Një raport i Global Initiative për Krimin e Organizuar, e konsideron Portin e Durrësit si rrugë kalimi të kokainës. I përfshirë në studim në mesin e nëntë porteve në Ballkan ku trafikohen lëndë narkotike që mbërrijnë nga vendet e Amerikës Latine, Global Initiative e konsideron të vogël Portin e Durrësit, por me një peshë të madhe sa i përket ndikimit tek grupet kriminale. Duke përmendur investimet e kryera në teknologji të lartë skanimi dhe kamerash sigurie, raporti nuk lë pa përmendur edhe pjesët e dobëta.
“Një rrugë prej 1 kilometër ndan terminalin e kontejnerëve nga makineritë e skanimit dhe, megjithëse është brenda perimetrit të portit, niveli i sigurisë së ofruar është dukshëm më i ulët se në zonat e tjera portuale. Kjo mund t'u japë aktorëve kriminalë që veprojnë në port hapësirë dhe kohë për të manipuluar kontejnerët përpara se të kontrollohen”, thuhet në raport.
Global Initiative përmend edhe një rrugë të brendshme që lidh portin e peshkimit me atë të kontejnerëve, që sipas tij krijon lidhje për shkarkimin e sasive të drogës.
“Afërsia e portit të peshkimit me terminalin e kontejnerëve e bën atë të pambrojtur ndaj një shkeljeje sigurie. Në përgjithësi, terminali i kontejnerëve është i siguruar mirë, por është gjithashtu i lidhur me portin e peshkimit nëpërmjet një rruge të brendshme ku peshkatarët mund të hyjnë lehtësisht. Edhe pse peshkatarët nuk mund të hyjnë në terminal pa një distinktiv zyrtar, ka pasur raste kur ata kanë tentuar të shkarkojnë drogën nga kontejnerët e ruajtur në këto zona”, vijon raporti.
Në Portin e Durrësit është shtuar ndjeshëm forca goditëse e rasteve të kapjes së kokainës, kjo ndikuar edhe nga investimet në teknologji dhe bashkëpunimit të autoriteteve, por Global Initiative vëren se ka pak ndjekje penale të nivelit të lartë. Madje shkon deri aty sa pretendon se porti do të jetë i cënuar nëse kriminalët e mëdhenj do të vijojnë të mendojnë se nuk kanë ndjekje penale.
“Numri i lartë i kapjeve të kokainës në portin e Durrësit tregon jo vetëm se porti është një pikë hyrëse e rëndësishme për trafikun e drogës, por edhe se autoritetet portuale dhe policia po përmirësojnë aftësinë e tyre ndaluese. Megjithatë, ekziston një model i qartë që të arrestuarit janë zakonisht kriminelë të nivelit të ulët, të cilët nuk janë të angazhuar në tregtinë ndërkombëtare të drogës, por më tepër janë një shërbim shpërndarjeje që punon me pagesë. Ndërkohë që siguria në port mund të përmirësohet dhe bashkëpunimi me forcat e rendit po bëhet më efektiv, porti do të mbetet i cenueshëm nëse kriminelët e mëdhenj mendojnë se rreziku i tyre i ndjekjes penale është i ulët”, thotë raporti.
Në raport gjenden lidhje edhe të emrave të njohur të botës së krimit, të cilët në mënyrë legale kanë qenë të përfshirë. Një ndër to është edhe Edmond Koçi, i ekzekutuar në mars 2021.
“Duke qenë se porti është një aktor i rëndësishëm ekonomik për qytetin, shumë prej grupeve kriminale janë të përfshirë edhe në operacionet portuale nëpërmjet kompanive legale që ofrojnë shërbime të ndryshme. Për shembull, në mars 2021, Edmond Koçi, pronari i një kompanie logjistike që operonte brenda portit dhe një pjesëtar i shquar i kriminelit të Bandës së Durrësit u qëllua për vdekje teksa drejtonte makinën e tij. Para vrasjes së tij, Koçi ka qenë i njohur për policinë, nga hetimet ka rezultuar se ai ka qenë aksioner dhe pronar në hije i kompanive të ndryshme të anijeve që operojnë aktivisht në portin e Durrësit”, thuhet në raportin e Global Initiative”, shkruhet në raport.
Global Initiative shton se në Portin e Durrësit nuk trafikohet vetëm kokainë, por edhe heroinë, cigare apo para. Ndër to përmend edhe kapjen e 3.4 milionë eurove të mbërritura me Toyota Yaris në vitin 2018. Raporti konsideron se qyteti i Durrësit dhe porti i tij bashkojnë interesat e shumë grupeve kriminale në një rajon që njihet si pikë e nxehtë e trafikut të drogës dhe qenieve njerëzore. Është gjithashtu një magnet për kriminelët nga pjesë të tjera të vendit.