VIDEO/ Pengmarrja dhe vrasja e Jan Prengës, arrestohet në Stamboll 'bosi' i trafikut të kokainës Dritan Rexhepi! Shqipëria kërkon ekstradimin

10 Nëntor 2023, 09:23| Përditesimi: 10 Nëntor 2023, 22:39

  • Share

Arrestohet në Turqi shqiptari i shumëkërkuar Dritan Rexhepi, i njohur si mbreti i kokainës dhe porositës i rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës, tre vjet më parë, njoftuan sot (10 nëntor 2023) autoritetet turke.

 Kreu i grupit kriminal të transportit të kokainës nga Amerika Latine në drejtim të Europë, të njohur si 'kompania Bello' kishte hyrë në Turqi nga aeroporti i Stambollit me pasaportë kolumbiane me emrin e Benjamin Omar Perez Garcia. Ai u mbajt në vëzhgim që nga zbritja në aeroport derisa arriti në një vilë luksoze, e cila u rrethua nga forcat speciale që organizuan megaoperacioni për arrestimin i cili mendohet se u krye më 8 nëntor. 

 Emri i Dritan Rexhepit ishte në listën e personave më të kërkuar të Agjencisë Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL) ndërsa Ministri i Brendshëm i Turqisë Ali Yerlikaya, njoftoi se arrestimi i tij u krye falë shkëmbimit të informacionit mes autoriteteve shqiptare dhe italiane.

"Për Dritan Rexhepin, lideri i kartelit ndërkombëtar të drogës të quajtur Kompanio Bello, i cili transporton drogë nga Amerika e Jugut në Evropë, është lëshuar kodi i kuq nga autoritetet gjyqësore të Italisë dhe Shqipërisë për krimet e ‘Vrasjes me dashje, drogës, rrëmbimit. Heqje lirie, falsifikimi i dokumenteve të udhëtimit, armëve dhe municionit.  Ai kërkohej ndërkombëtarisht për ekstradim" shkruajti Ministri i Brendshëm i Turqisë Ali Yerlikaya në rrjetin social X duke publikuar dhe videon e arrestimit.

Arrstimi i tij u krye në një vilë në lagjen luksoze Beylikdüzü, të Stambollit. Forcat policore turke shqyen derën e banesës ku brenda saj ishte fshehur Dritan Rexhepi, i cili më pas shfaqet i shtrirë për tokë dhe më pas i vihen prangat. Atij iu gjetën edhe pistoletë, euro dhe bizhuteri në një kasafortë.

Tashmë autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij. Aktualisht, në Shqipëri Dritan Rexhepi po gjykohet në mungesë në Gjykatën e Posaçme si porositës i rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës, në 17 janar 2020. Në Britaninë e Madhe, Belgjikë, Holandë, Spanjë dhe Italië njihej për transportimin e tonelatave me kokainë nga Amertika Latine.

Dritan Rexhepi u cilësua si vrasësi i parë me pagesë në Shqipëri. Ai ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, prej 17 vitesh. Qysh në mars 2006, kur u shpall fajtor dhe u dënua me 25 vite burg në mungesë për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi në vitin 1998.

Interpol Roma, Itali e kërkon prej shtatorit 2011 pasi është dënuar me 16.5 vite burg për “Grup kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve”

Njihet dhe si mbreti i arratisjes, pasi në 2006 arriti të largohej nga komisariati i Policisë në Durrës, më pas u arratis  nga burgu i Voghera, në Itali, më pas arriti të arratisej dhe nga burgu i Antverp, në Belgjikë. Në 2014 u arrestua në Ekuador për tu liruar në nëntor të 2021. 

Vlerësohet se vetëm Karteli ndërkombëtar i drogës, kompania ‘Bello” që Rexhepi drejtonte trafikonte sasi të mëdha kokaine. Vetëm në 2016 dhe në 2017, hetuesit italianë vlerësonin se karteli kishte trafikuar kokainë me një vlerë totale të ardhurash prej 141 milionë eurosh.

Ora 21:55
Dritan Rexhepi tentoi të arratisej gjatë operacionit të arrestimit, ‘bosi i kokainës’ u ndalua me forcë

Dritan Rexhepi, shqiptari i shumëkërkuar, i njohur si mbreti i kokainës e i akuzuar për një sërë veprash të rënda kriminale, është arrestuar sot në Turqi.

Mediat turke raportojnë se gjatë operacionit ‘Kartel’ për arrestimin e tij në Stamboll, ai ka tentuar që të arratiset me një mjet pa leje, teksa është përpjekur që të kalojë nga shtëpia në garazh.

Forcat e policisë turke ndërhynë me forcë për ta ndaluar, pasi shqiptari bëri rezistencë ndaj efektivëve të policisë.

Gjatë operacionit u sekuestruan armë pa leje, fishekë, karta sim, celularë, laptopë dhe kuleta të ftohta.

Ora 21:32
Kompania ‘Bello”, karteli i drogës që drejtonte Dritan Rexhepi! Brenda dy vitesh trafikoi kokainë me vlerë 141 milionë euro

1699604638_dritanrexhepi.jpg

Foto: Arrestimi i Dritan Rexhepit në Stamboll, 8 nentor 2023

Dritan Rexhepi kishte krijuar një kartel shqiptar të narkotrafikut, të quajtur kompania ‘Bello” përmes të cilës blinte sasi të mëdha kokainë në Amerikën e Jugut për t'i shpërndarë më pas në Europë

Sipas Europolit, kompania 'Bello' e cila drejtohej nga Dritan Rexhepi, konsiderohej një nga organizatat më aktive të trafikimit të kokainës nga Amerika e Jugut në Europë. Prokurorët italianë kishin zbuluar se Rexhepi kishte një marrëdhënie të privilegjuar me kartelet kolumbiane të prodhimit të kokainës nëpërmjet trafikantit ekuadorian, Cezar Emilio Montenegro Castillo –  i njohur gjithashtu si ‘Don Monti’, i cili  është kreu i trafikantëve ekuadorianë të lidhur me kartelin kolumbian “Norte dell Valle” dhe kartelin meksikan të drogës së Sinaloas. 

Vetëm në 2016 dhe në 2017 prokurorët italianë vlerësonin se Rexhepi kishte trafikuar kokainë me një vlerë totale të ardhurash për dy vite prej 141 milionë eurosh. Konkretisht në 2016 kishte trafikuar të paktën 2368 kilogramë kokainë dhe 3654 kilogramë në vitin 2017, me një çmim mesatar shitjeje me shumicë prej 23,500 eurosh shkruhej në një shkrim investigativ të publikuar nga BIRN në 2021.

Duke iu referuar hetimeve të prokurorisë së Firences, e ashtuquajtura “Kompania Bello” ishte një kartel i përbërë nga organizata kriminale shqiptare të përfshira në trafikun e drogës, i themeluar të paktën që nga viti 2014 në një vend të papërcaktuar dhe që operonte në Ekuador, Holandë, Belgjikë, Shqipëri dhe Itali

Anëtarët e kësaj organizate kishin detyra të qarta dhe rekrutonin kryesisht shqiptarë ndërsa drejtohej nga Dritan Rexhepi nga burgu në Ekuador ku ndodhej prej vitit 2014. 

Rexhepi ishte arrestua në qershor 2014,  në Quito të Ekuadorit si pjesë e një operacioni të policisë vendore, ku u sekuestruan 278 kilogramë kokainë. A u dënua me 13 vite burg por u lirua me kusht në nëntor 2021 për “sjellje të mirë” dhe për shkak se “nuk do të kishte rrezik arratisje”. Prej atëherë nuk dihej vendndodhja e tij deri më 8 nëntor 2023 kur dhe u arrestua në një vilë luksoze në Stamboll. 

Ora 21:06
Arrestimi i Dritan Rexhepit, mediat në Ekuador kujtojnë politikanin që u ekzekutua pasi e denoncoi

1699647057_apapapapapapappapa.PNG

Ish kandidatit për president në Ekuador, Fernando Villavicencio

I cilësuar si një prej prej trafikantëve më të mëdhenj të kokainës në Amerikën Latine, arrestimi i Dritan Rexhepit ka bërë bujë në Ekuador dhe jo vetëm.

Rexhepi, i njohur si kreu i kartelit të parë shqiptar shqiptar “Kompania Bello”, përmes falsifikimit të një sërë raporteve mjekësore nga një spital, arriti të fitonte lirinë nga burgu i Ekuadorit, në vitin 2014.

Në prill të 2023 ish kandidati për president, Fernando Villavicencio denoncoi lirimin nga burgu të Dritan Rexhepit përmes falsifikimit të një sërë raporteve mjekësore nga një spital në Ekuador.

Për këtë, politikani dhe gazetari ekuadorian Fernando Villavicencio denoncoi në prokurori Dritan Rexhepin, gjykatësin Poma Chamba, një mbrojtës publik, shtatë zyrtarë nga Shërbimit Kombëtar të Kujdesit Gjithëpërfshirës (SNAI), gjashtë mjekë nga Spitali del Guasmo dhe një mik i Rexhepit.

Pak muaj më pas, më 9 gusht 2023  në Quito të Ekuadorit, një grup vrasësish pjesë e një karteli të kokainës, ekzekutuan politikanin Villavicencio, i cili në atë kohë kandidonte për President i Ekuadorit. Villavicencio kishte marrë më herët kërcënime nga grupe kriminale, përfshirë edhe kartelin Sinaloa.

Ora 13:58
U arrestua sot në Turqi, nisin procedurat për ekstradimin e Dritan Rexhepit drejt Shqipërisë! 17 vite në kërkim

1670849269_Screenshot8.jpg

Foto: Dritan Rexhepi

Pas kapjes në Turqi, të 43-vjeçarit, Interpol Tirana dhe institucionet e drejtësisë në Shqipëri,kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij, në vendin tonë.  

 
"Dritan Rexhepi u kap si rezultat i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese të disa vendeve partnere dhe Shqipërisë" thuhet në njoftimin e policisë së shtetit.

 Në njoftim bëhet me dije se Rexhepi është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, më datë 26.03.2006, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë, me vendimin e datës 06.06.2013, e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.   

- Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 26.11.2015, e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose vizave”, në rrethana rënduese dhe “Falsifikimi i vulave i stampave ose formularëve”, në rrethana rënduese. 

- Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me vendimin e datës 31.01.2020, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” dhe “Trafikimi i narkotikëve”.  
 
Gjithashtu, Dritan Rexhepi është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, më datë 29.09.2011, pasi Gjykata e Apelit Firence, Itali, me vendimin e datës 15.04.2010, e ka dënuar me 16 vjet e 5 muaj burgim (pjesa e mbetur e dënimit 13 vjet, 8 muaj e 6 ditë burgim), për veprën penale “Grup kriminal me qëllim trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

Ora 13:18
'U kap në lagjen e ‘mbretërve të drogës’, Gazetari zbulon për Report Tv detaje nga operacioni i arrestimit të Dritan Rexhepit në Turqi

 

Ka qenë një informacion nga interpol që ka informuar autoritetet e turke se Dritan Rexhepi, kreu i kartelit të drogës “Kompania Bello” që trafikonte kokainën nga vendet e Amerikës Latine në Europë ndodhej në Stamboll.

Gazetari Sokol Brahaj nga Turqia inform për Report Tv se autoritetet Italiane përmes interpol kanë përcjellë tek autoritetet turke gjeneralitetet me të cilat kishte hyrë i fshehur në Turqi Dritan Rexhepi.

Media turke informoi se ai kishte hyrë në Turqi nga aeroporti i Stambollit me pasaportë kolumbiane të regjistruar në emrin e Benjamin Omar Perez Garcia.

Për Report Tv Brahaj informon se zona ku u arrestua Dritan Rexhepi njihej si zona ku jetonin ‘mbretërit e drogës’, rus, ukrainas, kolumbianë.

Ora 11:29
Nga student i Drejtësisë në 'baron droge' , si nisi 'karriera' kriminale e Dritan Rexhepit! Arratisjet e bujshme nga burgjet e Evropës

1699611283_dritanrexhepi.jpg

Foto: Dritan Rexhepi

'Karriera' kriminale e Dritan Rexhepit nisi në vitin 1998 me vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi. Asokohe Rexhepi ishte 19 vjeç. Atëherë u dyshua se krimi ishte kryer me pagesë.

Në 2005, Rexhepi kishte vendosur të studionte për drejtësi, por plani i tij nuk u realizua kurrë, sepse sipas tij, ishte akuzuar gabimisht për vrasje. Kjo gjë e drejtoi drejt tregtisë së drogës.

“Kisha dy mundësi, t’i dorëzohesha një sistemi të padrejtë dhe të kalbur në Shqipëri, që do të çonte në burgim të përjetshëm, ose të kërkoja një shans të dytë për të bërë diçka tjetër me jetën time. Prandaj u futa në tregtinë e drogës.”, deklaronte asokohe Rexhepi për Balkan Insight.

Në 2006-ën, policia e arrestoi Rexhepin në Tiranë, në një prej hoteleve më luksoze të kryeqytetit me një armë tip pistoletë pa leje. Rexhepi u transferua në ambientet e Drejtorisë së Policisë Durrës, që kishte në juridiksion zonën e Krujës. Rexhepi u arratis nga dhoma e marrjes në pyetje. Dy vite më vonë u arrestua në Holandë dhe u ekstradua në Itali ku ishte dënuar për trafik droge

.Në vitin 2011, ai u arrit të arratisej nga burgu i Pavias në Itali, së bashku me dy shqiptarë të tjerë. Ata kishin arritur të prisnin hekurat me sharrë hekuri dhe të zbrisnin me çarçafë.

Po në 2011, Rexhepi u arrestua nga policia e Spanjës por nuk u ekstradua drejt Italisë. Në vend të kësaj, u mor vendimi për ekstradimin drejt Belgjikës ku gjithashtu kërkohej për trafik droge. Ai u çua në një burg në Antwerp nga ku arriti të arratisej sërish pasi rojet nuk ishin lajmëruar për nivelin e rrezikshmërisë së tij. 

Gazetarët në Spanjë shkruan disa ditë rresht për shqiptarin e kërkuar, pasi ai realizoi grabitjen e një prej bankave më të mëdha në Barcelonë, mbrëmjen kur gjithë tifozët gjendeshin në shesh duke festuar fitoren e “Champions Lige”-s nga ekipi i Barcelonës.

Pas kësaj arratisje, Rexhepi dyshohej se jetonte në Roterdam nga ku më pas së bashku me një grup shqiptarët ngriti rrjetin e trafikut të drogës nga Amerika e Jugut drejt Evropës.

Në qershor 2014, Rexhepi u arrestua përsëri në Quito të Ekuadorit si pjesë e një operacioni të policisë vendore, ku u sekuestruan 278 kilogramë kokainë. Në Ekuador, ai u dënua me 13 vite burg por  u lirua përkohësisht nga një gjykatës ekuadorian në fund të vitit 2021. Në atë moment ai kishte vuajtur gjysmën e dënimit. Fakti që Shqipëria dhe Italia kërkuan ekstradimin e tij nuk e ndaloi gjyqtarin ekuadorian ta lironte. Rexhepi, i cili vuan nga sëmundja autoimune lupus, u lirua me kusht në nëntor 2021 për “sjellje të mirë” dhe për shkak se “nuk do të kishte rrezik arratisje”.

Rexhepi rezultonte i regjistruar me emrat Ioannis Dionysopoulos (emër grek) dhe me Lulzim Murataj (emër shqiptar) e Gramoz Rexhepi (emër shqiptar).

Ora 11:18
FOTO/Kartela 'e kuqe' e bosit të kokainës në Ekuador, ekstradimin e Dritan Rexhepit e kërkon jo vetëm Shqipëria por dhe Italia

1699611283_dritanrexhepi.jpg

Dritan Rexhepi i cili u arrestua në Stamboll ishte në kërkim me kod të kuq.

“Dritan REXHEPI, lideri i kartelit ndërkombëtar të drogës me emrin “Kompania Bello”, i cili transporton drogë nga Amerika e Jugut drejt Europës, është shpallur NJOFTIM KUQ nga autoritetet gjyqësore italiane dhe shqiptare për krimet e “Vrasjes me dashje, drogës, rrëmbimit/privimit të lirisë, falsifikim i dokumenteve të udhëtimit, trafik armësh dhe municionit”, shkruan ministri i, Punëve të Brendshme i Turqisë, Ali Yerlikaya në një postim në twitter.

