kapele policesh gucci prada ,,hahahahah 150 euro i kapele ,,vetem keshtu loftohet krimi

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Produkte me pesticide, sa besim keni te siguria ushqimore në Shqipëri?