Presidenti Ilir Meta

Opinion

Poturet e Ilir Metës

30 Prill 2021, 12:47| Përditesimi: 30 Prill 2021, 12:50

  • Share

Zgjedhjet përfunduan. Tashmë dihen 140 deputetët e ardhshëm të Shqipërisë. Më parë se të ketë pasur parregullsi, ka patur fitues e humbës. Me më shumë se 140 mijë vota plus ndaj opozitës, PD-AN, Edi Rama po vazhdon mandatin e tretë, një rast i rrallë ky në Shqipëri.

Si është pritur, sepse kështu ka ndodhur gjithnjë pas humbjeve, opozita, tani për tani, nuk i pranon zgjedhjet e verdiktin e dhënë, megjithëse të dielën në darkë ishte e bindur për fitoren. Zërat për lëvizje radikale do të shtohen në ditët e ardhshme, deri sa të shuhen. Edhe thirrjet për një „dekret të posaçëm presidencial“, që do të çonte drejt anulimit të zgjedhjeve janë zëra në shkretëtirë. Ilir Meta, hë për hë, duhet të kujdeset të çojë poturet e veta. Pastaj të shohë poturet e Edi Ramës.

Pas 8 viteve në qeverisje dhe i konsumuar nga pushteti, ku solli jo vetëm gabime të mëdha, por edhe faje, të duket e habitshme që Edi Rama ruan të njëjtën pjesë të parlamentit.

Por, kjo ndodhi. Ajo që, nuk pranohet sot, do të pranohet nesër. Opozita do të kthehet me një këmbë në parlament, edhe pse Berisha e Mark Marku nuk duan. Nëse nuk kthehet, do të asfiksohet. Nëse kthehet me një mendim tjetër, mund të sjellë ndryshimin e saj.

Ndryshe, edhe në vitin 2025 Edi Rama do të ketë mandatin e katërt!

Kush mund të largojë Edi Ramën nga pushteti? Të gjitha shpresat se kjo mund të ndodhë në prillin e vitit 2021 tani janë shuar. I futur në betejë që në shtatorin e vitit të shkuar, duke ngritur një korpus të tërë strukturash, ai shikonte se si kundërshtari i tij do të priste muajin shkurt për të bërë lëvizjen e radhës. Si përherë, i vonuar.

Qëndrimi i gjatë në pushtet sjell autokracinë e, më pas, oligarkinë. Autokracia e pushtetit është e dhimbshme, por përtej saj, e dëmshme. Por, edhe autokracia e liderëve të opozitës është njëlloj e dëmshme dhe e pa fryt.

Janë katër vite para deri në zgjedhjet e ardhshme. A do të ketë një figurë politike që do e përballojë autokracinë e Ramës, pushtetin e tij dhe strukturën e ngritur furishëm?

Kandidati i parë ishte Lulzim Basha.

A mundet ai ta bëjë këtë, qoftë edhe pas katër viteve?

E vështirë, në mos e pamundur.

Në zgjedhjet e 25 prillit Basha kishte sigurinë e verbër të shigjetës, që nuk shikon asgjë tjetër veç Nishanit.

Në politikë nuk ka gjë më të gabuar se siguria e verbër. Basha ecte para, por në mënyrë fatale. Ndryshe nga të tjerët, ai dinte gjithçka dhe mohonte gjithçka. E dinte humbjen, por e mohonte dorëheqjen. Ai e ktheu PD-në në një mishmash politik, ky është gabimi i atyre mendjeve që zëvendësojnë arsyen dhe logjikën me përkohshmërinë dhe cektësinë.

Asnjëri prej atyre që e rrethon nuk është më i aftë se sa ai; meskiniteti rrethues bëri që dishepujt e tij të ishin “revole në xhepa”, por jo mendje. E ktheu PD-në, edhe më tej, në një sallë ku është e pranishme gjithçka: padija, budallallëku, pritshmëria, zemërimi, mëria, përbuzja ndaj vlerës dhe pritja. Më tej, gjumi.

Dalja e tij nga parlamenti, duke lënë sheshin e lirë për kundërshtarin ishte budallallëku më i madh që mund të bëjë një drejtues partiak. Ende, as sot, askush nuk e di pse dolën, si lindi kjo ide një mbrëmje dhe u bë fakt në mëngjes. Basha, edhe pse më i afirmuari, nuk është njeriu që mund të prijë gjatë, pasi gjithçka e ka fituar lehtë, nga miqësia me bijën kryeministrore dhe pazaret e radhës.

Në PD ka burra të denjë për Shqipërinë, por më shumë burra të denjë për burgun. Të denjët për Shqipërinë, me përjashtime të veçanta, u braktisën, të denjët për burgun u afruan.

