Portugalia për herë të dytë në histori është fituesja e Ligës së Kombeve.
Luzitanët, edhe pse jo favoritë, arritën që të mposhtnin në finale Spanjën pas 120 minutave të përfunduara me shifrat 2-2. Në Allianz Arena të parët realizuan iberikët me Zubimendin, ndërsa pa kaluar shumë barazoi Mendes për portugezët.
Pa mbaruar pjesa e parë Oyrazabal i dha sërish epërsinë skuadrës së De La Fuente-s, që ishte kampionia në fuqi e Ligës së Kombeve dhe njëkohësisht fituesja e Evropianit në 2024. Megjithatë edhe ky gol nuk mjaftoi, pasi 40-vjeçari Cristiano Ronaldo, i cili nuk ka ndërmend të ndalojë, barazoi në 2-2 dhe dërgoi finalen në shtesë. Për fituesin e 5 Topave të Artë ky ishte goli i 138 me kombëtaren.
Në shtesë nuk pati golat të tjerë, me dy kombëtaret që iu drejtuan penalltive. Nga 11 metrat më të saktë u treguan portugezët, pasi Alvaro Morata gaboi për spanjollët. Ish-sulmuesi i Realit dhe Milanit, tani pjesë e Galatasaray-t, u shpreh se me shumë mundësi kjo ishte ndeshja e fundit në kombëtare. Ndërkohë fitorja solli lot te Ronaldo dhe festë të madhe te portugezët.
Ky ishte trofeu i 3 në historinë e Portugalisë. Të 3 të fituar në epokën e Ronaldo-s, i cili pas ndeshjes zbuloi se luajti i dëmtuar, ndërsa tha se ‘asgjë nuk shijon më shumë se trofetë me kombëtaren’. Në fund Ronaldo zbuloi edhe se pritet të rinovojë me Al Nasr në Arabinë Saudite pas përfundimit të kontratës pak ditë më parë.
Finalja e Ligës së Kombeve pati edhe një incident të rëndë, teksa nga kati i dytë i stadium Allianz Arena një tifoz u rrëzua dhe humbi jetën në spital.
Komente
