Ndërtimi i portit të ri tregtar në Porto-Romano dhe lidhja e tij me Portin e Thatë në Prishtinë, duke përdor hekurudhën Durrës-Prishtinë, ishte projekti ambicioz i prezantuar përpara dy qeverive nga kompania holandeze Royal Hackoning.
“Nëse ky port do të ndërtohej, do ta ndryshojnë lojën jo vetëm për dy shtetet, por edhe për tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Eric Smit Drejtor i Royal Haskoning DHV.
Shkëmbimet tregtare mes vendeve pritet të rriten shumë nga ky projekt ndërsa hekurudha do të shërbejë për transportin e kontejnerëve. Ndërsa për kryeministrin Edi Rama ky projekt rrit pozitat e shteteve në Ballkan.
“Një projekt që transformon në mënyrë rrënjësore gjithë infrastrukturën e zhvillimit të marrëdhënieve tregtare mes vendeve, nxit ekonominë mes 2 vendeve, e vendos Shqipërinë dhe Kosovën në qendër të një graviteti rajonal dhe e kthen Durrësit në një nga portat më strategjike ekonomike të Mesdheut. Kemi firmosur bashkë financimin e studimit të fizibilitetit për të shkuar te projektimi i hekurudhës Durrës-Prishtinë”, tha Rama në konferencë pas përfundimit të mbledhjes së dy qeverive.
Në projektin për ndërtimin e Porto Romanos, përfshihet edhe ndërtimi i Portit të Thatë që do jetë në Prishtinë, i cili është parashikuar të ketë një terminal, ku do përpunohen 100 mijë kontejner deri në 2050.
“Kemi hekurudhën, Portin e Durrësit dhe atë të Thatë në Prishtinë. Deri në vitin 2050 do të mund të ketë potencial deri në 100 mijë kontejnerë që të trajtohen në Portin e Thatë në Prishtinë. Porti i Thatë jep shumë mundësi dhe është një infrastrukturë ideale për ta hequr stresin nga portet detare. Kjo i lehtëson disa pjesë shumë thelbësore të portit detar”, tha Smit.
Ndërsa Porto-Romanos do të ketë një sipërfaqe prej 400 hektarë me kapacitet prej 2 milionë kontejnerë deri në 50 milionë tonelata. Po ashtu parashikohet të presë deri në 1 milionë pasagjerë. Nëpërmjet këtij projekti distanca me Prishtinën pritet të shkurtohet në 265 kilometra.
Synimi është që të bëhet i mundur integrimi i infrastrukturës portuale dhe hekurudhore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës duke realizuar një portë të klasit botëror për në Ballkanin Perëndimor, tha në prezantimin e projektit drejtori i kompanisë holandeze.
Projekti i investimit në Porto Romano, në përfundim të tij përllogaritet të ketë një impakt pozitiv në GDP e Shqipërisë nga 3% deri në 6%, ndërsa për Kosovën ende nuk ka një përllogaritje të saktë, pasi porti i saj tokësor do të ketë kapacitet më të ulët.