Rama-opozitës: Hapni sytë! Në 2006 erdhi investitori i madh por i kërkuat 50% për portin e Durrësit

24 Nëntor 2022, 12:40| Përditesimi: 24 Nëntor 2022, 14:42

  • Share

 

Kryeministri Edi Rama ka kthyer në vëmendje një sipërmarrës që erdhi në kohën kur vendi drejtohej nga PD për të investuar në Portin e Durrësit, por pretendon se qeveria e asaj kohe kërkoi 50%.

Kështu sipërmarrësi shkoi në Mal të Zi ku ndryshoi ‘Porto Montenegro’ çka solli rritje të pagave dhe përmirësim të të ardhurave të vendit.

“Dikur, në kohën kur në Shqipëri sapo kishte të qeveriste “Napoleoni i gjirizeve”, zbriti në Durrës një farë Piter Mang, sipërmarrës i sërës së lartë nga Kanadaja. Ai ia kishte vënë syrin portit të Durrësit me një vizion të qartë për ta kthyer në një portë të re joshëse për Mesdheun, pranë Amfiteatrit më të madh që romakët ndërtuan jashtë Romës, njeriu i duhur, në kohën e në vendin e duhur, por që ra mes minjve të gjirizit napolonik të kohës, të cilët i kërkuan ta kërcejë Napoleonin me shaminë e ndarë përgjysmë; “Gjys për ty e gjys për ne, plako, se ka zot Shqipëria”.

Ishte diku viti 2006. Iku me të katërta sipërmarrësi vizionar, pasi erdhi vërdallë gjirizeve nja tre herë. E mbajti frymën në Malin e Zi, ku i dhanë gjithë çfarë kërkoi, ndërsa ai u dha mbrapsht investimin që ndryshoi përgjithmonë vendin fqinj, destinacionin e famshëm turistik me emrin “Porto Montenegro”.

Merreni e shikojeni ecurinë e bilancit të pagesave të Malit të Zi dhe studiojeni kurbën e tyre dhe aty do të vini re se, aspak çuditërisht, një rritje të ndjeshme e rrogave në të gjithë Malin e Zi, në sektorin privat dhe publik.

Hapini sytë.

Çfarë sy të hapni ju, nuk ju lë mallkimi që keni mision. Rritje e ndjeshme dhe e qëndrueshme përkon pikërisht me periudhën kur mori jetë investimi i kanadezit që u përzu nga Shqipëria. Ai investim ishte, sidoqoftë, thuajse 10 herë më i vogël në vlerë, sesa investimi që do të miratojmë ne sot këtu për Durrësin, të cilin po të mos e kishin trajtuar atëherë, si lodër në duart e tyre të pista, zëdhënësit e sotëm të hijes së mallkimit që përndjek Shqipërinë, do të kishin prej vitesh atje, portin e tij turistik dhe shqiptarët, që nga durrsakët, por edhe të gjithë të tjerët, do të kishin prej kohësh të mirat dhe të ardhurat e mëdha që ai port do t’i kishte sjellë vendit tonë, jo Malit të Zi”, tha Rama.


Lajmi kryesor:

Pas 14 orëve debat, Kuvendi miraton projektin e Portit të Durrësit! 74 vota pro dhe 35 kundër! Mungon në votim Rama! Socialistët duartrokasin, opozita akuza të ashpra


  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?