Kultura

Polonia nis Javët Kulturore Ndërkombëtare në Tiranë! 22 shtete, për 22 javë të mbushura me 22 kultura unike

15 Prill, 13:21| Përditesimi: 15 Prill, 15:36

  • Share

Një shfaqje nga grupi polak “Silesianie” në instilacionin Reja, riktheu në Tiranë javët kulturore. Artistët e grupit që ka performuar në rreth 800 koncerte në mbarë botën, kërcyen edhe vallen “Polonez”, që është e regjistruar në listën e UNESCO-s si pjesë e trashëgimisë kulturore të njerëzimit.

“Është hera e parë që Ambasada Polake në Shqipëri i bashkohet këtij projekti të Javëve Kulturore. Javët Kulturore fillojnë me Poloninë dhe kjo është e rëndësishme për ne. Për këto gjashtë muajt e parë të 2025, Polonia ka marrë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe dëshirojmë të përfitojmë nga kjo javë kulturore për të nxjerrë në pah rolin që Polonia aktualisht po luan në politikën e BE-së. Ne e dimë që ëndrra për t’u bërë pjesë e BE-së ndahet nga shumë shqiptarë dhe ne duam t’u vijmë në ndihmë shqiptarve në këtë drejtim.  Programi i kësaj jave është i ngjeshur. Mendoj është e udhës që ky program të fillojë me një shfaqje të tillë të valleve tradicionale të Polonisë. Mendoj që është e përshtatshme edhe për turizmin sepse e di që shqiptarët historikisht i kanë dashur vallet dhe janë valltarë të zotë dhe ndaj e menduam këtë si dhuratë e në të njëjtën kohë edhe ne të shijojmë vallet shqiptare. Do të ketë valle polake e shqiptare se qëllimi është jo vetëm t’u tregojmë si kërcejnë polakët, por qëllimi është të mësojmë nga njëri-tjetri dhe në fund të vallëzojmë me njëri-tjetrin.”, - thotë ambasadori i Polonisë në Shqipëri, Wojciech Unolt.

“Ky është edicioni i katërt. Vetëm në tre vite ky orogram ka mbështetur rreth 1000 aktivitete me 1500 artistë nga gjithë vendet e botës.”, - vëren Lira Pipa, Zv/ministre e Kulturës.

“Janë 22 shtete që na janë bashkuar. Shohim që homologët tanë e kanë pritur shumë mirë këtë start të edicionit të katërt.  Krahas Polonisë, për herë të parë bashkohet dhe Maqedonia e Veriut.”, - bën me dije Irena Prici, Drejtore e Politikave për Artin dhe Kulturën pranë MEKI-t.

Deri më 19 Prill, Tirana dhe jo vetëm do të transformohen në një skenë të hapur ku do të prezantohet kultura polake në shumë forma dhe ngjyra.  Gjatë gjithë javës, do të organizohen një sërë aktivitetesh, nga netët e kinemasë me filma polakë, tek mbrëmje tregimesh për fëmijë, ndeshje volejbolli e aktivitete të ndryshme muzikore.

 

B.G/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet t’u jepet mundësia prokurorëve të SPAK të rikandidojnë?