Policia Rrugore bën bilancin/ Shpejtësi tej normave, alkool dhe celular në timon, pezullohen 162 leje drejtimi

16 Shtator, 11:33| Përditesimi: 16 Shtator, 12:08

  • Share

Gjatë javës që lamë pas, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, Policia Rrugore, ka shtuar masat në afërsi të shkollave në qendrat urbane, me qëllim respektimin e vijave të bardha, në drejtim të kontrollit të automjeteve që transportojnë nxënës etj.

Me anë të një njoftimi uniformat blu shprehen se kanë kryer kontrolle intensive në drejtim të parandalimit të drejtimit të automjetit në efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, për shpejtësi tej normave të lejuara apo për parakalime të gabuara, si dhe të shkeljeve të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.

Si rezultat i monitorimit në të gjitha akset rrugore, 24/7, duke përdorur mjete inteligjente poliskanë, radarë automatikë, dronë të cilësisë së lartë dhe dragera:

1. Janë pezulluar 162 leje drejtimi, për shpejtësi mbi normat e lejuara, për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit/në gjendje të dehur dhe për qarkullim në sens të kundërt;

2. Janë arrestuar 42 drejtues mjetesh, për drejtim të mjetit në gjendje të dehur dhe për drejtim të mjetit pa leje drejtimi.

3. Ndërkohë në të gjithë vendin janë vendosur 19 948 masa administrative, për një sërë shkeljesh të konstatuara, si shpejtësi tej normave të lejuara, parakalime të gabuara, përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit, mosvendosje të rripit të sigurimit, të drejtimit të automjetit në efektin e alkoolit, parkime të gabuara dhe mospërdorim të kaskës mbrojtëse nga ana e drejtuesve të motomjeteve etj.

Më tej policia u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes më rregullat e qarkullimit rrugor, t’iu japin përparësi këmbësorëve, të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të automjetit dhe të vendosin rripin e sigurimit.

Xh.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?