Ekstradimin e tij e kërkon jo vetëm Shqipëria por dhe Italia. 

Ora 10:27
U porosit nga Dritan Rexhepi, si ndodhi rrëmbimi i Jan Prengës në janar të 2020-ës për kokainën që vodhi vëllai i tij në Angli

1669837872_finalprojekt.00094000.Still003.jpg

Foto: Jan Prenga

Pas arrestimit të ‘mbretit’ të kokainës Dritan Rexhepi në Stamboll të Turqisë, është sjellë në vëmendje çështja e rrëmbimit dhe vrasjes së Jan Prengës për të cilën akuzohet Rexhepi. 

Nga hetimet rezulton se Jan Prenga u rrëmbye pasi vëllai i tij Astriti grabiti sasinë prej 260 kg heroinë në Portin Portsmouth të Britanisë së Madhe. Për të kthyer drogën që ishte importuar nga Ekuadori në Angli. Dritan Rexhepi, që ndodhej në atë kohë në një burg të sigurisë së lartë në Ekuador e Gentian Docaj Funiqi urdhëruan të merrej peng i vëllai. Urdhri u dha në fund të muajit dhjetor 2019, - me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike - ndërsa rrëmbimi u krye pak ditë më pas.

Si ndodhi rrëmbimi i Jan prengës

Jan Prenga, baba i tre fëmijëve u rrëmbye në 17 janar 2020 në Kamëz, Tiranë, disa ditë pasi ishte ndjekur dhe vëzhguar këmba këmbës. Ai u përlesh me rrëmbyesit, por ata mundën të fusnin në një makinë Range Rover me ngjyrë të bardhë dhe më pas e transportuan në kompleksin “Golden”, në pronësi të Altin Hajrit, personazh i skeduar për trafik të lëndëve narkotike. Festim Bexhdili ishte kopshtar i resortit “Golden” në Shijakut, nga garazhi i të cilit u transportua trupi i Jan Prengës. SPAK administroi orë të tëra pamje filmike nga kamerat e resortit, të cilat konfimuan lëvizjet e personave të përfshirë në ngjarje.

Sipas SPAK organizimi i rrëmbimit është kryer nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Keshteja, ekzekutimi u krye nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar.

Prej qershorit 2023 në Gjykatën e Posaçme gjykohen në mungesë Dritan Rexhepi, Gentian Funiqi, Geraldo Martini, Aldo Majnishta, Martin Bleta, Korado Geshtenja e Artan Docaj të akuzuar si grup i strukturuar kriminal per rrembimin e Jan Prengës.

Deri tani për këtë krim më 29 shtator 2022 u dënua me burgim të përjetshëm kopshtari i kompleksit “Golden”, Festim Bexhdili 

Aldo Manjishta u arrestua më 6 gusht 2023 në Kosovë. 

Ndërkohë gjyqi per Altin Hajrin, pronari i kompleksit "Golden" për të njejtat akuza është pezulluar deri ne njoftimin dhe kapjen e tij. 

Ora 10:08
Arrestimi i Dritan Rexhepit, Balla: Ishte personi më i kërkuar nga drejtësia shqiptare! Të hënën jam në Lion

1699604638_dritanrexhepi.jpg

Ministri I Brendshëm Taulant Balla reagon lidhur me arrestimin e të shumëkërkuarit Dritan Rexhepi.

Forca e ligjit do të godasë mbi këdo dhe pandërshkueshmëria do të marrë fund. Arrestimi i personit më të kërkuar nga drejtësia shqiptare Dritan Rexhepi, falë bashkëpunimit të shkëlqyer të një sërë agjencish ligjzbatuese nga disa vende partnere, është një rezultat i rëndësishëm. Ditën e hënë do të takohem në Lion me drejtuesit më të lartë të Interpol për ta çuar në një nivel tjetër goditjen e krimit të organizuar" shkruan Balla në një postim në facebook.

