Shqipëria dhe Serbia do të bashkëorganizojnë kampionatin europian të futbollit për moshën nën 21 vjeç në vitin 2027. Lajmi u konfirmua këtë të martë nga UEFA dhe ka marrë menjëherë vëmendjen e mediave europiane. Në një shkrim të saj e përditshmja “Politico” shkruan se bashkëpunimi vjen pavarësisht përplasjeve të përsëritura mes tifozëve të dy vendeve.
“Europianin e verës së kaluar, tifozët shqiptarë brohoritën për vrasjen e serbëve, duke nxitur një hetim nga UEFA, e cila përfundimisht i gjobiti të dyja skuadrat për shkelje të ndryshme. Shqipëria dhe Serbia kanë një histori të shtrirë deri kohët e fundit që ka përfshirë luftëra dhe mosmarrëveshje territoriale” – thuhet në shkrim.
Aty citohet edhe një deklaratë e Branko Radujko i Federatës Serbe të Futbollit që tha se aktiviteti do të ishte më shumë se një turne futbolli dhe do t’i “tregonte botës se çfarë është e mundur kur njerëzit fokusohen në një qëllim të përbashkët, të frymëzuar nga fuqia e futbollit”.
“Politico” citon edhe Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka që tha se turneu “do të jetë një katalizator për të thyer barrierat, për të rritur mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të krijuar një të ardhme më pozitive për popullin e Shqipërisë dhe Serbisë”.
“As deklarata, as UEFA-s, nuk iu referuan thirrjeve raciste dhe banderolave nacionaliste që prishën Euro 24. Finalet e Kampionatit Evropian U-21 mbahen çdo dy vjet, në vend të çdo 4 vjet si turneu i të rriturve. Aplikimi i përbashkët i Serbisë dhe Shqipërisë ishte oferta e vetme për të mbajtur eventin e vitit 2027” – nënvizon shkrimi.