Policia në zgjedhje/ Braho: S’mund të jetë e paanshme, por mund të shmangë ndërhyrjen e krimit

5 Dhjetor 2020, 16:45| Përditesimi: 5 Dhjetor 2020, 16:55

  • Share

TIRANË- Pas 12 vitesh mungesë, policia do të rikthehet në qendrat e votimit, me kërkesën e PD për të pasur Policinë e Shtetit si një garanci të shtuar për zgjedhjet e 25 prillit. Avokati Ledio Braho, njëkohësisht anëtar i KQZ nuk mendon se policia do të ketë një angazhim të paanshëm, por beson se do të shërbejë për të shmangur përfshirjen e krimit të organizuar në zgjedhje.

 “Nuk besoj se do të ketë një angazhim të policisë së shtetit në mënyrë të paanshme, aq më tepër kur ët gjithë organet zgjedhore, duke filluar nga KZAZ-të, KQZ-të kanë përfaqësim politik nga të gjitha anët. Problem më i madh në zgjedhjet në Shqipëri është më shumë përfshirja e krimit të organizuar në zgjedhje. Një nga ndryshimet që mund të sjellë këtë herë është garancia që mund të jepet nga ndërhyrja e policisë së shtetit në zgjedhje duke parandaluar këto situata të jashtëligjshme", tha Braho.

25 prilli do të jetë më i kushtetueshëm ndër vite, kjo për shkak të përfshirjes së teknologjisë. Për Brahon, nëse identifikimi biometrik dhe numërimi elektronik do sigurojnë zgjedhje të ndershme, kjo faturë ia vlen të paguhet.

“Besoj se do ia vlejë shpenzimi. Në momentin që përfshihet një teknologji e tillë ka kosto, por duhet të kemi parasysh që pas 30 vitesh ka ardhur moment që në Shqipëri të ketë zgjedhje të ndershme, Nëse garantohet vota e lirë me këtë çmimin patjetër që është lëvizja e duhur dhe vendimmarrja e duhur", shtoi ai.

Përfshirja e policisë në qendrat e votimit, por dhe implementimi i teknologjisë kanë qenë dy kërkesat kryesore të opozitës jashtë Kuvendit nga Këshilli Politik. Një tjetër pikë për të cilën u dakordësuan në tryezë ishte dhe vota e emigrantëve e cila deri më tani ka mbetur vetëm në planin në letër.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?