Ora 09:59
SKEDA/ Kush është Dritan Rexhepi? Vrasësi i parë me pagesë në Shqipëri që u bë 'mbreti i drogës'! Arratisjet spektakolare

Autoritetet turke njoftuan sot arrestimin e një prej shumëtëkërkuarve jo vetëm nga autoritetet shqiptare, Dritan Rexhepi

Por kush është Dritan Rexhepi?

I arratisur katër herë nga burgjet, me disa dënime të rënda dhe identitete të rreme, i akuzuar për vrasje policësh, rrëmbimin e Jan Prengës me urdhër nga burgu e trafik ndërkombëtar droge, ky është Dritan Rexhepi, 43 vjeç, i arrestuar së fundi nga policia turke.

Ka lindur 10 prill 1980 në fshatin Velçë të Vlorës, dhe ka përdorur edhe emrat Lulëzim e Gramoz por edhe Dionisopoulos Rexhepi.

Në vitin 2004 ka ndryshuar emrin nga Gramoz në Dritan, ndërsa në datën 20 mars 2004, ka vjedhur e ka nisur të përdorë identitetin e shtetasit Lulëzim Murataj, banor i Komunës Kotë i lindur në fshatin Velçë, i dënuar në Angli.

Dritan Rexhepi është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e dy policëve në Fushë-Krujë, Arben Keqi e Durim Kasmi në vitin 1998. Atëherë u cilësua si vrasësi i parë me pagesë në Shqipëri. Pas asaj ngjarje, u arrestua në vitin 2007 në një operacion të forcave speciale në një hotel në qendër të Tiranës dhe u transferua në policinë e Durrësit. 
Nga viti 2005, deri në këtë kohë, i riu nga Vlora ishte regjistruar si student në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë.

Pasi u mor në pyetje nga prokurori, u arratis nga paraburgimi i Durrësit teksa po nxirej nga qelia për ti bërë fotografitë. Me akuza të reja mbi supe, Dritan Rexhepi u shpall në kërkim por policia shqiptare nuk ra në gjurmët e tij derisa në vitin 2013 u arrestua në Itali.

Shqipëria filloi procedurat për të nisur dosjen me qëllim ekstradimin, por mori si përgjigje njoftimin se i kërkuari nuk gjendej pasi ishte arratisur nga burgu i Vogheras në Itali, duke sharruar hekurat e qelisë.

I shpallur në kërkim tashmë nga dy shtete, Dritan Rexhepi u bë objekt i Interpolit që filloi gjurmimin e tij dhe e arrestoi në Spanjë, për ta ekstraduar në Belgjikë ku ishte vendosur në burgun Merksplas. Edhe aty, shqiptari i shumëkërkuar bëri atë që dinte më mirë, arratisjen dhe largimin në drejtim të paditur, pasi arriti të dalë nga ambientet e burgut duke kapërcyer murin rrethues.

Nga këqyrja e sistemit TIMS rezulton se Dritan Rexhepi ka dalë nga pika e kalimit kufitar Kakavijë me pasaportën biometrike të falsifikuar me gjeneralitetet Lulëzim Murataj në datën 28 nëntor dhe ka disa hyrje dalje nga e njëjta pikë kalimi dhe hyrja e fundit e tij është në datën 16 nëntor 2013. Kjo kohë përkon me kthimin e Dritan Rexhepit në një super-bos të krimit ndërsa në qershor të vitit 2014 Interpoli njoftoi kapjen e tij në Ekuador.

Asokohe 34 vjeç, ai ra në pranga gjatë një operacionit “Balance” në të cilin u sekuestruan rreth 278 kg kokainë që po trafikohej me një numër shtetasish shqiptarë dhe të huaj.

Nga verifikimet e bëra nga Departamenti i Krimit të Organizuar në sistemin TIMS, rezulton se ky shtetas i identifikuar me emrin Lulzim Murataj, është personi i shpallur në Kërkim Ndërkombëtar, Dritan alias Gramos Rexhepi ose “Dioniso Poulos”, i cili ishte arrestuar në Ekuador…”.

