Federata Spanjolle e Futbollit (RFEF) shkarkoi të enjten dy drejtues, për të cilët tha se ishin të lidhur me një hetim korrupsioni prej shumë miliona eurosh, duke shtuar se rasti kishte shkaktuar "dëm shumë serioz" në imazhin e sportit në vend.
Pedro Gonzalez Segura, drejtor i shërbimeve ligjore dhe Jose Javier Jimenez, drejtor i burimeve njerëzore, janë shkarkuar nga postet e tyre, tha RFEF në një deklaratë.
“Federata Mbretërore e Futbollit Spanjoll ka hapur procedurat disiplinore dhe ka larguar nga detyrat dhe funksionet e tyre menaxherët në lidhje me çështjen ligjore që po shqyrtohet nga Gjykata”, shtoi RFEF në një deklaratë.
Federata gjithashtu ndërpreu një kontratë me këshilltarin e saj të jashtëm ligjor Tomas Gonzalez Cueto të GC Legal dhe ka anuluar kompetencat e tij për të përfaqësuar federatën në çështjet ligjore, së bashku me partnerin e tij Ramon Caravaca.
Të mërkurën policia kontrolloi selinë e federatës dhe një apartament që i përkiste ish-presidentit të saj Luis Rubiales, duke arrestuar shtatë persona si pjesë e një hetimi mbi korrupsionin e dyshuar që përfshin një marrëveshje për zhvendosjen e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite.
Një gjykatë spanjolle ka hetuar që nga qershori 2022 nëse Rubiales ka kryer një krim të menaxhimit të pahijshëm kur RFEF ra dakord me firmën Kosmos të ish-lojtarit të Barcelonës Gerard Pique për të zhvendosur turneun, tha një burim gjyqësor të mërkurën.
Në një intervistë me 'El Espanol' të publikuar të enjten, Rubiales tha se do të bashkëpunonte me hetimin.
"Unë kurrë nuk kam bërë asgjë të keqe. Unë do të përgjigjem për çdo gjë", citohet të ketë thënë ai.
Ky është skandali i dytë në më pak se një vit që trondit organin më të lartë të futbollit të Spanjës, që vjen pasi Rubiales u detyrua të dorëhiqej nga detyra për një puthje të pakërkuar në buzë ndaj lojtares Jenni Hermoso pas finales së Kupës së Botës për femra.
Tanimë në Spanjë mediet janë të sigurta se ndaj Rubiales është lëshuar një urdhërarresti ndërkombëtar.