Një protestë e ekstremit të djathtë nën sloganin “kundër islamizimit të Evropës” u mbajt në kryeqytetin e Portugalisë, Lisbonë. Një grup i ekstremit të djathtë që e quan veten “1143” organizoi demonstrata nën sloganin “Kundër islamizimit të Evropës”.
Demonstruesit e mbledhur brohorisnin me parulla kundër muslimanëve, emigrantëve dhe islamizimit të Portugalisë dhe vendeve evropiane.
Pavarësisht ndalimit të gjykatës, në rrugët e Lisbonës u mbajt një protestë ku morën pjesë disa qindra njerëz, raporton media turke Anadolu.
Protesta u zhvillua me ftesë të grupit të ekstremit të djathtë “1143” nëpërmjet internetit.
Të tubuarit mbanin pankarta me mbishkrimet “Stop Islamit”, “Portugalia e portugezëve” dhe kënduan himnin kombëtar dhe brohoritën “Portugali, Portugali”.
Protesta u shoqërua nga një numër i madh i pjesëtarëve të policisë ndërsa disa kalimtarë thërrisnin “fashizëm kurrë më”.
Portugalia është një vend ku të krishterët janë shumicë. Sipas regjistrimit të vitit 2021, muslimanët përbëjnë rreth 0.4% të popullsisë së përgjithshme të vendit. Vlerësimet tregojnë se rreth 65 mijë muslimanë jetojnë në vend.