Arrestimi në Ekuador nuk e pengoi Dritan Rexhepin në aktivitetin e tij kriminal, pasi dyshohet se nga burgu drejtonte aktivitetin e rrjetit ku bënte pjesë në disa shtete. Në vitin 2016, Rexhepi u përgjua nga autoritetet italiane teksa fliste me një shpërndarës droge që kërkonte që ata të krijonin markën e tyre në këtë aktivitet. Nga burgu, ai propozoi emrin “Bello” dhe më pas, aktiviteti kriminal i tyre u njoh me emrin “kompania Bello” duke zënë gjithnjë e më shumë vend në qarkullimin ndërkombëtar të drogës nga vendet e origjinës drejt BE-së.

Gjatë gjithë kohës së qëndrimit në burgun e sigurisë së Lartë në Ekuador, Rexhepi ka mbajtur telefon në qeli ku besohet se prej aty, porositi e drejtoi trafikimin e 283 kg kokaine nga porti Guajakil i Ekuadorit ne portin e Portsmuthit ne Angli. Kjo sasi droge u grabit nga një kontejneri me banane në Angli dhe kjo ngjarje, dyshohet se u bë shkak për rrëmbimin e Jan Prengës, babai i tre fëmijëve me urdhër të Rexhepit, në 17 janar 2020 në Kamëz.

Pesë ditë pas pengmarrjes në Tiranë, disa biseda të përgjuara nga burgu ku ndodhej Rexhepi e ekspozuan atë në komunikim me vëllain e Jan Prengës në Angli ku thuhet se njerëzve të trafikantit në Angli u janë kthyer 106 kg kokainë dhe 700 mijë paund, pjese e ngarkesës së drogës të grabitur në Portsmuth. Gjurmët e fundit të Jan Prengës janë në një kompleks në Shijak ku besohet se është keqtrajtuar ndërsa trupi i tij nuk është gjetur asnjëherë.

Në vitin 2021, Ekuadori e liroi nga burgu me kufizimin për të mos dalë jashtë vendit, por shpejt, Dritan Rexhepi, i quajtur edhe si mbreti i kokainës apo mjeshtri i arratisjeve, humbi gjurmët dhe nuk u gjet më nga policia deri pak ditë më parë në 8 nëntor kur u arrestua nga policia turke.

Ora 09:47
VIDEO/ Momenti i arrestimit të shumëkërkuarit Dritan Rexhepi, i hapin kasafortën me orë të shtrenjta dhe varëse floriri

 

Ministria e Brendshme turke publikoi video e momentit të arrestimit të Dritan Rexhepit. Në banesën ku  u krye arrestimi I janë gjetur një kasafortë ku ai mbante pistoletë një sasi eurosh si dhe shumë ora të shtrenjta dhe varëse floriri.

1699606118_arrestimiidritanrexhepit.jpg

B.V//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Me resp per mozin: 13/11/2023 19:02

    Djemt e velshes jan super djem pastaj ky mozi a krenaria shqipris e ska ber i pislluk tjerat qe ja ven asht thjesht xhelozi .. as e njoh personalishit flas ate qe flitet resp per ket djalin .com

    Përgjigju
  • CaBone: 11/11/2023 15:01

    Shum gjynaf qe u kap. Me ckam degjuar un nga nje zog i vogel nje her, ky eshte akuzuar gabimisht e me te futme per vrasjet e Policeve te shkret. Dhe po ashtu i njejti zog thonte qe ka ndimuar shum e shum njerez & shum zemer gjere. Respekte per Shokun.

    Përgjigju
  • Iris: 11/11/2023 01:22

    Lum si ky,po bejne gare shtetet e botes me njeri-tjetrin, kush e kush t'a ekstradoje me pare, sepse kaq shume e duan! Pyesni pak dhe Amerikanet se mos ky dhe shoket e kompanise se tij kane derguar dorazi ndonje pako dhe andej,po e kerkuan dhe ata,jepuani falas pa pagese e pa nevoje kthimi.E dine ata si e tredhin pastaj kete /biznesmenin nderkombetar/,do t'a bejne te ndjeje mall per Velcen e Vlores!

    Përgjigju
  • tani: 10/11/2023 17:30

    ky qe ka vrare dy police duhej te ishte me dy burjime te perjetshme,,si eshte liruar ky..

