Me dhjetëra turistë vizitojnë çdo ditë lumin e Shalës në Vaun e Dejës.
Varkat artizanale që u bllokuan gjatë muajit korrik nga policia për shkak se nuk plotësonin kushtet e sigurisë, sot lundrojnë lirshëm. Ndërsa një patrullë policie qëndron në gatishmëri në Koman për kontrollin e dokumentacionit.
Pronarët e varkave dhe të bujtinave thanë se aksioni policor ka dhëne efekt negativ në turizëm.
“Qysh që filloi aksioni thuajse ka patur reflektim rreth 80%, që nga dita e parë se është pjesa e Valbonës dhe pjesa e bujtinave të tjera. Hala është ai koncepti se shumë njerëz e kanë parë anulimin si diçka që ju ka ecur krejt keq. Ka pas probleme jo vetëm për Lumin e Shalës por edhe për Valbonën dhe Thethin sepse është diçka që vjen zinxhir”- tha ai.
Në Temal janë ngritur rishtazi bujtina, por sfidë mbetet plotësimi i kushteve për turistët, numri i të cilëve është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Një tjetër shqetësim është rruga e paasfaltuar nga Vau i Dejës deri në Koman.