Pas konstatimit të automjetit të djegur ku u gjetën dhe dy armë zjarri në brendësi në afërsi të një impianti për përpunimin e inerteve, në Tapizë, policia sqaron se automjeti dyshohet të jetë përdorur për një ngjarje kriminale të regjistruar më 3 tetor.
Makina e djegur e tipit ‘Peugeot’ si dhe armët e zjarrit, dyshohet të jenë përdorur nga autorët që dy ditë më parë kanë qëlluar murin rrethues të banesës së Qazim Kukës, i cili jeton jashtë shteti. Nga të shtënat me armë zjarri janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Sakaq, hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
“Në vijim të informacionit të dhënë dje, ku në afërsi të një impianti për përpunimin e inerteve, në Tapizë, u gjetën dy armë zjarri automatike dhe një krehër, brenda një automjeti tip "Peugeot", të djegur plotësisht, bëjmë me dije se: Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky automjet dyshohet të jetë përdorur nga autorët e ngjarjes së ndodhur me datë 03.10.2025, në rrugën "Besim Cera", ku në murin rrethues të banesës së shtetasit Q. K. (i cili banon jashtë shtetit) janë konstatuar dëmtime të shkaktuara nga përdorimi i armës së zjarrit. Ngjarja e ndodhur është konstatuar ditën e djeshme pas hetimeve dhe verifikimeve intensive të kryera nga grupi hetimor. Punohet intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, njofton policia.
Komente
