114 mijë votues në 11 maj, fitojnë për herë të parë të drejtën për të zgjedhur. Por a do të shkojnë të rinjtë tek kutia e votimit? A i njohin ata politikanët dhe çfarë mendojnë për ta? Flasim me maturantë të gjimnazit “Qemal Stafa” në Tiranë.
Anja Muka ka mbushur 18 vjeç pak ditë para zgjedhjeve, kurse Mariglen Dida pak më herët. A është e drejta e votës mes gëzimeve të para të arritjes së moshës madhore?
Anja Muka: E para ishte patenta, pas saj e drejta për të votuar.
Mariglen Dida: Si çdo moshatar i imi, gëzova në fillim për patentën, pastaj votën.
Teksa flasin me njëri-tjetrin në palestrën e shkollës, maturantët i dëgjon të përdorin batuta të politikanëve.
Anja Muka: Mbase nuk jemi kaq seriozë kur flasim për këto tema, por i mendojmë dhe i flasim.
Mariglen Dida: I përdorim më shumë si shaka disa video që shohim në Tik Tok.
Anja dhe Marigleni do të shkojnë të votojnë në 11 maj, dhe rrëfejnë se bindjet i krijojnë nga media, por edhe nga familja.
Anja Muka: Kam parë promocionet e tyre, kam pyetur edhe familjarë sepse kam qenë e interesuar. Nëpërmjet rrjeteve sociale më së shumti, por edhe nga televizioni.
Mariglen Dida: Kam marrë informacionin e përgjithshëm, e di kush është zgjedhja më e mirë. Familja ka ndikuar, por edhe vetë i kam parë veprat e tyre.
Ata janë përdoruesit më të mëdhenj të rrjeteve sociale, e megjithëkëtë, janë kritikë për kandidatët që më shumë se sa për programe, ju sheshin votuesve video virale.
Anja Muka: Disa prej kandidatëve po bëjnë një punë të mirë, ata po takojnë qytetarët dhe po i pyesin se çfarë mund të përmirësojnë. Të tjerët që bëjnë ironi, mbase nuk është gjëja e duhur.
Mariglen Dida: Këto videot e fundit që kanë nxjerrë nuk besoj që janë shumë të bukura as për tu parë. Janë pak si fyese.
Anja Muka: Mendoj që është një temë goxha serioze për tu bërë diçka qesharake.
Mariglen Dida: Tallen me votuesin dhe me popullin që i dëgjon, duket sikur nuk e marrin shumë seriozisht.
Maturantët tek “Qemal Stafa” bënë një ushtrim se si votohet, dhe Anja e Marigleni, përmes mikrofonit të Report TV, nxisin votuesit për herë të parë të mos rrinë në shtëpi më 11 maj.
Anja Muka: Vota juaj vlen, secili duhet të votojë.
Mariglen Dida: Vetëm duke u bërë bashkë mund të sjellim ndryshimin.
Komente
