Polonia, Sllovakia dhe Hungaria vendosën kufizime mbi importet e grurit ukrainas, njoftuan qeveritë e këtyre vendeve të premten, pasi Komisioni Evropian vendosi të mos zgjasë një ndalim që prek pesë fqinjë të Ukrainës, që janë anëtarë të Bashkimit Evropian.
Kufizimet e vendosura nga Bashkimi Evropian në maj lejuan Poloninë, Bullgarinë, Hungarinë, Rumaninë dhe Sllovakinë të ndalonin shitjet në tregun e tyre të brendshëm të grurit, misrit dhe farave të lulediellit me origjinë nga Ukraina, duke lejuar transportin tranzit të tyre diku tjetër.
"Ne do ta zgjasim këtë ndalim pavarësisht se kjo bie ndesh me vendimin e Komisionit Evropian", tha kryeministri polak Mateusz Morawiecki në një tubim në qytetin Elk. “Ne do ta bëjmë këtë sepse kjo është në interes të fermerit polak”.
Ministri polak i zhvillimit, Waldemar Buda, në një postim në platformën e mediave sociale X, tha se ai e kishte nënshkruar masën polake të ndalimit, e cila do të zbatohej për një periudhë të pacaktuar kohore nga mesnata.
Hungaria vendosi një ndalim kombëtar të importit për 24 produkte bujqësore ukrainase, duke përfshirë drithëra, perime, disa produkte mishi dhe mjaltë, sipas një dekreti qeveritar të publikuar të premten.
Ministri i Bujqësisë i Sllovakisë ndoqi shembullin e dy vendeve të tjera, duke njoftuar ndalimin e importit të drithit ukrainas. Të tre ndalimet zbatohen vetëm për importet e brendshme dhe nuk ndikojnë tranzitin drejt tregjeve të tjera.
Komisioneri i BE-së për Tregtinë, Valdis Dombrovskis tha të premten se vendet anëtare duhet të përmbahen nga masat e njëanshme ndaj importit të grurit ukrainas. Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy tha se do të përgjigjet në një "mënyrë të civilizuar" nëse disa anëtarë të BE-së i shkelin rregullat.
Bashkimi Evropian krijoi rrugë alternative tokësore, të ashtuquajturat Rrugë të Solidaritetit, që Ukraina t'i përdorte për të eksportuar drithërat dhe produkte të tjera pasi në korrik Rusia, e cila filloi një sulm në shkallë të gjërë ndaj Ukrainës në vitin 2022, u tërhoq nga marrëveshja për eksportin e drithit ukrainas përmes Detit të Zi, e cila u ndërmjetësua nga OKB-ja.
Komisioni Evropian tha se masat ekzistuese do të skadonin siç ishte planifikuar fillimisht të premten pasi Ukraina ra dakord të zbatonte çdo masë ligjore (përfshirë, për shembull, një sistem licencimi të eksportit) brenda 30 ditëve për të shmangur rritjen e sasisë së grurit.
“Falë funksionimit të Platformës së Koordinimit dhe masave të përkohshme të prezantuara më 2 maj 2023, pengesat ndaj tregut në 5 shtetet anëtare në kufi me Ukrainën janë zhdukur”, tha Komisioni Evropian përmes një deklarate.
Bashkimi Evropian tha se do të përmbahet nga vendosja e ndonjë kufizimi ndaj grurit ukrainas për sa kohë që masat efektive nga Ukraina janë në fuqi dhe funksionojnë plotësisht/VOA
Tokat e Ukraines i kane blere kompanite Amerikane dhe me justifikimin qe po mbeshtetin keta ne lufte duan te fitojne ne kurriz te vendeve te tjere , mire jua ben keto shtete dhe shpresoj ta bejne dhe vende te tjera qe kjo lufte e ndyre e mbeshtetur nga Amerika mos te zgjati akoma
Përgjigju