I ftuar sot në emisionin e Studio Live në Report TV, deputeti socialist Erjon Braçe foli edhe në lidhje me mesazhet në e-mail apo në Signal që i kanë shkuar deputetit demokrat Gazment Bardhi, që dyshohet se i është shkruar dhe kërkuar nëpërmjet SKY ECC nga biznesmeni i zhdukur prej dy vitesh Ervis Martinaj dhe ushtari i tij Erigers Mihasi, i vrarë tre vite më parë, për një pagesë 100 mijë euro për fushatë zgjedhore, që dërgohej nga Shkëlzen Berisha te deputeti i PD-së.
Bardhi e ka mohuar dhe denoncuar rastin duke kërkuar hetime nga SPAK, teksa i ka cilësuar si falsifikime dhe intimidime.
Në lidhje me këtë, deputeti Braçe u pyet për qëndrimin e tij, ku deklaroi se ishte dakord që “të hapen të gjitha komunikimet e SKY ECC” për bisedat e mundshme të politikanëve, por "nëpërmjet drejtësisë dhe të përballej me përgjegjësitë kushdo ishte i përfshirë në këtë histori".
Pjesë nga intervista:
-Zoti Braçe, a jeni për hapjen e komunikimeve në SKY për politikanët?
Braçe- Të hapen të gjitha. Të gjitha, të gjitha, të gjitha... Të mos ngelen asnjë gërmë. Të identifikohen dhe të hapen të gjitha! Të bëhet transaprencë e plotë.
-A do të ishte kjo hapja e “Kutisë së Pandorës”?
Braçe- Jo fare, do të thotë t’i shkosh fakteve deri në fund, por përmes drejtësisë, jo përmes thashethemeve. Sepse dy seancat e shkuara të Kuvendit të Shqipërisë u konsumuan thashetheme, u transformua e vërteta, thjesht dhe vetëm për të bërë pis një oficer shembullor policie, një familje shembullore, të dy bashkëshortët, në shërbim të shtetit shqiptar, në shërbim të Policisë së Shtetit. Në një shërbim të klasifikuar, jo vetëm prej tyre, por edhe prej kolegëve të tyre, apo gjithë sistemit, një shërbim shembullor përkundrejt shtetit shqiptar. Është e tmerrshme që të përdoret salla e Kuvendit, pa kërkuar ndjesë, edhe pasi u ballafaquan me provat, edhe pasi ishte evidente që ia kishin futur kot, qëllimisht, në funksion të qëllimit të tyre politik në sallën e Parlamentit dhe nuk kërkuan as ndjesë. Është e tmerrshme, e tmerrshme që shërbyesit e shtetit të sulmohen në këtë farë feje. Pra është kriminale. Pra nëse do të hapen, të hapen që të gjitha dhe t’i hapë drejtësia. Dhe të vërë para përgjegjësisë, këdo që është përfshirë në këtë histori.
Lajmi kryesor:
Kaosi i PD në Kuvend/ Erion Braçe në 'Studio Live': Një njeri që hyn në Parlament me benzinë nuk vjen për të folur për demokracinë por për të vrarë
A.Q//ReportTv.al