Politika dhe bojkoti, pjesë e zgjidhjes apo probleme për t’u zgjidhur

28 Mars 2019, 16:21| Përditesimi: 28 Mars 2019, 16:29

  • Share

Ka të paktën dy të vërteta që konkurojnë dhe plotësojnë njëra-tjetrën në peisazhin gjithmonë e më kaotik të krizës shqiptare.

Republika parlamentare e kushtetutës së vitit 98-të përfundimisht  ka rënë.

 Klasa politike e improvizuar tre dekada më parë, bashkë me shumicën dërmuese të prurjeve të reja, ka dështuar në mënyrën më dramatike të mundshme.

Kushtetuta që premtonte se me të fillonte e ardhmja e vendit, me arnimet e vazhdueshme, ndryshimet e improvizuara dhe ndërhyrjet e pa studiuara sipas interesit të çastit politik, ka humbur frymën e thelbin e saj. Ajo është denatyruar dhe shfytyruar në parimin kryesor që e ka sendërtuar dikur: në kontrollin dhe ekuilibrin e pushteteve.

Shqipëria nuk është Republikë Parlamentare. Vendi është një shtet tipik presidencial, në të cilin, forcën dhe fuqinë e ka vetëm institucioni i kryeministrit.

Dje Sali Berisha, sot Edi Rama dhe nesër kushdo që do të jetë kryeministër, për shkak të kushtetutës së ronitur nga ndryshimet, është njeriu me të gjitha atributet e pushtetit të pakontrolluar. Ligji zgjedhor ka vrarë zgjedhjet dhe e ka shndërruar Parlamentin, pushtetin legjislativ, në vendpunën e nëpunësve gjithmonë e më mediokër, të cilëve ju mjafton si kualifikim edhe vetëm aftësia për t’i thënë “Si urno shefo!” kryeministrit/kryetarit/kryetarëve të partive. Shqiptarët nuk votojnë më dhe ky është fakt. Ata thirren në kutitë e votimit vetëm për të noterizuar vullnetin e kryetarëve të partive, të shprehur nëpërmjet listave që ata propozojnë.

Largimi i opozitës nga Kuvendi, zëvendësimi i tyre nga një rradhë e dytë individësh, gjithashtu pothuaj të panjohur e shumë shpesh edhe totalisht qesharakë, dëshmon rrëzimin edhe moral të parlamentarizmit.

E vërteta tjetër ka të bëjë me dështimin në bllok të klasës politike në vend. I asaj polifotoje tragjikomike blu e mavi, të trashëguar nga viti i largët 91, por edhe shumicës së prurjeve të mëpasshme, që gjithashtu në shumicë, janë një kopje e keqe e fytyrës më të keqe të së parës.

Vit mbas viti, me shkak dhe pa shkak, me arsye dhe pa arsye, klasa politike në Shqipëri nuk ka qeverisur, por është qeverisur nga vullnete që nuk kanë pasur të bëjnë me të. Ka prodhuar vazhdimisht kriza ciklike duke dëshmuar një paaftësi tronditëse në mungesën e seriozitetit dhe profesionalizmit të saj.

Nuk ka parashikuar, por ka korrigjuar, nuk ka parandaluar, por është marë me faktin e kryer, nuk ka shëruar, por ka organizuar funerale.

Të pabesueshëm e të urryer në publik, gjithmonë e më të distancuar nga Shqipëria reale dhe pa e kuptuar fare Shqipërinë reale, të zhytur në korrupsion të frikshëm, pa vision e idealizëm, megalomanë e llogaritarë meskinë interesash vetjake, vanitozë të vetëkënaqur dhe mashtrues recidivistë, të papërgjegjshëm në veprime dhe përgjegjës për instalimin e kulturës së pandëshkueshmërisë në vend, shumica dërmuese e atyre që paguhen si politikanë, konkurojnë me ligësinë dhe paaftësinë si dy tiparet që i bashkon ata pa dallim në një parti të vetme.

Përjashtimet e rralla, politikanë normalë, vetëm sa e bëjnë më të dukshme këtë perisazh ulëritës e të dëshpëruar.

Në këtë kohë krize, optimistët shpresojnë tek reforma në drejtësi, ndërsa skeptikët pranojnë se shqiptarët nuk dinë të qeverisin dhe ju besojnë këmbët e tyre rrugëve të botës.

Zgjidhja e krizës nuk kalon nga bojkoti. Zgjidhjet e mundshme do të ndërlikohen edhe më tej dhe do të transferojnë një faturë edhe më të madhe tek opozita nëse ajo refuzon zgjedhjet.

Zgjidhja nuk vjen as nëpërmjet forcës së rrugës që propozon opozita e pasinqertë dhe as nga tonet fundore të maxhorancës triumfaliste për zgjedhje në 2021-shin.

As njëra palë dhe as tjetra nuk janë në gjendje të gjejnë të vetme rrugëdalje nga kriza. Sepse ato janë tashmë vetë problemi që duhet zgjidhur.

Me të gjitha gjasat, e vetmja shpresë mbeten dhe njëherë si përherë partnerët ndërkombëtarë. Me të gjitha gjasat ata e sodisin me habi herë pas here fshatin tonë të vogël që megalomanëve tanë lokalë ju duket më i madh se gjithë bota dhe kuptojnë se Shqipëria për momentin ka ndërtuar një demokraci të dështuar. Për një koinçidencë të kalendarit, por jo vetëm për këtë arsye – Brukseli shkon në zgjedhje në maj – mbetet vetëm shpresa tek një diktat amerikan për të zgjidhur nyjet e lidhur keq në Tiranë. Zgjidhja do të ishte e plotë vetëm nëse më pas do të arrihej edhe kthjelltësia minimale për të bërë një reformë serioze kushtetuese. Çka mund të risjellë dhe njëherë rëndësinë e votës së qytetarit, si të vetmin mjet e mekanizëm të demokracisë për të ndryshuar pushtete dhe për të ndëshkuar shpërdorues pushtetesh.

Deri atëherë do të rrjedhë shumë ujë nën urat e Lanës. Duhet pritur se cila palë do të lodhet e para, opozita në rrugë që kërkon rrëzimin e qeverisë apo qeveria që shkon në punë mbas perdes së gazit lotsjellës.

Qershori është një stacion i parë, vjeshta me siguri do të vijë me supriza të hidhura, të cilat për disa do të jenë të rënda e asfiksuese si kutërbim tualeti burgu.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?