Policia ka ngritur një postobllok pranë pikës kufitare të Kapshticës për të mos lejuar qytetarët të afrohen, pasi për sot, kuota për të kaluar drejt Greqisë është plotësuar. Gjithsesi, pavarësisht kësaj, raportohet se ka makina të cilat afrohen dhe i shtohen vargut të gjatë të radhës.
Ndërkohë sipas burimeve të 'Report Tv' pala shqiptare po negocion me atë greke për të toleruar mbi kuotën e 300 personave, por hë për hë kjo duket e vështirë.
Sakaq qytetarët të cilët po presin shprehen të shqetësuar se po u skadon tamponi: "Vij nga Durrësi dhe nga 2 e natës kam zënë radhën. Nuk e di a do kaloj sot. Do pres këtu sepse ndryshe humb vendin e punës nesër. Edhe tamponi mbaron nesër dhe më duhet patjetër të pres. Mua më duket se dy shtetet nuk bashkpunojnë. Do qëndroj këtu deri nesër, pasnesër, derisa të kaloj. Shteti shqiptar është në gjumë. Nuk kanë marrëdhënie me shtetin grek."
Një tjetër qytetar shprehet: "Unë vij nga Tirana. Smund të bëjmë asgjë, vetëm durim po bëjmë. S'na ndihmon asnjëri, jemi në pritje nga pala greke. Unë jam vetëm, por nëse je me familjarë është shumë e vështirë. Jam i pajisur me çdo gjë për të kaluar deri nesër në mëngjes, pastaj më digjen. Shteti shqiptar s'po na ndihmon."
Ndërkohë një tjetër deklaron: "Kam që nga ora 5 e mëngjesit që pres. Këtu është shumë nxehtë. Nesër në mëngjes më përfundon tamponi dhe më duhet të kaloj patjetër."
Lajmi kryesor:
Mbi 100 emigrantë mbeten të bllokuar në Kapshticë, presin sërish mëngjesin! Qytetarët: Nëse kthehemi mbrapsht, do paguajmë prapë
Ne.k.//ReportTv.al