TIRANË- Një operacion kundër lojërave të fatit u zhvillua mbrëmjen e djeshme në Tiranë dhe ka çuar në pranga 29 persona. Në fokus ka qenë goditja e subjekteve që kishin përshtatur ambientet për poker apo baste sportive online.
Siç shihet edhe në video, në momentin e ndërhyrjes të Forcën e Posaçme Operacionale dhe Forcën e Posaçme "Shqiponja", një pjesë e të arrestuarve janë ‘kapur mat’ në tavolinë ndërsa luanin poker. Operacioni i koduar ‘Bad spin’ u finalizua nga sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, nërsa një person tjetër është shpallur në kërkim.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar shuma parash të dyshuara të përfituara nga aktiviteti i paligjshëm i lojërave të fatit, 33 aparate celulare dhe pajisje të ndryshme kompjuterike që shërbejnë për ushtrimin e këtij aktiviteti të paligjshëm.
"Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, Forcën e Posaçme Operacionale dhe Forcën e Posaçme "Shqiponja", operacioni policor i koduar "Bad spin".
Gjatë këtij operacioni, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në inteligjencën policore, janë identifikuar subjekte si dhe shtetas, që kryejnë aktivitetin e paligjshëm të organizimit dhe përshtatjes së ambjenteve për organizimin e lotarive të palejuara (poker dhe baste sportive online), në zona të ndryshme të Tiranës.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në këto subjekte, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i 29 stetasve të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Gjithashtu po punohet për kapjen e shtetasit T. Sh. (L), i dyshuar i implikuar në këtë veprimtari", njoftoi policia.