Bota

'Populistët e mallkuar' - Demokracia në shumë vende të botës është në rrezik. Koment nga Martin Muno

26 Shtator 2019, 10:15| Përditesimi: 26 Shtator 2019, 11:00

  • Share

Çfarë dite! Mëngjesin e ditës së martë, Gjykata e Lartë në Britani mori një vendim ndaj kryeministrit Boris Johnson, gjë që në kohë normale do të ishte quajtur shkatërrues. "Në kundërshtim me ligjin, hiçgjë dhe pa vlerë", është pushimi i detyruar i parlamentit britanik, i inicuar prej kryeministrit, thotë vendimi i marrë në unanimitet. Në kohët e mëparshme ky verdikt do të kishte qenë fundi për kryeministrin britanik, i cili sapo ka ardhur në post dhe po përpiqet me çdo lloj mënyre të paskrupullt që t'i shpëtojë kushtetutës, të anashkalojë Mbretëreshën dhe t'i mbyllë gojën sovranit, popullit që e ka zgjedhur. Por kohët në ditët e sotme, janë të tjera. Johnson kërkon të qëndrojë në post, dhe me sa duket, do të qëndrojë ndërkohë.

Para disa vitesh do të kishte qenë e paimagjinueshme prezantimi në publik i një presidenti të zgjedhur, që ndihet pothuajse i dërguar i Zotit. Ai falenderon Zotin për mundësinë "që të verë në vend të vërtetën", thotë Jair Bolsonaro në fillim të fjalimit të tij para Asamblesë së Përgjithshme. Çfarë kupton ai me këtë e shpjegon pa vonuar: "Nuk është e vërtetë që Amazona është mushkëria e botës". Dhe: "Pyjet tona tropikale janë praktikisht të përsosura". Instituti brazilian për kërkime në hapësirë pati deklaruar disa javë më parë, se shkatërrimi i pyjeve tropikale në territoret braziliane të Amazonas, pothuaj është dyfishuar brenda një viti.

Edhe prezantimi tjetër është pothuaj i çuditshmë. Donald Trump, mjeshtri i madh i populizmit, mban po ashtu fjalim para Kombeve të Bashkuara. E ecura e tij në podiumin e fjalimeve, fjalimi i tij monoton duke lexuar në letër: Të gjitha këto tregojnë për mungesën e respektit ndaj kësaj Asambleje të komunitetit ndërkombëtar. Dhe ai thotë qartë: "E ardhmja nuk i përket globalistëve, por patriotëve". Me një fjalë: Nëse të gjithë luftojnë kundër të gjithëve, atëherë të gjithë i kanë punët më mirë. Trump u konfrontua në fund të fjalimit të tij me fillimin e procesit për largimin nga posti, dhe kjo i vuri kurorën dramatike ditës së martë.

Nuk është për të qeshur

Për ta bërë më të qartë: Nuk kemi të bëjmë këtu me diktatorë të përgjakshëm, të cilët janë mbledhur po ashtu në Nju Jork. Kemi të bëjmë me politikanë të zgjedhur, që sundojnë mbi shtetet, në të cilat ekzistojnë struktura demokratike.

Mund të qeshet me mendjemadhësinë, me njerëz që nuk lenë vend për të tjerët dhe politikanë që nuk flasin të vërtetën. Këta tre burra në moshë të mesme deri në moshë të thyer, nuk i përshtaten botës dixhitale, komplekse të shekullit të 21-të, ku faktikisht budallai me mjekër mendohet të jetë arketipi mashkullor.

Por nuk është koha për të qeshur. Në shumë vende ka plasur lufta e populistëve me demokracinë, jo vetëm në Britaninë e Madhe, Brazil dhe SHBA. Nëse do të kishte pasur tani zgjedhje të reja në Itali, kryeministër do të ishte bërë Matteo Salvini. Në Hungari, Poloni dhe Çeki populistët janë në pushtet prej vitesh. Në Francë liberali që edhe vetë erdhi në pushtet me hile populiste, Emmanuel Macron, arriti të pengonte arrdhjen e një qeverie populiste të djathtë.

Dhe kudo që të qeverisin, ata pördorin tre rrugë për të minuar demokracinë: mundohen të fshijnë dallimet midis të vërtetës dhe gënjeshtrës, duke gënjyer vetë gjatë gjithë kohës, dhe duke luftuar shtypin e lirë. Kjo mund të ndodhë duke bërë diskreditime, duke folur për "Fake News", duke i ndaluar ose duke i blerë vetë botuesit privatë.

Çekani

Rruga e dytë është krijimi i imazhit të armikut të mundshëm, qoftë me pakicat e vendit, refugjatët, migrantët, pjesëtarët e feve të tjera ose thjeshtë intelektualët. "Ne këtu kundër atyre atje", është pothuajse çekani në arsenalin e veglave të populistëve. Dhe të gjithë ata që kritikojnë Trumpin, Bolsonaron me kompani, dalin automatikisht jashtë këtij kolektivi "ne këtu".

Rruga e tretë është përpjekja për të dobësuar institucionet demokratike ose për t'i shpërbërë ato krejt. Këtu, Boris Johnson merr flamurin duke dashur nga njëra anë të detyrojë parlamentin që të mbyllë gojën dhe nga tjetër duke deklaruar, që nuk do të respektojë vendimet e Dhomës së Ulët. Dhe dëshira për të keqpërdorur familjen mbretërore, të vetmin institucion që respektohet ende nga Britania e Madhe e stërmunduar nga Brexiti, doli që ishte gabim i madh.

Por pikërisht rasti Johnson tregon se demokratët nuk janë dorëzuar krejt. Është domethënëse që Lady Brenda Hale, presidente e Gjykatës së Lartë, një grua e arsimuar, ndihmon parlamentin të marrë të drejtën, duke argumentuar me qetësi, ligjshmëri dhe racionalitet. Gruaja me karficë një merimangë, pengon kryeministrin e paepur, vetëm me forcën e fjalëve. Kjo është shpresëdhënëse.

Martin Muno, komentator i DW

Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?