Basha u emërua kryetar, por nuk u bë lider. Ai mund të mbetet kryetar, por karrigen e liderit e ka dikush tjetër. Nuk mund të jesh gjithkush, kur nuk të do askush. Ai hyrë në zgjedhje për të qenë Njëshi i vetëm, por ngeli vetëm aq. Shtesa e votuesve në zgjedhjet e fundit nuk është gjë tjetër veçse rikthimi i plangprishësve të katër viteve më parë. Të mburresh se t’u kthyen njerëzit në shtëpi, do të thotë se deri asaj dite ke pasur portën e mbyllur.

Basha është njeri që mendon se është i pagabueshëm, kur gabimet ia kanë zënë frymën forcës së tij politike. Jo braktisja, por të qenurit i pranishëm është vlerë. Ikja nga parlamenti e bëri atë burracak, kur mendoi se po trimërohet. Përbetimi i tij ishte i shurdhër dhe shikimi i tij ishte i mangët.

Basha nuk do e mundë asnjëherë Edi Ramën. Nuk ka stofin e njeriut që fiton, por të atij që ankohet. Nuk është virtyti, por shpirti i munguar. Viti 2017 tregoi se është lehtësisht i manovrueshëm dhe i thyeshëm. Lakmia e tij është dobësia e tij. Viti 2021 tregoi se , megjithë zërin e prerë dhe këshilltarët izraelitë, ai nuk bëhej dot Jezusi i demokratëve. Izraelitët “e vranë” që në çastin kur e mësuan të hipte mbi makinë. Ai është dendy, jo prijës. Hipja në makinë nuk të bën prijës e as lider. Idetë të bëjnë. Forca të bën. Vizioni të bën. Nuk mund të jesh i madhërishëm kur rrëzohesh dhe ai është rrëzuar katër herë.

Berisha është i vetmi që mund të krahasohet me Ramën. Ai mund ta rrëzojë Edi Ramën, ashtu si Edi Rama e rrëzoi atë.

Por Berisha ka kundër vetes dy gjëra: moshën dhe konsumimin e aktit të tij politik. Ai është i furishëm, por jo i besuar. Ai të indinjon kur mohon gjithçka dhe nuk besohet kur pohon gjithçka.

Por ai ka në anën tjetër dy gjëra që i mungojnë Bashës: është i furishëm dhe e njeh lojën e politikës me mirë se bisturinë.

Për Berishën nuk ka rrugë të mesme. Ose të gjitha, ose asgjë. Ai nuk do e kishte bërë kompromisin e vitit 2017 dhe vështirë se do e besonte se hipja mbi makinë dhe përbetimet e dhuratave të shtojnë votat.

Berisha i njeh njerëzit, ai e beson se një popull praktik e di se nga kumbullat e tharta, të mpihen dhëmbët. Ai ka një mënyrë të foluri të prerë, plot zjarr dhe pasion, theksin të vendosur dhe e gjithë fytyra e tij ka pamje të indinjuar. Edhe kur mashtron, edhe kur thotë të vërtetën, nuk skuqet.

Është i vetmi që e di se nuk mund të fitohet me Edi Ramën përmes votave, por me dhunë. E predikon dhunën tash 30 vite dhe kjo e ka bërë të pabesueshëm për shumicën, por idhull për pakicën.

Ai ishte dikur shërbëtor i gjinisë njerëzore, për t’u bërë më pas demoni i saj.

Ai e trajton partinë si fëmijën e tij, ndërsa Luli si njerkë! Berisha i sheh asaj pushtetin, Basha i sheh pasurinë! Berisha është tragjik në qëndrimin e tij, Basha anon nga komikja.

Berisha do të kishte shansin, nëse do të ishte 30 vite më i ri. Ai ende e di se në PD nuk ka asnjë tjetër më të mirë, më besnik dhe shpërbles se sa Basha. Përmes tij, tani për tani, mbron veten, fëmijët dhe të shtuarit e familjes. Nëse mendon se Basha nuk e bën më këtë, ai do e largojë dhe do të zgjedhë një tjetër, që t’i ngjajë, ta rritë vetë katër vite dhe të jetë alter egoja e tij.

Basha e sheh katastrofën në lindje,kur ajo është në perëndim. Basha, edhe në janarin e këtij viti , nuk e dinte se kush do të ishin drejtuesit politikë, ndërsa Berisha do i kishte caktuar një vit para. Edi Rama gëzohet me pleqërinë e Berishës dhe me parritjen e Bashës.

Shakun e humbjes shpesh herë njerëzit e gjejnë në mos-hapjen e opozitës. Nuk është kjo. Humbja është në filozofinë e saj, në perceptimin e së keqes si mundësi dhe afishimin e saj si rrugë qeverisje.

