KORÇË- Policia ka vënë në pranga 3 persona të cilët akuzohen për dhënien e ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Ata u kapën duke transportuar 10 emigrantë të paligjshëm.
Dy prej të arrestuarve, gjatë ndjekjes nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të Policisë, por u kapën dhe ndaluan.
Në pranga ka rënë 29 vjeçari me iniciale A. K., banues në Divjakë, i cili në afërsi të vendit të quajtur "Kryqëzimi i Libonikut", Maliq, duke drejtuar mjetin tip "Volksëagen", i është bërë me shenjë nga policia që të ndalonte, por A. K. nuk i është bindur urdhrit të tyre për të ndaluar. Pasi janë vënë në ndjekje dhe bënë të mundur ndalimin e tij, gjatë kontrollit që forcat e Policisë ushtruan në mjetin e 29-vjeçarit, gjetën tre emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Gjithashtu u arrestuan 25 vjeçarja me iniciale F. V., banuese në Durrës dhe 24 vjeçari Dh. B., banues në Tiranë.
25-vjeçarja është konstatuar në lagjen nr. 3, Pogradec, duke drejtuar mjetin tip "Benz", nga shërbimet e Policisë, të cilët i kanë bërë me shenjë që të ndalonte, por kjo e fundit nuk iu është bindur urdhrit të tyre. Forcat e Policisë janë vënë në ndjekje të mjetit dhe kanë bërë të mundur ndalimin e saj në afërsi të fshatit Memlisht, ku brenda mjetit iu gjetën shtatë emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit, në bashkëpunim me Dh. B., iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec, për veprat penale "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim" dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik".