Porto Romano-Çernobili i Adriatikut: Kulmi i papërgjegjëshmërisë së pushtetarëve dhe ekstrem i indiferencës së qytetarëve të Durrësit

17 Shkurt 2021, 10:00| Përditesimi: 17 Shkurt 2021, 12:09

  • Share

Pak e dinë se Durrësi nga niveli i rriskut mjedisor ishte i krahasushëm me Çernobilin.

Ky mal i mbetjeve urbane në qytetin e Durrësit, ishte anti-reklama më efikase kundrejt zhvillimit të turizmit në Durrës dhe Shqipëri. Ky ishte kulmi i papërgjegjëshmërisë së pushtetarëve dhe ekstremi i indiferencës së qytetarëve.

“Porto Romano”, ndryshe “Porta Romake”. qytetarëve të Durrësit, ju sjell në mëndje Fabrikën e Lindanit ose sheshin, deponinë thonë në Kosovë, ku grumbulloheshin për shumë vite plehrat e qytetit. Fatkeqësisht, në kohën kur përdorimi i Lindanit (një pesticid universal për bujqësinë) ishte ndaluar në vitet 1970, në Shqipëri u ndërtua Fabrika e gjashtë më e madhe në botë me teknologji kineze për prodhimin e tij. Pas viteve 1990, Porto Romano u konsiderua si “pikë e nxehtë ose hot spot” nga institucionet Shqiptare dhe ndërkombëtare (BE, Banka Botërore), për shkak të stokut, përqëndrimit dhe toksicitetit të lartë të pesticidit. Pak e dinë se Durrësi nga niveli i rriskut mjedisor ishte i krahasushëm me Çernobilin. Pas viteve 2000, me mbështetjen financiare dhe teknike të BE, u bë i mundur grumbullimi dhe largimi nga Shqipëria i stoqeve dhe mbetjeve të rrezikshme nga Porto Romano. Kështu Durrësi mori frymë nga një e keqe e madhe.

Banka Botërore dhe Organizatat Ndërkombëtare e hoqën Durresin nga harta problematike edhe pse mbetjet e Lindanit janë të pranishme në produktet bujqësore shqiptare të cilat kthehen nga eksporti here pas here. Por ende pa u shëruar plaga e vjetër, në vitet 2000 në Porto Romano fillon e mavijoset plaga e re “Deponia e plehrave” të qytetit, një “Krim i Ri Mjedisor”. Vlerësohet se rreth 900 000 m3 mbetje, të gjithë llojeve, nga ato shtëpiake e deri tek mbetjet e rrezikshme kimike dhe spitalore u grumbulluan aty ndër vite.

Studimet tregojnë se ndotja ka kaluar në ujërat nëntokësorë, duke u shpërndarë në hapsirën e Durrësit dhe duke bërë të dyshimtë cilësinë e tyre. Përmbajtja e Kromit (Cr) Azotit dhe

Fosforit (N dhe P) në ujërat e kanaleve kulluese, është shumë herë më e lartë nga norma e lejuar. Pasojat lidhen me sëmundjet e njerëzve, eutrofikimin e ujërave, konsumin e O2 dhe problematikën zinxhir në mjedisin ujor detar. Duket se rritja e algave dhe leshterikëve në bregdetin e Durrësit është ndikuar fort nga derdhja e ujërave të ndotura në det. Degradimi i parametrave të cilësisë së mjedisit (vlera të larta të substancave toksike) rreth parcelës ku depozitoheshin mbetjet e Durrësit ka qënë në nivele katastrofike. Rrjedhja e lëngjeve me përmbajtje të kimikateve toksik dhe kancerogjenë, zjarret e shkaktuara nga vetëndezja e mbetjeve kryesisht në kohë të thatë, emetimet e dioksinave dhe furaneve si lëndë kancerogjene, kanë qënë kërcënim i vazhdueshëm për shëndetin e banorëve të zonës.

Ky mal i mbetjeve urbane në qytetin e Durrësit, ishte anti-reklama më efikase kundrejt zhvillimit të turizmit në Durrës dhe Shqipëri. Ky ishte kulmi i papërgjegjëshmërisë së pushtetarëve dhe ekstremi i indiferencës së qytetarëve.

Një gjë është e sigurtë, ndotja në “Porto Romano” nuk ka qënë pa pasoja për shëndetin e banorëve të cilët janë ekspozuar ndaj ndotjes për vite me radhë nëpërmjet ajrit, ujit ose zinxhirit ushqimor, pasoja të cilat mund të jenë të pranishme në një panoramë afatgjatë. Banorët janë ndjerë mirë dhe mirënjohës duke mos paguar shërbimin e largimit të mbetjeve, ndërkohë që e kanë paguar atë 1000 herë më shumë në farmaci, spital….

Mbas largimit të mbetjeve nga “Porto Romano” banorët e Durrësit po marin frymë lirshëm, pa frikën se do të marin bashkë me ajërin thërmijat kancerogjene (PM) apo substancat toksike (CO, NO2, SO2, H2S, CH4 etj) të çliruara për vite me radhë nga djegia, oksidimi apo dekompozimi i mbetjeve. Mbyllja e vëndit të depozitimit të mbetjeve në “Porto Romano” është një lajm i mirë për banorët dhe ata që vizitojnë Qytetin e Durrësit. E drejta për një mjedis të pastër është nga më të rendësishmet ndër të drejtat humane por ajo mund të garantohet vetëm nëse e dëshirojmë dhe e mbrojmë atë në çdo rast.

*Prof. Dr. Seit Shallari
Përgjegjës i Departamentit të Agromjedisit dhe Ekologjisë Universiteti Bujqësor i Tiranës

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?