Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vazhdon ta bombardojë botën me tarifat e tij doganore, që pjesërisht janë edhe drastike. Ai ra dakord me BE-në që Evropa duhet të paguajë një tarifë doganore prej 15 përqind për mallra të caktuara që eksportohen nga BE-ja në Shtetet e Bashkuara. Kurse mallrat SHBA-ja që eksportohen në BE janë të përjashtuara nga tarifat doganore. Kjo marrëveshje me Presidenten e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, është shumë e diskutueshme dhe ka bërë bujë në media.
Sipas anketimit të zhvilluar nga media publike gjermane, ARD, për emisionin "Deutschlandtrend" gjermanët vazhdojnë të jenë të shqetësuar për stabilitetin ekonomik për shkak të politikave shpesh konfuze të tarifave doganore të presidentit Trump.
65 përqind e gjermanëve janë të shqetësuar ose shumë të shqetësuar, dhe vetëm 5 përqind nuk janë aspak të shqetësuar. Krahasuar me anketën e mëparshme në këtë anketë pati më pak njerëz që u shprehën të shqetësuar. Kjo ka të bëjë sigurisht edhe me politikën e luhatshme të Trumpit.
Pak besim te kancelari i ri
Që para zgjedhjes së tij Friedrich Merzkishte arritur që parlamenti, Bundestagu, të ndryshonte politikën për frenimin e borxhit të Gjermanisë, e cila ishte e ngurtë. Gjatë viteve të ardhshme do të vihen në dispozicion 500 miliardë euro për përmirësimin e hekurudhave, rrugëve dhe për shkolla më të mira. Thuajse e njëjta shumë parash do të përdoret për riarmatimin e Bundeswehr-it.
Kjo përbën një largim të qartë nga premtimi i fushatës zgjedhore të konservatorëve për të mos marrë kredi të reja. A e ka dëmtuar kjo imazhin e kancelarit të ri? Sipas sondazhit për emisionin "Deutschlandtrend" vetëm 26 përqind e të anketuarve mendojnë sot se Merz është një person të cilit mund t'i besojnë. Kjo shifër është tre përqind më e ulët se sondazhi i zhvilluar në muajin shkurt.
Për emisionin aktual ARD-Deutschlandtrend instituti i hulumtimit të opinionit publik infratest-dimap anketoi 1,321 qytetarë të përzgjedhur në mënyrë përfaqësuese në periudhën 4 deri më 6 gusht të këtij viti./DW
Komente
