Në furgon nga Bari në Durrës me 18 ora të shtrenjta, bizhu e medaljonin 'Armand', Antiskifterat arrestojnë shoferin, pasagjerin dhe pronarin e makinës

2 Prill, 10:02| Përditesimi: 2 Prill, 10:52

  • Share

DURRES- 18 ora dore të markave të shtrenjta, varëse, unaza dhe vathë floriri e jo vetëm u gjetën gjatë kontrollit të një furgoni nga policia kufitare e Durrësit. Furgoni ka mbërritur në portin e Durrësit me tragetin e Barit dhe dyshohet se sendet me vlerë të cilat do të futeshin në Shqipëri janë të vjedhura.

Policia ka arrestuar në flagrancë 2 shtetas, drejtuesin e automjetit ku u gjetën sendet me vlerë, Eduart Selimi, dhe pasagjerin e këtij automjeti, Mateos Rama. Në pranga ka rënë dhe pronari i këtij automjeti, Behar Rexha, me precedent të theksuar kriminalë, pasi dyshohet si bashkëpunëtor i tyre.

Me hyrjen  në portin e Durrësit furgoni tip Benz i bardhë kaloi në vijën e dytë për t’u kontrolluar me imtësi.

"Si rezultat i kontrolleve të imtësishme në këtë automjet dhe kontrollit fizik ndaj shtetasit Mateos Rama  shërbimet e Policisë gjetën 18 ora dore të markave të shtrenjta, bizhuteri të ndryshme floriri dhe argjendi, 1 bllokues valësh, 25 monedha të prerjes 2 euro dhe 6 celularë' informoi sot policia e Durrësit. 
Mes tyre është dhe një medaljon me emrin "Armand"

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve në Durrës arrestuan në flagrancë Eduart Selimin, 40 vjeç, banues në Tiranë dhe drejtues i automjetit ku u gjetën sendet me vlerë dhe Mateos Ramën, 31 vjeç, banues në Tiranë, pasagjer në këtë automjet.

Në pranga u vu në edhe Behar Rexha banues në Tiranë, pronari i automjetit ku u gjetën sendet me vlerë, "pasi nga veprimet hetimore dyshohet se ka bashkëpunuar me 2 shtetasit e tjerë, për të futur në Shqipëri, sendet më vlerë që dyshohet se janë siguruar nga veprimtari kriminale' saktëson policia.

Sendet me vlerë u sekuestruan bashkë me furgonin ku u gjetën dhe 3 pasaporta.

Ndërkohë vijon puna për përcaktimin e vendit të origjinës së sendeve të sekuestruara, në bashkëpunim me homologët e vendeve të BE-së dhe Njësinë Antiskifter. Materialet proceduriale i janë kaluar Prokurorisë.

Operacioni policor u kodua “Aksesorët”. 

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?