Poshtë të huajt! Rrofshin të huajt!

18 Qershor, 15:38| Përditesimi: 18 Qershor, 15:44

  • Share

Është për t’u studiuar dhe me interes të lartë fakti se si disa politikëbërës dhe opinionbërës të vendit tim, me një lehtësi spektakolare arrjnë të ofrojnë si mendim në publik pjata të njëjta, por me emra totalisht të kundërt.

Duke kaluar në vëmendje zhvillimet e fundit të ndodhura që nga reportazhi i Rai Tre që e konsideronte Shqipërinë si Narkoshtet, deri tek vendimi i Komisionit të Posaçëm të Apelimit të Emigracionit në Londër, i cili nuk u bind të lejojë Sali Berishën në territorin anglez pas shpalljes “non grata”, humori i disa bashkëkombësave tanë në lidhje me simpati/urrejtjen ndaj të huajve pësoi, mund të themi pa frikë, lëkundje sizmike.

Dashuria e pakufi, mirëbesimi, vlerësimi, lëvdatat, adhurimi, hiperbolizimi ndaj një gazetari të huaj që ua përkëdhelte sedrën duke quajtur Shqipërinë Narkoshtet, njohu një ekstazë që e pamë të vazhdonte disa ditë me “fishekzjarre” spektakolare si të ishte një jubile shumë i rëndësishëm diçkaje.

Anatemimi, urejtja, mallkimi, nënvleftësimi, racizmi, përbuzja, shpërfillja, ndaj institucioneve që dhanë një vlerësim ndaj liderit suprem, arriti gjithashtu pika kulmore zie, si të ishte një funeral i papërballueshëm.

Është pak jo serioze sjellja e kujt na i paraqet Shtetet e Bashkuara si partnerë strategjikë kur sulmojnë armiqtë tanë të brendshëm, dhe në të njëjtën kohë, iu vërsulen pa mëshirë duke i konsideruar si sharlatanë, sorosianë, “kinezë” apo “koreanë” (siç vetëm mendjengushtët dinë të bëhen racistë ekstremistë), nëse mbështesin politikat e zhvillimit të Shqipërisë. E njëjta gjë me Britaninë e Madhe, ku ngrihet në qiell të shtatë çdo rresht i çdo medie rozë që shkruan kundër Shqipërisë dhe sterrosen institucione dhe ambasadorë nëse nuk sillen sipas parashikimeve të klanit të vulosur si regresist.

E njëjta sjellje vërehet prej kohësh edhe ndaj SPAK që sulmohet, shahet, damkoset nëse nuk arreston kë dëshiron ky grup i caktuar dhe lavdërohet sapo SPAK vë në shënjestër atë që e kanë përzemër të hetohet.

Kjo lëkundje humori do të merrte shumë epitete, kategorizime, cilësime, nga i njëjti grup bashkaktdhetarësh që shpërndajnë me lehtësi përcaktime shumë të rënda për të tjerët, por ekspozimi i tyre mjafton për këdo të kuptojë se më shumë se me të huajt, marrëdhënia e çuditëshme e këtij grupimi, vazhdon të mbetet ajo me vetveten. Pikërisht, shmangia e këtyre lëkundjeve dhe qëndrimeve kaq ekstreme arrihet nga çka njerëzimi e ka quajtuar me fjalën e madhe dhe të rëndësishme: Civilizim. 

a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Berti: 18/06/2024 21:38

    Shum mire alba

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?