Foto ilustruese

Politika mesazhe urimi për Krishtlindje! Meta: Qëndroni në shtëpi! Basha: Vit i vështirë, por pas errësirës vjen drita! Ruçi: Të lëmë mënjanë konfliktet

24 Dhjetor 2020, 18:42| Përditesimi: 24 Dhjetor 2020, 19:52

  • Share

TIRANË- Ceremonia e celebrimit të Lindjes së birit të Zotit është për të krishterët një moment i veçantë, që shoqërohet me shumë urime për paqe, harmoni dhe dashuri mes njerëzve.

Presidenti Meta kërkoi që njerëzit të qëndrojnë më pranë familjeve të tyre, si një shprehje e dashurisë në kohë pandemie. Ai u përcolli një urim të veçantë mjekëve, infermierëve dhe të gjithëve që nuk kanë mundur që këto Kritlindje t'i festojnë në shtëpi pranë familjes, por janë në krye të detyrës.

Kryedemokrati Lulzim Basha tha se ky ishte një vit i vështirë për shqiptarët, por shtoi se e ardhmja duhet të shihet më me shumë shpresë.

Në këtë ditë të veçantë për besimtarët e krishterë, kryeparlamentari Ruçi tha se ky është momenti i duhur për të na nxitur drejt idealeve e modeleve më të mira.

Ora 19:01
Kryemadhi dhe Malaj në Katedralen e Shën Palit në Tiranë, nuk mbajnë maska!

1608833127_monika.jpg

Në meshën e mbajtur ditën e sotme në Katedralen e Shën Palit në Tiranë ishte e pranishme edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi me vajzën e madhe Bora Meta si edhe ish- deputetja e Nora Malaj. Ajo që vihet re është ato nuk janë të pajisura me maskë, kjo sepse edhe Kryemadhi dhe Malaj e kanë kaluar COVID, edhe pse nga ekspertët rekomandojmë që maska duhet të mbahet gjithsesi.

Ora 18:52
Meta: Qëndroni në shtëpi këtë Krishtilindje, forma më e lartë e shprehjes së dashurisë!

Presidenti Ilir Meta urimin e tij për Krishtlindje drejtuar besimtarëve katolik e ka bërë me një mesazh, të qëndrojnë në shtëpi dhe të festojnë!

Kjo sipas tij, është mënyra më e mirë për të treguar dashurinë ndaj tyre, teksa ka pasur një urim të veçantë për ato që në këto Krishtlindje nuk festojnë dot pranë familjarëve të tyre, por janë në punë.

"Krishtlindja, është një ditë e veçantë, e shënuar për besimtarët e krishterë dhe një festë e bukur për mbarë popullin shqiptar. Le t’i gëzohemi afërsisë, ngrohtësisë dhe atmosferës së mrekullueshme familjare, që krijon Krishtlindja, për të ndarë me të dashurit tanë urime zemre, që burojnë nga shpirti, në veçanti për më shumë shëndet, lumturi, mirëqenie e begati.
Për shkak të pandemisë COVID-19, festimet tona këtë vit nuk janë aspak ato që do kishim dashur të ndodhnin. Mendimet dhe lutjet tona në këtë vigjilje Krishtlindje shkojnë në radhë të parë për ata, të cilët kjo fatkeqësi e rëndë i ndau përgjithmonë nga familja, të afërmit dhe të dashurit e tyre!
Është jetësore, që secili prej nesh, të marrë përgjegjësi të lartë personale dhe njerëzore, që këtë Krishtlindje, të kufizojë veprimet që mund të përhapin COVID-19, duke qëndruar në shtëpi, si rruga më e mirë për t’ju shprehur dashurinë më të shtrenjtëve tuaj.

Qëndroni në shtëpi këtë Krishtilindje! Qëndroni pranë familjes suaj! Kjo është sot forma më e lartë e shprehjes së dashurisë për jetën, të afërmit dhe për miqtë tuaj. E di që nuk është e lehtë, ndaj kërkohet solidaritet e mirëkuptim nga të gjithë, për të pranuar këtë realitet të ri, në jetët tona. Urimet e mia më të ngrohta, për shëndet të plotë dhe jetë të gjatë, shkojnë sot për të gjithë të prekurit nga COVID-19, veçanërisht për të shtruarit në spitale, që këtë Krishtlindje do ta festojnë larg të afërmve të tyre.

Nuk duhet të ndiheni vetëm! Konsiderojini mjekët dhe infermierët, familjarët tuaj, sepse janë ata që kujdesen çdo ditë për shëndetin Tuaj. Kjo është një sprovë, që duhet ta kaloni me guxim e kurajë, në emër të jetës dhe familjes tuaj. Një urimi zemre kam për të gjithë punonjësit e sistemit të shëndetësisë, për mjekët, infermierët, sanitarët dhe personelin mbështetës, në vijën e parë të përballjes me COVID-19, duke i falenderuar njëkohësisht për sakrificat, përkushtimin, qëndresën dhe forcën, që po na dëshmojnë çdo ditë në këtë luftë aspak të lehtë.

