Vladimir Putin

Popullin e Rusisë e ndjek parreshtur sundimi i “Zotave”

15 Mars, 22:38| Përditesimi: 15 Mars, 22:39

  • Share

Rusia, ky vend, me hapësira të pafundme tokësore, me një histori të tejmbushur me një popull që ka nxjerrë elita të letërsisë, të shkencave fizike e kimike, kinematografisë e sporteve, etj., është njohur nga popujt e tjerë në 200 vjetët e fundit veçse si sundim prej një njeriu. Shtet imperialist nën carizëm, socialimperialist nën hijen e Sekretarit të Parë të Partisë Komuniste dhe neoimperialist nën presidencën Putin. Ndërmjet tyre hasen pak copëza hapësirash ku është shijuar liria e shkurtër kohore.

Zgjedhjet në Rusi janë një formalitet i shëmtuar. Ndërsa shkruaj këto radhë, atje po votohet për të zgjedhur presidentin, të cilat Vladimir Putin i merr, po të dojë, me 99 %, por për sa kohë nuk ka rival në konkurim dhe fleta e votimit ka vetëm emrin e tij, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve me siguri është porositiur t’i nxjerrë diku te 80-85 %. Do ketë një mbetje prej 15-20 % opozitë, më së shumti “armiq” dhe “agjent të rekrutuar” nga Amerika dhe Europa e degjeneruar. Përmes tyre botës ruse i tregohet se atje funksionon më së miri pluralizmi politik. Putin është president i Rusisë, ka qënë dhe do jetë sa të dojë ai në këtë post, idem si carët e ish Perandorisë Ruse. Doemos ai do të sillet si zot i Rusisë, sepse është i tillë, nuk shtiret kur bën Zotin. 

Në fjalimin parazgjedhor Putin edhe njëherë kërcënoi pjesën tjetër të botës që është kundër tij, me përdorimin e armëve termobërthamore. Rusia, që në Këshillin e Sigurimit ka të drejtën e vetos, nuk ngurron ta kërcënojë botën demokratike me armët atomike. Vini re: ai kërcënon vëndet me shoqëri të hapura, jo Kinën, as Korenë e Veriut, as Iranin, por vëndet me demokraci të zhvilluara, me popuj të lirë, me tregti të lirë, me konkurencë të lirë, me pushtete të kontrolluara që nuk lihen as lejohen t’i hypin popullit të tyre në zverk. 

Ndonëse vëndi i Putinit, Rusia, ndodhet në pesëshen me të drejtë Veto të Këshillit të sigurimit, njëherësh i është besuar të mbaj peshën e përgjegjësinë e madhe: të ruajë paqen botërore. Duket qartazi në Europën sa të trembur aq dhe të kërcënuar, se Putini, zoti sundues i Rusisë imperialishte, e ka shkatërruar atë në Europë në mënyrë të pakthyeshme. Njeriu i KGB-së së urryer, kërkon ringjalljen e një perandorie që ka vdekur. Ka nxjerrë kufomën e ish CCCP-së nga varri dhe sulmon të pushtojë fillimisht Ukrainën, ta coptojë atë e më tej, t’u marrë lirinë popujve të tjerë fqinj, popujve baltë, moldave e deri në Ballkan. Të gjithë në Europë e dinë se ai nuk do ndalet në Ukrainë!

Kur 79 vjet më parë, në qershor të vitit 1945, në Konferencën e San Françiskos u miratua Karta e OKB-së, në themel të saj, pas tragjedisë së madhe njerëzore të Luftës së Dytë Botërore, të cilën qeveritë e asaj bote nuk ishin të afta ta parandalojnë, ishte “Ruajtja e sigurisë dhe e paqes në botë”. Për këtë arsye egziston Këshilli i Sigurimit! Sulmi i Rusisë, synimi i pushtimit të Ukrainës, e ka marrë OKB-në dhe Këshillin e Sigurimit peng. Ky organizëm i lartë tashmë është kot, i padobishëm, pa vlerë vendimmarrje, me veto apo pa veto qofshin anëtarët e saj, çka e nxorri si përfundim edhe zhvillimi kur u paraqit Rezoluta e përbashkët e Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nga sa duket, Këshilli i Sigurimit nuk e ruan dot më paqen në botë. Ndaj këtij rreziku mbetet përpos se armatosja sa më shpejë e çdo vendi të NATO-s. Mbetet e vetmja alternative për të ruajtur qytetërimin nga vrazhdësia e kërcënimeve të Putinit.

Putini, si kryeministër apo president, nuk i llogariti fare kundërshtarët politikë! Si kryeministër i gjeti dhe i vrau kundërshtarët deri ne Londër. Navalnin e vriste kur të donte, por e vrau pragzgjedhjesh t’u tregonte Europës dhe frymës kundërshtuese liberale në Rusi, se sundimi i tij faraonik do zgjasi, jo se nuk është ngopur me pushtet, jo se nuk është i plotësuar me ambicje vetjake, por se Rusia do mbetet regjim antidemokratik, se do kthehet te kufijtë e saj perandorakë, të cilën zoti demagog e paraqit si ambicje mbarëkombëtare.

Në kohën kur nga shkolla e pashoqe e baletit rus, kërcimtari Nurejev, i ndodhur për shfaqje në Paris, do i linte glasën trupës të sigurimsave të KGB-së që ruanin çdo hap të tij, përpjekjet e asgjësimit dështuan, sepse zotat e ish Bashkimit Sovjetik kanë qenë më të dobët nga zoti sundues Putin. E di këtë populli rus, e dinë të gjithë ata që morën pjesë ose hodhën lule në arkivolin e Navalit, e që më pas u thirrën në bodrumet e skutat nëndhese të regjimit shtypës, e dinë dhe arsyen pse Putin u shfaq herë pas here “përsosmërinë” e tij fizike, si cilësi zotash.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?