Shtëpia ime ndodhet në një nga rrugët kryesore e më të populluara të Tiranës. Pardje, rrugës për në shtëpi në mbrëmje, rastisa një ngjarje interesante. Disa njerëz, të rinj gazmorë, por edhe të moshuar, bënin foto para lokalit, një lokal i ri, i sapohapur, me menu greke. Siç e shihni edhe në foto, para lokalit është një tavolinë e rezervuar për dy arushë. Njëri ngjyrë rozë, tjetri i bardhë. Përbri kanë emrat: Kiara, Luiz.
Të nesërmen, dmth dje në mëngjez, dola sërish në rrugë të shoh më shumë rreth këtij fenomeni. Ishin sërish aty, edhe “Kiara” rozë, edhe Luizi i bardhë… Çdo njeri e çdo makinë që kalon, nuk i shpëton dot kureshtjes për të parë arushët. Njerëzit aty kanë komente gjithfarësh. “Shih sa e mirë është”, thotë një vajzë dhe afrohet tek arushi rozë. “Ky është bob”, thotë djali tjetër që i afrohet arushit të bardhë. Nje grua tjetër e do foton në mes të dyve dhe merr pozicion fotografimi. “Hapni rrugën të kalojmë”, thotë dikush gati i inatosur me skenat aty. Kalon, por kokën nga arushët e kishte gjithsesi. Një tjetër, ndërsa bën foton: “Ke inat ti Olta”? E kështu, po të rrish më gjatë, sheh e mëson gjithë historinë që zhvillohet në këtë program televiziv, pa patur nevojë të kesh abonim në platformë. Unë nuk jam nga ata “modernistët a snobët” që “nuk e kanë parë asnjëherë e nuk dinë asgjë për këtë program” edhe pse po të ulesh në bisedë me ta, të japin informacion më të detajuar se mund të kesh ti…
Dihet tashmë se programe të tilla janë eksperimente sociale. Si të tilla, gjithkush në objeksionin e vet, e sheh për arësyet vetjake. Disa për kuriozitet, disa për afeksion personazhesh, disa për qëllime studimi, të tjerë për arësye personale. Gjithkush e ka një arësye. Në njëfarë mënyre, ajo shtëpi dhe ata njerëz, janë shoqëria apo Shqipëria në miniaturë. Ajo që stonon dhe që ka lidhje me seriozitetin e produksionit është fjala “VIP”. Nëse dikush që del 6-7 herë në televizion, duke mashtruar e tallur me publikun për famë e “K”, pastaj futet në program si VIP e që ky VIP a VIP-e fle e ha gjithë ditën e s’bën gjë tjetër, atëherë këtu ka një problem esencial të produksionit. Edhe ky është në vetvete një lloj mashtrimi. Po fundja, e thamë dhe më lart, Big-u është shoqëria në miniaturë e në këtë vend jetojnë edhe autorët e programit apo produksioni. Ja, seç mu kujtua tani Prof. Artan Fuga që tregonte para disa ditësh që librit nuk do ti ikë koha kurrë që prej mijëra vjetësh. Po i kujtoj dhe unë Profesorit të na shpjegojë këtë VIP-en e Big-Brother që tha në ligjëratë të drejtë: “Unë pas moshës 15 vjeç nuk kam prekur libër me dorë dhe megjithatë, i kapja mësimet, kam dalë me mesatare 9.5”… Duart në kokë!!! Të rrofshin prindërit që s’të detyruan të lexoje, të rrofshin shoqëria që të rrethon, të rrofshin mësuesit që të vunë dhjeta pa prek libër me dorë VIP-e, e më në fund na rroftë produksioni për VIP-en që ka!
E megjithatë, më mirë të shohim këta se politikanët, thonë. Dhe mirë e kanë. Politika është një shembëlltyrë më origjinale e një Big-Brotheri. Ai nuk zgjat disa javë. Ky zgjat prej 32 vjetësh në Shqipëri. Një politikë e shëmtuar që është zvarritur e njëjta, me të njëjtët banorë e liderë që na mbinë në derë si rrodhe. Shikoni sa ngjajnë, por dhe sa kontrast kanë dy shtëpitë e Big-ut, ajo televizive dhe kjo politike. Shihni parlamentin, si ata që kemi zgjedhur të na përfaqësojnë, e shndrrojnë tempullin e legjislativit në kaos, ku duket se e vetmja punë që dinë të bëjnë është të mos merren vesh me njëri tjetrin. Ose, e vetmja punë që dinë të bëjnë, është ti bien me dorë tavolinave dhe kështu, siç tha Berisha, pas disa ditësh ta hedhim Ramën në Lanë… Ja, krahasoni tani dy shtëpitë, televizive e politike dhe shihni të vërtetën lakuriq: a nuk ju duket Luizi e Kiara si llokum me arra?!…