Gëzuar të gjithë nëpunësve publikë, të cilët këtë Krishtlindje nuk do të jenë pranë familjeve të tyre, por në shërbimin tonë.Le të shërbejë kjo Krishtlindje për të gjithë ne, si një moment reflektimi, për të forcuar solidaritetin, humanizmin dhe dhembshurinë, në veçanti ndaj të moshuarve, të vetmuarve dhe njerëzve në nevojë, si dhe të rikthejmë shpresën tek të rejat dhe të rinjtë e mrekullueshëm, për të mos ta braktisur më Atdheun tonë, për mungesë besimi dhe mundësish. Me shumë dashuri, përulësi, pa egoizëm dhe arrogancë acaruese, pa lakmi, zhurmë dhe fjalë të kota, t’u shërbejmë qytetarëve dhe të transmetojmë mirësi e shërbim nga njëri tek tjetri, në të gjithë shoqërinë dhe Shqipërinë tonë të dashur, familjen tonë të përbashkët. Urim të veçantë kam sigurisht për yjet më të bukur dhe të shndritshëm të kësaj Krishtlindje, fëmijët, veçanërisht ata të cilët lindin këtë vigjilje, si dhe për prindërit e tyre të mrekullueshëm, që sot festojnë disafish më shumë se ne", shkruan Meta.

 

Ora 18:24
Basha uron besimtarët për Krishtlindje: Kaluam një vit të vështirë, por pas errësirës vjen drita

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka uruar besimtarët katolikë për Krishtlindje. 

"Të dashur besimtarë të krishterë, ju uroj nga zemra Krishtlindje të Gëzuara!

Kjo Krishtindje nuk është e zakonshme. Gjatë këtij viti kemi kaluar vështirësi të mëdha, kemi përjetuar dhimbje dhe ndarje fizike dhe kemi ndjerë mall për më të dashurit tanë. Por në të njëjtën kohë, kemi patur mundësi të shohim më qartë ku jemi dhe çfarë duhet të bëjmë për të ndryshuar realitetin tonë. Le të shohim me shpresë përpara, sepse siç thuhet edhe në librat e shenjtë, pas errësirës vjen drita. Si një familje e madhe të ndërtojmë me dhembshuri dhe kujdes për njëri-tjetrin të sotmen dhe të nesërmen tonë.Gëzimi i kësaj nate i mbushtë zemrat tuaja e Zoti na udhëheqtë drejt së nesërmes më të mirë e më të begatë për të gjithë shqiptarët. Gëzuar dhe Krishtlindje të bekuara", shkruan Basha. 

 

Ora 17:33
Krishtlindje/ Kryeparlamentari Ruçi mesazh urimi: Të lëmë mënjanë konfliktet, diferenca dhe dallimet janë fuqia jonë

1606382728_Sequence03.00022705.Still013.jpg

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, përmes një mesazhi ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë dhe të gjithë shqiptarët me rastin e Festës së Krishtlindjes.

Ruçi shprehet se festa e Krishtlindjeve është çasti i duhur për të na nxitur drejt idealeve e modeleve më të mira që aspirojmë në jetët tona: mendjehapjes e bujarisë, afeksionit dhe vetëpërmbajtjes, largimit prej veseve dhe afrimit me virtytet.

"Në ditën e bukur të Festës së Lindjes së Krishtit, u uroj besimtarëve të krishterë dhe të gjithë shqiptarëve shëndet dhe lumturi në vatrat familjare. Është i dyti vit që shqiptarët dhe i pari dhjetor që besimtarët anembanë globit nuk e festojnë Krishtlindjen siç do të dëshironin. Tërmeti i 26 nëntorit na detyroi për një kohë të rrinim me ankth në shtëpitë tona dhe fëmijët të luanin jashtë tyre, ndërsa pandemia na detyroi të mbylleshim në shtëpi dhe të kufizohemi nga gëzimet e jetës. Uroj që këto të jenë kufizimet e fundit të festave dhe jetëve tona. Nga mot, do festojmë të gjithë bashkë dhe emigrantët do të vijnë lehtësisht te të afërmit dhe atdheu i tyre.

Mesazhi i Krishtlindjeve është më i fuqishëm dhe më domethënës se asnjëherë në jetën e brezave që sot festojnë: familja, besimi, ndihma, solidariteti, mirënjohja, komuniteti, përkushtimi dhe mirësia janë sfiduesit më të mëdhenj të pandemisë. Pas muzgut që shkaktoi pandemia, po agon drita që vjen prej dashurisë, forcës njerëzore dhe dëshirës për jetën. Te fuqia dhe bukuria e besimit të zbulojmë bukurinë e dashurinë njerëzore.

