Në një portal, në harkun e një dite ishin botuar dy lajme që kishin lidhje me kronikën dhe më saktë me punën e policisë. Shkrimi i parë bënte fjalë për shmangien e një tragjedie në Shkozet, ku një biznesi i ishin vendosur 33 kallëpë tritoli dhe që fatmirësisht nuk arritën të shpërthejnë. Policia më vonë kish bërë shërthimin e detonimit në formë të kontrolluar. Lajmi i dytë kishte të bënte me kapjen në flagrancë dhe procedimin nga dy policë të një çifti të rijsh në makinë që po bënin seks oral. Çuditërisht në grafikun e shikueshmërisë nga lexuesi, lajmi i dytë ishte shumë e shumë më lart se i pari. Ndonëse në rastin tritolit në Shkozet, kjo hyn tek aktet terroriste dhe se shpërthimi i saj do të kish efekt jo thjesht tek biznesi i kërcënuar por dhe tek banorët rreth saj. Rasti konkret duket si shembull konkret se sa indiferentë dhe sipërfaqësorë po shndërrohemi si shoqëri, se si po trashet pandjeshmëria kur bëhet fjalë për çështje që janë të prekshme dhe ndikuese në komunitetin tonë, në lagje, qytet, fshat apo në shkallë vendi. Ca më keq akoma kur në emër të së mirës së përgjithshme, në emër të shoqërisë pra, abuzohet nga mjeshtra të caktuar që kanë axhendë tjetër të interesave të tyre. E keni vënë re që çuditërisht një problematikë sociale, bëhet lajm veçse kur ajo pjesë e daklaratave të figurave politike? Nëse do të ishte thjesht për interesin qytetar, natyrisht që është e mirëpritur, pasi në këtë vend ka plot fenomene që duhen denoncuar, por nëse kjo është thjesht për përfitim politik dhe që ka si objektiv thjesht të nxijë me çdo mjet kundërshtarin duke hedhur baltë me tepri dhe atje ku balta nuk do ngjisë për shumë kohë, kjo nuk është ndihmë për qytetarin dhe shoqërinë. Dhe ska si të jetë ndihmuese kur në kushte të tjera, kur të njëjtët politikanë kanë qenë në pushtet kanë dhunuar brutalisht të tjera të drejta qytetare e me pasoja të rënda për ekonominë, mjedisin, pronën dhe të drejtën.
Ndoshta ky lloj standarti i dyfishtë në lidhje me të drejtën e akuzës dhe të besueshmërisë së saj ka sjellë pikërisht trashjen e këtij indiferentizmi shoqëror për çështjet e jetës së përditshme dhe që na ndikojnë të gjithëve. Reagimet e ekspertëve për çështjet komunitare bëhen gjithmonë e më të rralla pikërisht se shumë pak merren në konsideratë, e si të tilla pak vend gjejnë si kauza të regimit qytetar. Gjithçka ka mbetur në reagime politikanësh që gjithësesi mbeten në kuadrin e pëlqyeshmërisë së idhtarëve të tyre partiakë dhe pa një ndikim konkret tek qytetari i paanshëm që e ka ndërtuar jetën e vet pa u varur e mbështetur nga politika. Rasti i zjarrvënies se Sarajeve në qendër të Tiranës për qëllime të pastra të përfitimit nëpërmjet ndërtimit pavarësisht se zjarri do ti jepte fund një prej monumenteve të pakta të trashëgimisë kulturore të mbetur në Tiranë, ishte shembulli më i keq kur politika tenton të nxjerrë gështenja nga zjarri i piromanëve duke ia përcjellë flakën dhe katranin opinionit publik. Pa u shuar ende zjarri nga zjarrfikësit në godinën 18 pronarëshe e të lënë prej kohësh pas dore, ndoshta për këtë ditë, në protale nisi një tjetër zjarr i frymëzuar nga opozita që kish rënë në heshtje prej kohësh, e tulatur prej problemeve të saj e duke lëpirë ende plagët e humbjes së 25 prillit. Çështja e trashëgimisë kulturore kryeqytetase u shndërrua forcërisht në çështje politike, ku dhe pishtari i zjarrit u vu në duart e përfaqësuesve të maxhorancës si pjesë e pazarit për të ndërtuar kulla në vend të objektit të trashëgimisë. Nëse do të kish dhe një të dhjetën e një akuze të tillë, kjo do të ish vërtet e rëndë dhe me të drejtë do kërkohej reagimi qytetar. Por kur i gjithë ky lumë akuzash vijnë kaq shpejt, sa dhe zjarri nuk ish shuar ende, kur verifikimet e hetimi ska nisur, madje dhe zjarrvënësi ska hequr akoma dorezat, të bën të mendosh për fenomenin e njohur të shashkave me frymëzim politik. Për më tepër kur sheh se vala e shtrembërimeve në median e portaleve nuk resht as kur kryetari i bashkisë deklaron se as mund të mendohet se do të ketë ndërtim, ndërsa objekti do të merret në ruajtje për ta ruajtur nga piromanët. Veçse piromanë nuk janë vetëm ata që synojnë ta bëjnë fakt të kryer sheshin e ndërtimit. Piromane është dhe politika që tenton të ndezë zjarre për kullota elektorale. Në të dy rastet, të dyja palët janë po aq fajtorë dhe të rrezikshëm për shoqërinë dhe vendin. Nuk ka asnjë ndryshim kur i vihet zjarri një pylli për të siguruar një shesh ndërtimi aty nuk nuk mund të marrësh leje mjedisore, me atë që i vë zjarrin opinionit publik për të siguruar vota nesër, ashtu si çobani që ndez malin veç për interes të kopesë së tij.