Një opozitë që nuk shkëputet dot nga ngjarje tragjike që ka mbjellur në qeverisjen e saj, si 21 janari, Gërdeci etj nuk mund të rivijë në pushtet, pasi është krrusur nën peshën e fajit. Aq më tepër, kur nuk shkëputet dot nga filozofia e tërheqjes pranë vetes të strukturave të dhunës dhe moskundërshtimit të së keqes, sa herë që ajo shfaqet.

Opozita mund të ketë Lulzim Bashën drejtues, ose ta largojë atë, por kjo nuk e ndryshon dhe nuk e afron me fitoren. Ai, në fakt, megjithë mëkatet, sundon mbi ato që ka pranë dhe , megjithëse do të ndjejë shpejt peshën e sulmeve kundër tij, mund t’i përballojë. Askujt nuk i vjen largimi nga mediokriteti.

Atëherë, kush do e mundë atë?

Meta tashmë kërkon shumë kohë që të merret seriozisht. Pasi përfundoi pajtimin në familje, tani do i duhet shumë kohë të gjejë rrugën për t’u menduar se ka ndryshuar.

Sa të bëhet ai i besueshëm, Rama ka marrë mandatin e katërt!

Meta iku nga trualli i rritjes së tij, nga socialistët, për të ngrënë në çanakun e të djathtëve, të cilët humbën edhe prej tij.

Askush nuk i ka sjellë më shumë dëm PD-në në këto zgjedhje, se sa ngërdheshjet politike dhe britmat çjerrëse të Metës. I rrethuar nga dallkaukë, të cilët mendojnë se të flasin brutalisht janë të fortë, ai është në pikën më të ulët të popullaritetit të tij.

Ka shumë që mendojnë se lista e përbashkët e opozitës, PD-LSI do u sillte fitoren. Do të kishte ndodhur e kundërta. LSI ishte në këto zgjedhje „delja e zezë“ dhe humbja do të kishte qenë më e madhe. Ata që votuan PD-në, duke u kthyer në traditën e tyre, do të kishin munguar , nëse lista do të kishte qenë e përbashkët. Është e vështirë t’ia mbushësh mendjen një demokrati se votimi i Kryemadhit është vlerë.

Po sjell shembullin e mëposhtëm : një institucion tejet i rëndësishëm ndërkombëtar, i cili monitoroi me kudes fushatën zgjedhore, në fillimin e nëntorit vuri re rritje të besimit ndaj PD-së në një qark të njohur si bastion i së majtës, në Vlorë. Përqindja luhatej nga 32 deri në 34 përqind dhe, në tri javët e mbetura do i duheshin edhe rreth 2200 vota plus që të arrihej mandati i pestë. Ndërhyrja e Ilir Metës, takimet e tij me drejtuesin politik të opozitës në Vlorë, shpallja e tyre hapur, nuk e di nëse kjo ndodhte me dëshirë të dyanshme, loja e fjalëve etj, bëri që përqindja të ulej, dhe balanca të kthehej aty ku kishte qenë. Po të kishte ndodhur kjo në gjithë vendin, abstenimi do të kishte qenë i ndjeshëm.

Meta ,megjithë përbetimet, ndihmën e Petrit Vasilit dhe deklaratat e forta, nuk e mund Edi Ramën.

Atëherë kush?

E para gjë që mund të sjellë ndryshimin e duhur dhe të bëjë që edhe Edi Rama të jetë më i përgjegjshëm është një lëvizje e re politike, brenda sistemit. Është e domosdoshme të ndodhë, por jo në çastin e fundit dhe me frymëzim qeveritar.

Shenjat e para janë dhënë. Shumë deputetë të rinj , thuaj në të gjitha qarqet , u votëbesuan me më shumë vota se sa brezi i vjetër. Njerëzit janë lodhur prej tyre.

Kjo është një shpresë.

Një mundësi.

A mund të ketë një lëvizje të furishme politike, e cila, edhe pse duket tani për tani e pafuqishme, mund të jetë opozita e vërtetë, ose, më saktë, krahu i domosdoshëm i opozitës. Por, jo të kësaj që kemi, kështu si e kemi, e cila është në fakt opozita e vilave dhe resorteve luksoze.

Një opozitë e dhunshme nuk sjell mendim e as vizion të ri. Nuk mund të jesh qeverisës duke shkallmuar dyer qeverish, si bëri dhjetë herë rrjesht Basha e dështoi dhjetë herë.

Një komb prosperon përmes mendjes dhe qytetërimit. Përmes të tërës dhe jo pjesës!

Nëse do të luftojmë për Krahinën, do të harrojmë Atdheun!

Mendimi e çon shpirtin tek idetë e përgjithshme; mbyllja dhe aneksimi i ideve pjellin vizione shtatanike./ Gazeta Dita 

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?