Le të vazhdojmë t’i nxjerrim jashtë jetëve tona armiqësitë, konfliktet, individualizmin, egoizmin dhe teprimet dhe t’i kushtohemi mbrojtjes së jetëve njerëzore. Pasioneve dhe egocentrizmit t’u kundërvëmë përkushtimin për të ndihmuar, shëruar, shërbyer e shpëtuar jetë.

Diferencat e dallimet midis nesh nuk janë rreziku ynë, por burimi i fuqisë sonë dhe i pasurisë së shoqërisë, pjesë e mozaikut të vlerave tona. Dashuria për tjetrin, nevojtarin e të ndryshmin; harmonia e paqja me ata që na rrethojnë; gëzimi i jetës dhe i fëmijëve; shpresa se nesër gjithçka do të jetë më mirë; janë sot kuarteti i vlerave që duhet të na udhëheqin.

Festa e Krishtlindjeve është çasti i duhur për të na nxitur drejt idealeve e modeleve më të mira që aspirojmë në jetët tona: mendjehapjes e bujarisë, afeksionit dhe vetëpërmbajtjes, largimit prej veseve dhe afrimit me virtytet. Festa e Krishtlindjeve është mundësia për të nderuar edhe njëherë mjekët, infermierët dhe të gjithë ata që janë në vijën e parë të betejës për mbrojtjen e jetëve", thuhet në mesazhin e Ruçit.

Ora 16:05
Meta në prag të Krishtlindjeve: Fëmijët me nevoja të veçanta të përkrahen jo vetëm për festa, duhet të nxitim një ndjenjë më të fortë të solidariteti

Në prag të Krishtlindjeve, presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka vizituar Qendrën Shqiptare për Integrimin e Njerëzve me Nevoja të Veçanta në Elbasan, ku ka takuar fëmijët ka kaluar kohë me ta dhe ka ndarë dhurata.

Këtë vizitë presidenti e ka bërë me dije përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ku edhe theksoi se  këta fëmijë edhe familjet e tyre nuk duhet të ndihen të përkrahur vetëm gjatë festave por gjatë gjithë vitit sidomos në këto kohë të vështira që po jetojmë për shkak të pandemisë.

Meta ne fund ka shprehur se duhet të nxitet më tepër fryma solidare dhe vullnetarizmi në mënyrë që këta fëmijë të integrohen plotësisht në shoqërinë tonë.

“Elbasani, ju uroj edhe të gjithë fëmijëve të Shqipërisë, të kalojnë sot një mbrëmje sa më të gëzuar festive Krishtlindjeje”, shtoi ai.

 

Ora 11:19
Fotolajm/ Vigjilje Krishtlindjesh, Manastirliu: Mjekët e infermierët në krye të detyrës! Forca skuadrës së palodhur të spitalit COVID4

Pavarësisht se jemi në vigjilje të Krishtlindjeve, mjekët dhe infermierët janë në krye të detyrës si në përballimin e betejës së COVID ashtu dhe të sëmundjeve të tjera.

Ministrja Ogerta Manastirliu ka publikuar në faqen e saj në Facebook, një foto të mjekëve në spitalin COVID 4.

"Edhe në këtë vigjilie Krishtlindje, si çdo ditë, mjekët dhe infermierët janë në krye të detyrës, në përballje me armikun e padukshëm. Forca skuadrës së palodhur të spitalit COVID4" - shkruan Manastirliu.

Spitali COVID 4 ndodhet në aksin Tiranë- Durrës ku kapacitetet spitalore janë shtuar me 100 shtretër duke vënë në dispozicion edhe strukturën e dedikuar COVID 4 për trajtimin e pacientëve. COVID 4 pret pacientët e përmirësuar pas trajtimit në 3 spitalet COVID. z.tosku

 

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • ymeri: 25/12/2020 18:54

    SHARRABAJGAVE AS KOVIDI NUK I AFROHET,,PTU,PTU,,...

    Përgjigju
  • Tirona: 24/12/2020 19:50

    Mund te jem gabim, Monika me duket se eshte e fese Myslimane , cpune ka ajo duke mare pjese ne ceremonine e Krishtlindjes. Asaj , si lidere e nje Partie i takon te uroje te gjithe krishteret nga ana e ekranit te TV dhe jo te shkoje dhe te futet ne ambjetet e fese qe nuk i perket, po me habit sjellja e saj,kete se kemi pare ndonjehere te shkoje brenda ne xhami ne diten e festes se Bajramit dhe na shkon ne mese ne diten e krishtlindjeve, apo mos kerkon vota nga besimtaret katolik.....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?