Nëse i referohemi historisë së vonshme, zjarrvënia mbi objekte për të përfituar më vonë shesh ndërtimi për kulla që do të kënaqte si pronarët dhe ndërtuesit, është fenomen që ka ndodhur dhe më parë në kryeqytet. Shumëkujt i kujtohet zjarri që përfshiu shkollën Kosova në rrugën e Elbasanit. Ajo u shkrumbua me themel dhe pritej që një ditë aty do të shfaqeshin makineritë e ndërtimit për kullën që përflitej se do ngrihej. Makineritë në fakt erdhën një ditë, porse aty u ngrit një shkollë e re, më e bukur dhe më e madhe e që mban sërish emrin Kosova. Dhe ishte pushteti vendor i po kësaj maxhorance që nuk lejoi ndërtimin e kullës por i ridha kryeqytetit shkollën Kosova. Atëherë kë duhet të besojmë ndërsa po nga ky pushtet vendor deklarohet se Sarajet, si monument i kategorisë së veçantë i trashëgimisë kulturore, do të rikthehet në identitet për të qenë gur i çmuar i fytyrës së Tiranës së vjetër që më së shumti është humbur. Kush nuk mund të besohet janë piromanët, e çfarëdo kategorie qofshin, politike apo ndërtimore.
Dikur në Vlorë, në vitet 20 bashkia e qytetit bleu sarajet e Vlorajve, aty ku ish ngritur dhe flamuri për shpalljen e pavarësisë. Veçse bashkia e dikurshme e Vlorës nuk i bleu për ti restauruar, por për ti shembur e për të krijuar hapësirë publike. Kështu sot vendit i mungon godina e Flamurit si simbol i pavarësisë dhe fillimit të shtetit shqiptar. Por përveç vlerës simbolike, Vlora ka humbur kështu dhe një atraksion turistik që sot do të kish një vlerë të madhe. Rasti i mësipërm vlen për të kuptuar se çfarë mund të humbim por dhe të fitojmë nga vendimet që merren prej pushtetit. Vënia në dispozicion të trashëgimisë së kryeqytetit të Sarajeve që i shpëtuan për fat zjarrit të qëllimshëm duket se mbetet e vetmja mënyrë për të shpëtuar atë pak që ka mbetur nga trashëgimia kulturore e vendit. Natyrisht duke rregulluar dhe ligjin për çmimin për kompensimin e pronarëve, që jo rrallë herë kanë dalë të humbur nga shpronësimet e deritanishme./ Gazeta "Fjala"
Ore zoteri se kush ve flake (prona afer kulles se sahatit), rruspen ne 4 te mengjesit (teatri), gaz lotsjelles ndaj qytetarit te ketij vendi (bregu i lumit, astiri) e di gjithe Tirana dhe Shqiperia po ty nuk ta mban ta thuash pavaresisht se e ke me video prove para ekranit! Opozita mire keq ngelet opozite aty do rrije ska ku te shkoje dhe ska ca te vendosi per drejtimin e vendit! Shiko ata na krye qe do bejne 25 vjet ne pushtet qe nga 1999 dhe s'ben hajer pervec se importojme serb tallavaje dhe burra me fustane nga Lindja e Mesme. Keto shikoji mire!
Përgjigju