Kuvend

Politika s’ka moral, por kjo jona s’ka edhe logjikë

27 Korrik, 22:36| Përditesimi: 27 Korrik, 22:37

  • Share

Ndryshimi i ri në Kodin Zgjedhor e ka ngazëllyer politikën e dy krahëve. Megjithë tonet “e ngritura” nga ana e opozitës në fund është miratuar dokumenti, që kushtëzon listat zgjedhore me 1\3 e kandidatëve, që zgjidhen nga kryetarët. Paçka se çfarë u tha për vitin 2008, marrëveshja është më e fortë sot, që Berisha është i mbyllur në shtëpi me masë arresti, ndërsa Rama vazhdon angazhimet ndërkombëtare me një axhendë, që mund t’ia ketë zili çdo funksionar i vendeve të fuqishme, që merret ekskluzivisht me politikat e jashtme.

Ashtu si pritej dhe parashihej, PS dhe PD, dy partitë e mëdha, do kenë mundësi që brenda një liste, që përbën një numër bajagi të madh të të afërmve (lexo shtojcat), besnikëve të kryetarit të vendosë një grup deputetësh, që 100% do jenë fitues. Njeriu i thjeshtë kupton me këtë rast dhe nga përcillet niveli i legjislaturave tona, por edhe faktin se pse performanca e legjislaturave të fundit është aq e dobët për të mos thënë katastrofale. Shembujt janë tej groteskut me deputetë që nuk dinë të lexojnë fjalimet, me tollovinë qesharake dhe bashkëpunimin njëzëri për rrogat e tyre!! Pak logjikë është kërkuar me kohë që partitë të rrisnin cilësinë e ideologjisë që përfaqësojnë, megjithëse publiku e di mirë, që partitë tona janë thjesht elektorale dhe më shumë se ideologjia u duhet një dokument programi për të justifikuar organizimin politik dhe votat e ditës së votimit. Prandaj, përpjekja më e madhe e individëve që duan karriera politike është  të futen në suazën e pëlqimit të kryetarit, të artikulojnë si ai (mundësisht ta imitojnë dhe me gjestikulacione: Shiko Nokën dhe të tjerë te PD dhe po kaq te PS me Spiropalin si arketip), t’i tundin palmën rehatimit të tij. Nuk ka rëndësi dinjiteti dhe çdo gjë tjetër, që pason kanonet morale. Për hir të së vërtetës, politika nuk ka moral, por ne si demokraci e re e duam dhe e ushqejmë ende gënjeshtrën e demokracisë së kulluar. Qysh në korrikun e vitit 2024 çdo njeri mund të gjykojë lehtë për legjislaturën e vitit 2025 dhe atë që do t’i bëjnë vendit personazhet e zgjedhura (lexo të rizgjedhura), që kaluan dhe vetë groteskun me kinse justifikimet dhe ruajtjen e një domeni politik, që mund ta përkthesh në një bunker politik, i cili nuk mund të depërtohet.

E pasens dhe paraqitja e Tabakut, Alizotit, Gjekmarkaj dhe shumë individëve të PD-së, që mundohen të flasin në emër të parimeve, por që shpesh harrojnë se logjika nuk shkon kurrë pa moralin. Dhe, më shqetësuese është se apeli i madh i shumë zërave për të furnizuar PD-në me gjak dhe prurje të reja mund të quhet i dështuar, sepse gjithçka lidhet me shpurat, që i rrinë pas Berishës e mundohen të artikulojnë thjesht për interesin e tij. Sa për PS-në harroje, mjafton mandati, sa i përket moralit. Këtu kupton kinse metamorfozat e shumë prej deputetëve të PD-së, që nga kritikë të thekur lëshuan parimet dhe moralin në emër të zgjedhjes në parlament në votimet e vitit 2025. Edhe pse kjo dihej mirë dhe qartë.

Megjithatë, ka shumë zëra që e justifikojnë dhe e mbrojnë Kodin. Kështu sipas statisticienit Zaloshnja: “… Kodit Zgjedhor të ri, 47 nga këta 80 deputetë do të ishin të paracaktuar nga kryesia e PS-së në listat e mbyllura. Ndërsa rreth 33 deputetë të tjerë do të përcaktoheshin nga votuesit e thjeshtë socialistë, direkt nga listat e hapura…Edhe kryesia e PD-së, si çdo parti tjetër, do të ketë të drejtën të hartojë një listë të mbyllur me 47 kandidatë të paracaktuar. Dhe në qoftë se PD arrin të sigurojë 47 mandate në zgjedhjet e ardhshme, të gjithë ata do të bëhen deputetë”. Por, a ka ndonjë numër të llogaritur të më shumë se 40 deputetë nga dy partitë sëbashku që artikulojnë, mbrojnë kauza dhe shtrojnë problematika tejet interesave të partive të tyre për vendin në parlament? Madje, edhe ai grup aktiv në parlament, përveç fare pak emrave, është krejtësisht i lexueshëm, sepse lexon deridiku mendimin e Ramës dhe Berishës, por kuptohet me forma të tjera.

Në fund të kësaj legjislature vërtetuam për të disatën herë se populli është thjesht votues dhe ata (politikanët) mbeten jo vetëm numërues por edhe përfitues. Shiko indikatorët ekonomikë të Shqipërisë dhe e kupton më së miri këtë fakt. Nuk ia vlen më të indinjohesh, por të shikosh se ku na ka katandisur logjika e politikës sonë. Poeti amerikan Walt Whitman, në një kohë tjetër, duke iu referuar vendit të tij për krizën politike shkruante me vargje një mendim poetik: “Edhe pse ti, o mik, mendon ende se demokracia ishte vetëm për zgjedhje, për politikë dhe për emër partie?!” Dhe, pastaj vazhdonte sesi do të donte të ishte: “Unë them se demokracia është e dobishme vetëm të përshkojë e të vijë në lulen dhe frytin e saj të vërtetë në sjellje, në format më të larta të ndërveprimit midis [njerëzve] dhe besimeve të tyre: në fe, letërsi, kolegje dhe shkolla, pra, demokraci të jetë në të gjithë jetën publike dhe private…”. Anipse, demokracia jonë është tejet larg këtij koncepti, ajo na ka treguar se: politika s’ka moral, kurse kjo jona s’ka madje edhe logjikë në flirtet e saj, qepur me pe të zi, kurse ne publiku mbetemi një hiç, që votojmë qorrazi për nulitetin, që na drejton. 

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?