12 ditë nga humbja e thellë e zgjedhjeve, Sali Berisha nuk e ka ndërmend skenarin e dorëheqjes nga drejtimi i Partisë Demokratike.
“Zgjedhje të parakohshme, Qeveri teknike, kjo është kërkesa jonë. Misioni im mbaron ditën kur shqiptarët të votojnë të lirë”, theksoi Berisha.
Për humbjen, përgjegjësinë nuk e sheh as te vetja as te ekipi që drejtoi në 12 qarqe.
“Farsa nuk fitohet nga opozita. Çfarë do që të bëjë opozita”, tha kreu i PD.
Krahas Edi Ramës të cilin e akuzon se 28 deputetë i nxori nga ndikimi i krimit, fajtorin e humbjes së thellë të tij e sheh edhe te forcat e reja opozitare të cilat morën 4 deputetë në Kuvend.
“Këto forca, përveç Arlind Qorrit, morën deputetë sa Tom Doshi. Kjo shërbeu për t’i hequr opozitës të paktën 8 deputetë”, theksoi Berisha.
Se nuk do të njohë zgjedhjet e ka të qartë, por kur pyetet nëse në parlamentin e ri, do të pranojë 50 mandatet e fituara dhe bashkë me të tijtë do të ulet në Kuvend në shtator, Berisha ende ka dilema.
“Ne do votojmë vetëm ato ligje që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë në BE. Unë nuk thashë a do marrim apo nuk do marrim. atë e vendosin forumet”, tha Sali Berisha.
E vetmja dilemë që nuk ka, është që kur të kthehet këtë të enjte, bashkë me deputetët aktualë, nuk do të lejojë seancë të qetë.
“Lufta jonë nuk ndërpritet”, tha kryedemokrati
Për të vërtetuar farsën zgjedhore sipas tij në këtë konferencë të radhës Berisha nuk solli fakte dhe pretendime të reja. Denoncimin e fundit vetëm nga ekrani, për fenomenin e Trenit Bullgar në Pelisht të Peqinit, policisë iu desh vetëm 24 orë për ta rrëzuar duke thënë se fletët e votimit nuk ishin reale, por të falsifikuara.
Komente