    Përgjigju
    • Colja: 10/11/2023 23:04

      Mozi eshte velcak nga vlora edhe me norma. Harrojeni cfare thojne e trillojne keta jo jan prenga etj etj... o shqiptar i dashur qe mendon me i ber gol rradhe dikujt qe ka 20 vjet ne ate loje droge edhe doni me u ngritur aq shpejt. Mesoni rregullin nr1 cfare eshte e juaja eshte e juaja cfare eshte e tjetrit eshte e tjetrit. Nese zbatoni kete do jeni te pa vdekshem kudo ne cfare do lloj fushe e sdo perkuleni asnjehere. Rri ne port zbarko per djemt mos u merr me djemt se qelloj me fat qe i iku i vellai se keta te shuajne komplet...

  • Hahahah: 10/11/2023 16:09

    Cdo gje me plan i madhi ben tranzit ne stamboll qendhe po u kap nuk e ekstradojne ne europe por vetem mundesia per shqiperi aty ku i intereson atij ben ca vite ne shqiperi dhe del ai mjeshter super strateg

    Përgjigju
    • Gaga: 10/11/2023 17:37

      Kush ta ka treguar perrallen qe nuk ekstradon Turqia ne Europe? Po shqiperia i bije ne afrike, apo e ke fjalen per bashkimin europian? Edhe ketu gabon sepse marreveshjet e ekstradimit behen ndermjet shteteve te caktuara dhe jo me unionib. Nuk eshte strategji jo, por eshte kapje me lak si lepur. Dikush qe do i kete dale garant ne turqi nuk ka mundur ta shmange arestimin, kaq e thjeshte eshte. Ketij mw shume i interesonte te ekstradohej ne itali sesa ne shqiperi ku e ka nje te perjetshem dhe pritet te jepet i dyti. Kaq eshte, perrallat me strategji mos i beso. Ne shqiperi nuk del me, ne europe ka me shume shance se nuk ka akuze per vrasje.

  • Gripi: 10/11/2023 13:25

    Dritan Rexhepi ka te gjitha te zezat dhe meriton burgun perjete por Jan Prenga u vra nga Altin Hajri dhe Hajret e tjere ne kompleksin e Hajrave. Rexhepi i tha vellit te Janit qe ata me dolen nga fjala dhe i tregoi emrat se kush e kishte bere. Prokuroria dhe gjykata e korutuar i ka liruar Hajrat nga akuza bashke me pronen e tyre te droges dhe denon bahcevanin qe shfaqet ne kamera. Po keta qe permenda mesiper?

    Përgjigju
    • Salillari: 10/11/2023 19:19

      Ja hapen deren per me bujt apo per me masakru dhe me i zhduk kufomen dikujt? Minimumi denohesh per mos kallezim krimi e jo me keta qe ka prova te pakontesueshme qe jane perfshire koke e kembe. I mori ne qafe kamera qe kishte instaluar e jema se mos e vidhnin punetoret se Hajrat e perfshure ne krim e kishin fikur sistemin qendror. Ne shijak jane prere ne bese shume njerez prandaj vetem per mikepritje mos fol.

    • saliu: 10/11/2023 17:58

      Ca thu o grripi , po sikur u ngel ne dor atyre qe e moren peng, dhe kto i zune deren tjetrit duke qene ne hall t vete e skishin ku te mbyteshin, faji shijaksit qe i hapi deren ktyne

    • Ta zbriti: 10/11/2023 15:47

      Doçet e dukagjinit dhe jo shkodres ne shtepime e tyre e vrane apo ne kompleksin e Hajerve? Ai kompleks aty eshte ngritur me parate e Bajram Hajrit kur punonte ne kooperative apo me parate e droges? Po te jete me para te pastra terhiqem. Kujt kujtoni se po ja hidhni apo ndonje prokurori maskara te koruptuar? Doni te tregojme me shume te verteta ketu?

    • Xxxxxxxx: 10/11/2023 13:52

      Lajm i sakt po ketu eshte ber lesh arapi

    • Tahipi: 10/11/2023 13:40

      E vran Docet e shkodres dhe jo hajrat , mos ngaterro r.... me dollarin !!!

  • poli: 10/11/2023 12:27

    vrau babain e 4 femijeve,,,palaco...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?