Anija komanduese e Flotës së 6-të të Shteteve të Bashkuara, USS Mount Whitney u ankorua në Porto Romano të Durrësit, ndërsa në bordin e saj u ngjitën përfaqësuesit më të lartë të shtetit, Bajram Begaj, Elisa Spiropali, Pirro Vengu, me ftesë të ambasadës së SHBA. Në ceremonyi u theksua partneriteti i ngushtë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, një aleate kyçe e NATO-s.
"Ekuipazhi i ‘Team 20’ është i nderuar të ndodhet këtu dhe të vazhdojë ndërtimin e lidhjeve të qëndrueshme me aleatët tanë. “Shqipëria mbetet një partner thelbësor në operacionet e NATO-s, dhe vizita jonë në Porto Romano është dëshmi e forcës së kësaj aleance. ", deklaroi Kapiteni i Marinës së SHBA, Colin Price.
Kryediplomatja në Tiranë tha se SHBA-të mbështesin Shqipërinë në projektin për ndërtimin e një porti të madh në Porto Romano, ku mund të ankorohen anijet e mëdha ushtarake, sepse mund të përdoret dhe nga NATO.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin plotësisht dhe nxisin zhvillimin e një baze detare nga Shqipëria me kapacitet portual mallrash në ujëra të thella pikërisht këtu në Porto Romano. Investimi i Shqipërisë në përforcimin e Porto Romanos do t’i tregojë rajonit – dhe të gjithë Europës – aftësinë e Shqipërisë për të qenë një drejtuese e vërtetë në Aleancën e NATO-s.”, u shpreh VanHorn, e Ngarkuara me Punë e SHBA në Tiranë.
Komanda e Flotës së 6-të të SHBA, me seli në Napoli, Itali, kryen gamën e plotë të operacioneve detare e të përbashkëta, shpesh në bashkëpunim me aleatë dhe partnerë ndërinstitucionalë, me synim çuarjen përpara të interesave kombëtare të SHBA, sigurinë dhe stabilitetin në Europë e Afrikë, si dhe lirinë e lundrimit në dhe përreth Mesdheut.
Komente
